Ditët e fundit është folur shumë nëse “Arena Kombëtare” do të liçensohet nga UEFA për të zhvilluar ndeshjen Shqipëri-Francë, e cila përmbyll turneun eleminator të Euro 2020. Realstory.al pyeti UEFA-n nëse ka marrë një vendim apo jo për të lejuar Shqipërinë të luajë në “Arena Kombëtare”. Në përgjigjen e saj, UEFA shprehet: “Ne po monitorojmë nga afër punën në stadium, i cili është në fazën e tij të fundit. Miratimi përfundimtar pritet në kohën e duhur”, tha qeveria europiane e futbollit. Në fakt, duket se për vendimin zyrtar do të duhet të presim edhe disa ditë.
Dy inspektorë të UEFA-s do të jenë të dielën në Tiranë, për të ndjekur ndeshjen testuese në stadiumin e ri kombëtar. Realstory.al mësoi ekskluzivisht se inspektorët e UEFA-s do të jenë ata që do të thonë fjalën e fundit nëse në “Arenën Kombëtare” do të luhet në 17 nëntor. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-s, Arben Dervishaj, që është marrë drejtpërdrejt me mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i tha Realstory.al se nga pala shqiptare janë përmbushur të gjitha kërkesa e lëna nga UEFA. Ai konfirmoi se të dielën dy inspektorët do të ndjekin ndeshjen Apolonia-Vllaznia për femra, e cila do të shërbejë për testimin e stadiumit.
“Do vijnë dy inspektorë të UEFA-s të dielën në ndeshjen testuese. Ata do vijnë të shohin për veten e tyre. Ne e konsiderojmë të marrë sepse detyrat që ka lënë UEFA janë plotësuar. UEFA kishte: kamerat i kemi rregulluar, problemin e gazetarëve e kemi zgjidhur. Problemin e kalimit të kabullave e kemi zgjidhur. UEFA thoshte që nuk është gati dhoma e kontrollit, tashmë ajo është gati. Ne në këtë fazë jemi duke bërë mobiluar dhe pastrojmë stadiumin. Do zhvillojmë ndeshjen. Deri te kuzhina jemi marrë. Sheshi është duke përfunduar”, tha ai.
Më tej, Arben Dervishaj tregoi edhe një detaj, që sipas tij, UEFA parimisht ka konfirmuar se ndeshja do të luhet në “Arena Kombëtare”. “UEFA nuk ka thënë që nuk do luhet ndeshja. Ajo ka thënë që ndeshja do luhet në Tiranë. Por ato nuk e bëjnë publike që ne të jemi në presion për ta mbyllur sa më shpejt. Ne i kemi çuar foto, video. Kemi bërë testin e dritave, të zjarrit, të energjisë. Është 99.9% që do luhet”, tha Dervishaj.
Ai që duket se ishte një nga problemet kryesore për UEFA-n, pozicionimi i kamerave dhe krijimi i fushëpamjes për të kapur gjithçka nga ndeshja, sipas Arben Dervishajt është përmbushur. Ai shprehet se për këtë janë krijuar platforma të veçanta, ndërsa janë bërë dhe prova filmike të cilat i janë dërguar UEFA-s, dhe ajo i ka miratuar.
“Jemi në fazën e mbylljes të të gjitha gjërave që të zhvillohet ndeshja me Francën. Të dielën është ndeshja testuese, ndërsa të dielën tjetër ëshë ndeshja me Francën. Jemi duke diskutuar me UEFA. Ne kemi aprovuar nga UEFA pozicionin e kamerave, janë në L2. Ne bëmë provë me një nga kompanit që ka të drejtën e transmetimit në Shqipëri. Erdhi këtu solli kameran, filmoi ia dërguam UEFA-s dhe është aprovuar. Është mbyllur problemi i pozicionit të kamerave në L2. Janë bërë dhe platformat e kamerave. Jo vetëm kornen, por sheh gjithçka”, shtoi Arben Dervishaj për Realstory.al.