Çfarë fshihet pas lojës me firmat? Klosi: Ja plani i Berishës për të vendosur Metën në krye të opozitës

Më të fundit


Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar situatën politike në vend, zhvillimet brenda Partisë Demokratike e veçanërisht përplasjet Berisha-Basha, deklaratën e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim se nuk do të bashkëpunojë me Sali Berishën nëse ky i fundit zgjidhet kreu i Partisë Demokratike, si dhe faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shpallin të tjerë politikanë dhe pushtetarë “non grata”.

Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Klosi u shpreh se fakti që ish-kryeministri Berisha dhe grupi që mbështet atë refuzon të bëjë transparencë firmat e mbledhura për thirrjen e Kuvendit Kombëtarë të PD tregon se ka diçka që nuk shkon, ku sipas tij, një dyshim është se nuk është arritur numri i nevojshëm i delegatëve për të thirrur Kuvendin e 11 dhjetorit.


Më tej ish-kreu i SHISH akuzoi Berishën se është një politikan mashtrues që bën çdo gjë vetëm për interesat e tij, ndërsa paralajmëroi se nëse Partia Demokratike do të ndahet më dy pjesë, sipas tij, rriten shanset që frenat e opozitës t’i marrë presidenti Ilir Meta.

Sa i takon shpalljes “non grata” të Berishës nga DASH, zoti Klosi theksoi se amerikanët kanë prova kundër ish-kryeministrit, duke shtura se shpreson që fatin e ish-liderit të PD ta kenë edhe politikanë dhe pushtetarët të tjerë në Shqipëri.

-Zoti Klosi, Partia Demokratike duket se ndodhet në një situatë mjaft të nxehtë. Ish-kryeministri Sali Berisha kërkon të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD, por firmat e mbledhura janë kyçur dhe nuk lejohet verifikimi. Si e shini këtë manovër?

Mendoj se kjo është një manovër që po ndodh mes dy grupimeve brenda Partisë Demokratike, ku njëra palë ajo e ish-kryeministrit Sali Berisha kërkon të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD, ndërsa pala tjetër që përfaqëson kryedemokratin Lulzim Basha nuk dëshiron të mblidhet ky organ. Pra jemi përballë një përplasje dhe manovre që më shumë po bëhet nga grupimi pro-Sali Berishës. Kjo pasi mendoj se për sa kohë grupi pro Berishës që pretendon se ka mbledhur 4200 firma për thirrjen e Kuvendit Kombëtar nga 1800 që iu nevojiten, refuzon të bëjë transparencë për firmat, pasi i druhen ndonjë skenari që iu “hedh në erë” planet. Domethënë ka hamendësime nga më të ndryshmet, deri tek zërat se firmat janë të falsifikuara apo grupi pro Berishës i druhet një ofensive të grupimit të Bashës. Domethënë jemi përpara një rrethi vicioz dhe besoj se grupimi që mbështet Lulzim Bashën ka të drejtë, pasi nuk mund të hapet dhe mblidhet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike pa u verifikuar firmat dhe parë ato.

-Pse Sali Berisha nuk i nxjerr firmat? Lulzim Basha ka ngritur dyshime se nuk janë firmat nevojshme.

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim basha kanë hyrë në një “luftë” me njëri-tjetrin. Dhe nga kjo pikëpamje dua të theksoj se lufta deri në derdhjen e pikës së fundit të gjakut kur i thonë do të vijojë. Thyerja me Bashës dhe Berishës është shumë e madhe dhe ka shkuar shumë larg, sa nuk ka kthim pas dhe pajtim mes këtyre dy politikanëve. Madje këtu shtrohet dhe pyetja se kush do ta fitojë betejën në PD, Luli apo Saliu?! Unë mendoj se ky problem do të zgjidhet në gjyq, për sa kohë që asnjëra nga palët nuk lëshon pe dhe hap rrugë. Kështu që mendoj se Partia Demokratike mes veti nuk e zgjidh dot këtë problem dhe pas 11 dhjetorit do të shohim që Basha dhe Berisha do të shkojnë në gjyq për të kërkuar se kush ka të drejtë. Pra, në gjyq do të shohim njërin nga këtë të dy, i cili do ta ndiejë veten më keq përballë ngjarjeve që do të ndodhin në ditët në vijim brenda PD-së. Pra, që të rikthehem tek pyetja juaj, mendoj se jemi përballë një problemi, ku pala e Saliut nuk i beson palës së Lulit dhe prandaj mban këtë qëndrim, sepse si duket nuk i kanë firmat e nevojshme për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Si duket Saliu ngaqë e ka ves manipulimin dhe mbushjen e kutive, pret që këto ditë t’i shfrytëzojë për të plotësuar numrin e nevojshëm të firmave që nevojiten për thirrjen e Kuvendit, pasi po të tregojë transparencë dhe nuk i ka firmat, atij i dështon plani dhe nuk e mbledh dot Kuvendin në 11 dhjetor, që është edhe vigjilja e themelimit të PD-së. Megjithatë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë pasi siç e thashë edhe më sipër jemi përballë një situate ku Luli dhe Saliu kanë hyrë në një luftë për ekzistencë që s’ka kthim pas.

