Plagosi mjekun me thikë, Strasburgu shpërblen të burgosurin

AKTUALITET


Arben Strazimiri, 11 vite më parë plagosi me thikë brenda spitalit mjekun Ali Refatllari dhe më pas drejtësia në Shqipëri e dënoi me burg, duke refuzuar kërkesën e tij që të trajtohej në një spital psikiatrik pasi vuante nga çrregullime të shëndetit mendor. Gjykata e Strasburgut ka dënuar Shqipërinë me 15.000 euro me motivacionin e trajtimit çnjerëzor të shtetasit Arben Strazimiri.

Arsyetimi i Strasburgut qëndron tek fakti se Strazimiri nuk e ka vuajtur dënimin në një spital psikiatrik por në një burg të zakonshëm ku kushtet sipas saj kanë qenë diskriminuese dhe çnjerëzore.


Vetë i dënuari kishte kërkuar të mbahej në një spital psikiatrik por kërkesa e tij ishte refuzuar nga Gjykata, gjë e cila e ka detyruar ta dërgojë çështjen në Strasburg e cila njihet edhe si Gjykata Europiane për të Drejtave të Njeriut.

Në vendimin e saj gjykata e Strasburgut ka konstatuar se në Shqipëri nuk ka një qendër specifike për personat që kanë probleme me shëndetin mendor. Për këtë arsye gjykata i bën thirrje shtetit shqiptar që të marrë masat dhe të ndërtojë një institucion të tillë.

Ngjarja

Në vitin 2008, shtetasi Arben Strazimiri plagosi me thikë brenda spitalit mjekun Ali Refatllari për shkak të vërejtjeve që kishte në trajtimin e një të afërmi të tij që ndërroi jetë.

Prokuroria dhe gjykata kanë dyshuar për shëndetin e tij. Gjatë dëshmive të tij, ai ka qenë shumë i qetë dhe nuk është vërejtur ndonjë sjellje të çuditshme. Më pas, po me të njëjtën qetësi, ai e ka pranuar fajin, duke pohuar se e kishte qëlluar me thikë mjekun Ali Refatllari. Por, avokati i tij ka deklaruar përpara gjykatës se Strazimiri e kishte kryer krimin në një gjendje të rënduar psikike. Megjithatë, gjykata vendosi arrest me burg për këtë person dhe pas kësaj mase ai u izolua. Disa vite më pas, ka argumentuar se vuante nga depresioni.

Arben Strazimiri qëlloi me thikë mjekun Ali Refatllari në muajin prill të vitit 2008, ku 40-vjeçari kishte vendosur të hakmerrej për vdekjen e dajës së tij, i cili kishte ndërruar jetë dy javë pasi i ishte nënshtruar një operacioni në zemër. Për këtë ngjarje, Strazimiri ishte i bindur se fajtor ishte mjeku kardiolog që kreu operacionin, Ali Refatllari. Strazimiri e ka goditur mjekun me thikë në sy të studentëve, ku ai po u jepte mësim. Më pas Strazimiri është përpjekur të largohet me shpejtësi, por pa mundur të shkojë larg, pasi është kapur nga policia.




Skip to toolbar