Escobar: “Ballkani i Hapur” nuk do të funksionojë pa përfshirjen e 6 shteteve

Më të fundit


Nëse në iniciativën “Ballkani i Hapur” (Open Balkan) nuk përfshihen që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë, deklaroi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të mërkurën më 24 nëntor.

Gjatë një adresimi online që kishte në konferencën për “Ballkanin e Hapur” që u mbajt në Kuvendin e Serbisë, Escobar tha se iniciativat rajonale duhet të jenë barabartë të hapura për të gjitha shtetet.


Iniciativa për bashkëpunim “Ballkani i Hapur” përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parasheh lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve e njerëzve mes këtyre tre shteteve.

Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.
Escobar paralajmëroi që në mesin e sfidave të Ballkanit të Hapur mbesin kontrolli i kufijve pas hapjes së tyre, ulja e korrupsionit dhe ulja e kontrollit shtetëror në ekonomi.

“Krahas kësaj, është me rëndësi që këto tre shtete të cilat iniciuan Ballkanin e Hapur të mbesin të hapura dhe të bisedojnë ngushtë edhe me tre partnerët e tjerë që mbesin skeptikë”, shtoi Escobar.

Siç theksoi ai, në iniciativën rajonale duhet të ekzistojë barazi për të gjithë qytetarët dhe projektet dhe nuk duhet të ketë diskriminim në bazë të përkatësisë etnike.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor shtoi se SHBA-ja është e gatshme që të ndihmojë iniciativat rajonale, nëse ato nuk i pengojnë integrimet evropiane.
“Jemi të gatshëm që t’u ndihmojmë në këtë rrugë, që të arrini standardet ndërkombëtare, që të bëhemi partnerë me Evropën, për t’u siguruar që ky rajon do të bëhet një prej ekonomive më të rëndësishme në Evropë”, tha Escobar.

Është koha që të lirohet potenciali ekonomik i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të fuqizohet e ardhmja e tyre evropiane, theksoi gjatë fjalimit të tij, Ambasadori Amerikan në Beograd, Anthony Godfrey.

“Përkrahim planin e Ballkanit të Hapur, gjithëpërfshirës, në mënyrë që të sigurojë qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit e shërbimeve” theksoi ai.

Bërnabiç: Rritja e BPV-së nëse gjithçka shkon sipas planit
Siç ka theksuar kryeministrja serbe. Ana Bërnabiç, dobia më e madhe e Ballkanit të Hapur është rajoni shumë më i qëndrueshëm dhe më i sigurt.

“Ne jemi rajon relativisht i vogël, çfarëdo destabiliteti në cilindo shtet do të ndikojë negativisht në të gjithë ne”, tha Bërnabiç.

Dobia ekonomike, sipas Bërnabiçit po ashtu është e rëndësishme sepse me hapjen e kufijve dhe krijimin e tregut të përbashkët vjen njëkohësisht edhe rritje të investimeve nga jashtë.

Sipas saj, parashikimet janë që shtetet anëtare të Ballkanit të Hapur, nëse realizojnë masat që synojnë, brenda dy-tre vjetësh do të kenë rritje të bruto prodhimit vendor për 1 për qind.

“Për pesë deri në shtatë vjet, nëse zbatohet gjithçka që planifikojmë dhe nëse na bashkohet edhe ndonjë shtet tjetër mund të kemi rritje të BPV-së deri në 7 për qind” tha kryeministrja serbe.

Dimitrov: Në të ardhmen s’mund të qëndrojmë larg
“Tepër gjatë ishim të larguar dhe kështu nuk mund të ndodhë edhe në të ardhmen, që të mos përfundojmë në qorrsokak të Bashkimit Evropian”, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov gjatë adresimit të tij online në konferencën për ‘Ballkanin e Hapur’.

“Duhet të dërgojmë porosi të qartë që si rajon jemi stabil dhe po gjejmë zgjidhje, e jo probleme, që të jemi të drejtuar kah e ardhmja e të mos jemi të burgosurit e së shkuarës. ‘Ballkani i Hapur’ është hapi kryesor në këtë drejtim” vlerësoi Dimitrov.

Sipas tij, shtetet brenda iniciativës duhet të krijojnë tregun e përbashkët, bazuar në lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitalit, investimeve që do të ndihmojnë në tranzicionin e gjelbër.

“Kjo do të na ndihmojë në rrugën drejt BE-së. Shumica e rekomandimeve të Komisionit Evropian ju referohen këtyre. Kur jemi të afërt, kjo sjell zhvillim, stabilitet, prosperitet dhe fuqizim”, theksoi Dimitrov.

Ai përmendi që me shkallën aktuale të zhvillimit, shtetet e rajonit mund të arrijnë shkallë mesatare të zhvillimit në BE për gjashtë dekada, ndërkaq të dhënat e Bankës Botërore nga viti 2016 tregojnë që 26 milionë orë në ditë u kaluan duke pritur brenda kufijve të rajonit.

“Pronarët e kompanive thonë se u mungon fuqia punëtore dhe se kjo zvogëlon zhvillimin ekonomik. Për të gjithë është me rëndësi që barrierat të largohen, gjë e cila do të përmirësojë pasqyrën e rajonit para investitorëve të huaj. Andaj bashkëpunimi rajonal nuk është alternativë për euro-integrime, por është në përputhje me ato”, tha Dimitrov.

Ai theksoi se qeveritë duhet ‘të mbajnë të rinjtë në shtëpi’ sepse kapitali njerëzor humbet me largimin e tyre.
“Ata largohen sepse duan mënyrë evropiane të jetës. Nëse duam të qëndrojnë, duhet që këtë t’ua mundësojmë në shtëpi”, tha Dimitrov.

Çfarë është Ballkani i Hapur
Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i Hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri tashmë në dorëheqje i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.
Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”./REL/




Skip to toolbar