-Si e shihni gjithë këtë lëvizje të ish-kreut të PD, Sali Berisha. Në “Foltore” thotë për rikthimin e demokracisë në Partinë Demokratike, për zbatim të statuti, por duket se po shmanget statuti?

Ish-kryeministri Sali Berisha flet broçkulla. Demokracinë e Sali Berishës e njohim të gjithë, pasi kemi 30 vjet që shohim demokracinë dhe demokracinë e Saliut. Kështu që Sali Berisha po të ishte partizan i vendosjes së demokracisë, do e kishte sjellë me kohë dhe nuk do ta linte ta sillte tani me rikthimin e dytë, kur edhe mosha nuk i premton më. Sali Berisha është një nga politikanët që ka vrarë demokracinë e një vendi, ku intrigat, kulisat, goditjet, asgjësimet dhe përfshirjen në afera dhe krime e ka pasur kryefjalë të rrugëtimit të tij politik në këto 30 vite. Saliu është një politikan mashtrues, që nuk i vjen turp dhe nuk i nxihet faqja, pavarësisht se i ka shkaktuar shumë vuajtjeve këtij vendi dhe qytetarëve të tij. Berishës nuk i bën përshtypje askush përveçse interesat e tij. Por nga kjo pikëpamje unë habitem që Sali Berisha luan dhe aktron, pasi edhe ai vetë e di që më shumë se gjysma e popullit nuk e do atë dhe nuk e beson. Por si bëhet vonë Berishës dhe ai vijon të shikojë interesat e tij dhe të flasë broçkulla.

-Duket sikur Berisha po nxiton dhe qëllimi bazë është të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. A i trembet ai një hetimi të mundshëm dhe po mundohet të krijojë mburojë politike?

Patjetër që Sali Berisha të gjithë këtë betejë që ka nisur gjasme për të rivendosur demokracinë brenda Partisë Demokratike e ka bërë me një qëllim të vetëm siç është mbrojtja përmes PD-së. Rikthimin e Sali Berishës nuk e kërkojnë as demokratët dhe as qytetarët, sikundër pretendon ai. Berisha gënjehet nga entuziazmi i “Foltoreve”, ku teksa shikon ca militantë që brohorasin, mendon se ka pas vetes shumicën e qytetarëve shqiptarë. Por për të shtjelluar mendimin, ne para pak muajsh mbyllëm zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të cilat unë i quaj një tregues. Në 25 prill Partia Demokratike ka marrë 45% të votave dhe asgjë më shumë. Pra qytetarët janë ata që e kanë votuar dhe që kanë shprehur vullnetin e tyre. Kështu që të flasësh në emër të qytetarëve siç pretendon Sali Berisha është lajthitje, pasi duhet theksuar se qytetarët nuk janë militantët që i mbushin ish-kryeministrit sallat e “Foltores”. Sali Berisha është një politikan mashtrues dhe që nuk i nxihet fare faqja. Ai po tenton të rimarrë PD-në vetëm e vetëm që ta përdorë si mburojë kundër amerikanëve dhe drejtësisë së re, pasi ka shumë hesape të hapura me ta. Berisha i ka duart e lyera me gjak. Sidoqoftë Berisha nuk ka për t’u rikthyer në pushtet dhe Partinë Demokratike, ndonëse ai po lëviz të gjithë gurët, pasi e di çfarë i ka rezervuar fati dhe e ardhmja.

-A po mundohet Berisha që të krijojë kaos? PD nuk ia njeh Kuvendin. Ai më 11 dhjetor do deklarojë që shkarkuam Bashën. Pra ka rrezik për destabilizim?

