Investimi në energjinë e ripërtëritshme në rajon, Rama nga Beogradi: Do kemi masterplan rajonal dhe udhërrëfyes investimesh

EKONOMI


Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në konferencën mbi “Mundësitë e investimit në energjinë e ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimot”, nën kujdesin e qeverisë së Norvegjisë.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se kjo ishte një mundësi e shkëlqyer dhe mbledhje e nevojshme në një kohë kur lufta ka ndikuar tregjet dhe inflacionin.


Po ashtu shpreson se do të vijojë bashkëbisedimi me partnerët norvegjezë për masterplan dhe udhërrëfyes investimesh.

“Kriza energjetike na ka bërë të shkojmë përtej Kufijve. S’ka dyshim se në këtë kohë kaq të vështira, ajo çfarë kemi thënë më parë kur nisëm Ballkanin e Hapur dhe kur nxitëm për një bashkëpunim më të gjerë bëhet gjithmonë e më e dukshme.

Duhet të shkojmë përtej kufijve tanë pasi në të kundërt mbetemi ende tregje të vogla dhe ajo çfarë na duhet dhe për të cilën kemi nevojë mund të jetë shumë më tepër e kushtueshme dhe jo vetëm kaq.

Duke vepruar në mënyrë rajonale, ne mund të kemi qasje më të lehtë në financime dhe mund të kemi partneritet më të fortë në sektorin privat. Ishte ditë e rëndësishme kjo e sotmja. Jam mirënjohës qeverisë norvegjeze që bëri të mundur nisjen e këtij bashkëbisedimi me strukturat më të mira.

Shpresojmë që ky bashkëbisedim do të vijojë dhe ne do kemi me vete partnerët norvegjezë për një master plan dhe udhërrëfyes investimesh”, tha Rama




Skip to toolbar