Byroja e Kuvendit kërkon parlament të ri. Projekti, mbi 11 miliardë lekë

AKTUALITET


Byroja e kuvendit vendosi t’i kërkojë Gramoz Ruçit të avancojë me projektin e ndërtimit te kompleksit të ri parlamentar. Ai parashikohet të kushtojë mbi 11 miliardë lekë të reja. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni A2Cnn i cili mësoi se firma me të cilën Kuvendi po negocion është e njëjta që Jozefina Topalli përzgjodhi fituese kur drejtonte ajo legjislativin.

Por projekti i ri është i ndryshëm. Godina e re e modernizuar do të ndërtohet mbi atë ekzistuese të kryesisë së kuvendit, ose ish-Komitetin Qendror.


“Zhvillimi i aktivitetit në dy godina, në atë te Sallës së Seancave Plenare dhe godinës ku ndodhen zyrat e Kuvendit, krijon vështirësi në zhvillimin e aktivitetit te përditshëm parlamentar si dhe kosto shtesë”, shkruhet në dokument.

Përveç negociatës me firmën arkitekturore projektuese, Kuvendi  do duhet të bindë edhe Ministrinë e Financave për të dhënë dritën jeshile për 11 250 000 lekët që do të shpenzohen në 4 vjet për ndërtimin e godinës. Nëse financat refuzojnë, Kuvendi ka gati planin B: Rikonstruksionin e godinave të vjetra.

Për vitin 2020, duke pasur parasysh protestat dhe trazirat e ndodhura gjatë vitit 2019, është vënë në dukje edhe nga Garda e Republikës se mungojnë masat e sigurisë, si rrjeta metalike dhe xhama të blinduar.

“Kërkohet të  vendosen dritare me xham të blinduar, 186copë dhe grila metalike 256 copë në vlerë totale, 57,1 milionë lekë. Furnizim, vendosje dyer të blinduara  47 copë, me vlerë 22,9 milionë lekë”, propozon Garda e Republikës.

Pjesë e planit B të shpenzimeve deri në vitin 2022 është dhe rikonstruksioni i sallës së seancave plenare, me një vlerë 161 milionë lekë, ndonëse ishte rikonstruktuar në vitin 2010 nga Jozefina Topalli./A2cnn




Skip to toolbar