Nuk më duket çudi asgjë, përfshi këtu edhe çuarjen e vendit drejt destabilizimit nëse Sali Berisha rrëzon Lulzim Bashën nga drejtimi i Partisë Demokratike. Saliu në këto 30 vite ka treguar që ka pasion dhunën dhe anarshinë. Kështu që për sa kohë që Berisha është përplasur me popullin, iu ka vënë flakën institucioneve, nuk përjashtohet edhe mundësia që të hyjë me forcë brenda PD-së dhe më pas të tentojë të çojë vendin drejt kaosit. Kështu që nga kjo pikëpamje Berisha duke qenë se është përplasur me qytetarët, brenda për brenda e ka akoma edhe më të lehtë që të provokojë kaos. Por kjo është punë e brendshme e Partisë Demokratike dhe nuk mund të them më shumë, ndonëse mendoj se rreziku që Berisha të bëjë një ‘98 të dytë është minimizuar pasi nuk i shkon më kërkush pas atij.

-Si e shihni deklaratën e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim se do ndërpresë kontaktet me Partinë Demokratike nëse Sali Berisha bëhet kryetar?

Deklarata e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim se SHBA nuk bashkëpunon me Sali Berishën nëse ky i fundit zgjidhet në krye të Partisë Demokratike, pasi Uashingtoni nuk bisedon me të shpallurit “non grata”, është një deklaratë shumë e fortë dhe serioze. Nga kjo pikëpamje dua të theksoj se jovetëm ambasadorja Kim, por edhe pasardhësit e saj që do të vijnë në Tiranë, nuk kanë për të bashkëpunuar me Sali Berishën, nëse supozojmë se ai do të rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike. Pra edhe pasardhësit e Kim do të mbajnë të njëjtin qëndrim me Berishën dhe ky i fundit gënjehet kot se thotë se një qeveri e re amerikanë që do të pasojë administratën Biden do të anulojë vendimin e Departamentit Amerikën të Shtetit për shpalljen “non grata” të Berishës. Linja e politikës së jashtme nuk devijohet nga Berisha, lobuesit pranë tij dhe gjyqet që Saliu hap kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit. Berisha është shpallur “non grata” nga DASH dhe në deklaratën e saj ambasadorja Yuri Kim ka thënë që nuk bashkëpunojnë me të, duke i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë atij se për amerikanët ai është në listën e zezë dhe rrezik. Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë një ndër aleatët më strategjikë të Shqipërisë që na është gjendur pranë në momente të vështira qysh nga fillimi i viteve 1918. Me amerikanët nuk luhet, pasi ata janë shtet serioz dhe Berisha për ta nuk ekziston. SHBA-të përmes shpalljes “non grata” të një politikani, duan të tregojnë se për ta korruptuarit, inkriminuarit dhe ata që minojnë demokracinë janë armiq. Kaq e thjeshtë është kjo deklaratë.

-Dakord jam, por ish-kryeministri Sali Berisha këmbëngul dhe pretendon se ai është shpallur “non grata” pa asnjë provë dhe vetëm mbi bazë lobimesh ndërkombëtare kundër tij?

Është punë e tyre nëse ata kanë prova apo jo për Sali Berishën. Por unë shpresoj që amerikanët të shpallin edhe ca politikanë të tjerë shqiptarë “non grata” siç vepruan me Sali Berishën. Pastaj në kushtet kur ky i fundit thotë se amerikanë nuk kanë prova kundër tij, kjo është e gjitha një lajthitje, pasi SHBA ia ka kopsitur dosjen Saliut. Pra nëse Departamenti Amerikan i Shtetit e ka seriozisht se do të ndihmojë Shqipërinë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duhet të shpallë “non grata” edhe ca pushtetarët dhe politikanë të tjerë shqiptarë. Kjo do të thotë se ata nuk do të mjaftohen vetëm me Berishën, por kambanat bien edhe për të tjerë. Kështu që unë përshëndes deklaratën e bërë pak ditë më parë nga i dërguari special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se pas Berishës do të ketë të tjetrë të shpallur “non grata”. Por meqenëse ju po këmbëngulni dhe më pyesni edhe në cilësinë e ish-shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror, dua të shtoj dhe them se amerikanët kanë prova për Sali Berishën dhe këdo që është përfshirë në korrupsion dhe krim në Shqipëri në këto 30 vite. Doni ju t’iu them një provë unë, përveçse “21 Janarit”, “Gërdecit” që amerikanët kanë kundër Berishës? Ajo është thyerja e embargos së naftës gjatë kohës së luftës së Kosovës. Këtë gjë Sali Berisha jo vetëm që e ka pranuar, por edhe e ka justifikuar se gjasme atij i vinte keq për popullin e Kosovë dhe nuk kishin se me çfarë të ngeheshin. Pra asokohe Berisha doli hapur kundër amerikanëve dhe NATO-s.

