Grabitjet e futbollistëve, zbulohet kreu i grupit dhe lidhja me Shqipërinë

AKTUALITET


Pas arrestimit të tre shqiptarëve dhe shpalljen në kërkim të një të katërti, mediat spanjolle tregojnë se kush qëndron në krye të grupit që vidhte shtëpitë e futbollistëve të njohur spanjollë.

Shqiptari Marjan Zefi dyshohet si kreu i grupit që kanë kryer të paktën 50 grabitje nga muaji maj, por vetëm prej 14 prej tyre janë faktuar dhe i atribuohen grupit. Në fakt, shqiptarët nuk e dinin se ishin shtëpitë e futbollistëve por vetëm zgjidhnin vilat në zonat e të pasurve.


Zefi është një nga shqiptarët që mori pjesë në sulmin ndaj prodhuesit José Luis Moreno, duke e plagosur me sëpatë. Asokohe, ai ishte pjesë e grupit të Astrit Bushit, laçjanit që vrau edhe një polic të RENEA-s në vitin 2001, Altin Balozi. Zefi nuk është ndaluar ende dhe mund të jetë në Shqipëri, por ai qëndron edhe në Itali, Greqi apo Francë. Ai është ‘truri’ që ideoi grabitjen e shtëpisë së Benzema dhe Zidane.

Mediat spanjolle japin detaje lidhur me operacionin e zhvilluar nga Europol më 16 tetor ku është shpërbërë një grup shqiptarësh, i cili akuzohet se ka grabitur shtëpitë e yjeve të futbollit në Spanjë. “Marca”, shkruan se shqiptarët hynin nga kopshti dhe nga muret rrethuese duke u zvarritur. Më pas duke u zvarritur, hynin nëpër dritare, duke arritur që t’ju shmangeshin edhe kamerave të sigurisë. Pasi hynin nëpër banesa, ata më pas vidhnin sende me vlerë, edhe para cash.

Media spanjolle bën me dije se shqiptarët, në dallim nga sa shumë mund të mendojnë nuk kishin për qëllim të grabisnin shtëpitë, sepse ato ishin të futbollistëve. Ata pikasnin shtëpi të bukura në një zonë dhe më pas hynin njëra-pas tjetrës, duke mos e ditur as e kujt ishte banesa. Në njërën prej grabitjeve, situata bëhet edhe më komike. Gruaja e njërit Lucas Vázquez po stërvitej pranë pishinës në momentin, kur shqiptarët kanë hyrë dhe kanë rrëmbyer florinj dhe medaljet e Champions.

Operacioni i arrestimit të bandës është realizuar në qytetet e Madridit dhe Toledo, zona relativisht afër vendeve ku kanë ndodhur sulmet. Të gjithë anëtarëve të bandës, në momentin e arrestimit, policia u gjeti sirtare të mbushura plot me bizhuteri ari, por edhe veshje dhe këpucë të shtrenjta, siç edhe një palë çizme Versace. Makina luksoze dhe sasi e konsiderueshme eurosh janë sekuestruar nga policia, në operacionin e 16 tetorit. Por sipas medieve spanjolle, sendet e gjetura nuk janë gjithçka që ata kanë grabitur. Një pjesë e arit dhe medaljeve dyshohet sipas tyre se ndodhet në Shqipëri. Grupi akuzohet se ka kryer 14 grabitje.

Yjet e Real Madrid, Atletico Madrid si Karim Benzema, Alvaro Morato, Thomas Partey, Zinedine Zidane, Casemiro,  e Isco, ranë pre e këtyre grabitjeve, ku nuk kanë munguar as vjedhjet e sendeve me vlerë si medaljet e Champions, ora të shtrenjta dhe një kasafortë.




Skip to toolbar