-Si i shihni përplasjet e fundit mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat kanë nisur sulmet dhe akuzat ndaj njëra-tjetrës?

Aleatët bëhen bashkë kur i bashkojnë interesat dhe për të fituar diçka që vetë nuk e bëjnë dot. Kështu edhe puna e aleancës mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, sigurisht që kështu do të përfundonte. LSI nuk ka qenë një parti e qëndrueshme në arenën politike, pasi kur i është dashur ka bashkëpunuar me PD dhe më pas është bashkuar me PS. Nga kjo pikëpamje dua të theksoj se Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti interesash që ka shfrytëzuar konjukturat. LSI-ja këtë rrugë ka zgjedhur dhe nuk po them më shumë.

-A rritet mundësia që presidenti Ilir Meta të rikthehet në krye të opozitës?

Mendoj se po. Nisur nga fakti që ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta janë bërë bashkë siç thotë Luli për ta rrëzuara atë nga drejtimi i Partisë Demokratike dhe opozitës, ekziston mundësia e rikthimit të kreut të shtetit në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe opozitës. Pse do thoni ju? Kjo gjë mund të ndodhë pasi nëse aksioni i Berishës do të prodhojë çarjen e PD-së, LSI mbase mbetet partia më e madhe e opozitës, pasi do kemi dy PD, një të Berishës dhe një të Bashës. Kështu që ky moment do të shfrytëzohet nga Ilir Meta që me ndihmën e Saliut do të arrijë të marrë kreun e opozitës. Duket si skenar që nëse Partia Demokratike me lëvizjen e Berishës do ta pësoj keq, në këtë mes do të fitojë Lëvizja Socialiste për Integrim. Kot nuk thotë Saliu që jo domosdoshmërisht kreu i partisë të jetë Kryeministër i ardhshme i Shqipërisë. Ka një skenar këtu. Por megjithatë unë dua të them se na duhet të presim se si do të rrjedhin ngjarjet brenda PD-së dhe opozitës në tërësi.

-Zoti Klosi për ta mbyllur, desha një koment sa i takon misterit të një “çante të zezë”. Gjatë kohëve të fundit ish-kryeministri Sali Berisha iu është rikthyer sulmeve, teksa iu akuzon juve për një ngjarje të vitit 2001, duke aluduar se Fatos Klosi ishte “kapur mat” nga një demokrat me një qese të madhe me para, të cilat sipas tij, ju i përdorët për të manipuluar dhe blerë zgjedhjet asokohe. Sa qëndrojnë këto pretendime?

Unë e thashë edhe pak ditë më parë se akuzat e Sali Berishës ndaj personit tim janë absurde. Nuk ka asgjë në këtë mes. Unë të merresha me para? Nëse do jepja para, kisha efektivët e SHIK. Pastaj në lokal? Sali Berisha si kryetar opozite ishte i rëndësishëm. Ka njerëz që quhen mashtrues, Berisha e nis nga zero. Shpik çdo gjë. Nuk e di nëse sheh ëndrra, por është një politikan mashtrues. Berisha ndodhet në një moment të vështirë dhe çfarë nuk thotë për të krijuar situata që ta favorizojnë siç po bën. Berisha është në një moment delikat dhe nuk i duhen marrë për bazë ato që thotë. Nga ana tjetër më vjen mirë që Sali Berisha edhe sot e kësaj dite merret me mua, sepse e di ai pse dhe pse ka frikë nga unë. Berisha është mjeshtër i mashtrimeve dhe thotë çdo lloj gjë që i vjen ndërmend, ku iso ja mban “Syri TV”. Ky i fundit është televizion familjar i Sali Berishës dhe për këtë punë e ka krijuar ai, se me sa duket e dinte që do të vinte kjo ditë dhe i duhej një media që ta kishte për të folur dhe mbrojtur. Pra, këtu jemi përballë një sekante që Berisha dhe shpura e tij e dinin që do të ndodhte kjo dhe krijuan një televizion që ta kenë si ombrellë dhe të thotë një llaf të mirë për Sali Berishën. Megjithatë, akuzat e Berishës ndaj meje janë broçkulla dhe mua thjeshtë më vjen për të qeshur dhe unë jam akoma dikush për ta. Kaq!




Skip to toolbar