Koronavirusi, shkon në 243 numri i të prekurve, 52 të shëruar, 15 të vdekur

AKTUALITET


Ka shkuar në 243 numri i personave të prekur nga COVID-19 në vendin tonë. Në një dalje për mediat zv.ministrja e Shendetesise Mira Rakacolli tha se në 24 orët e fundit janë testuar 145 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 20 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 1671 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 243 raste.


Mbrëmjen e kaluar dhe mëngjesin e sotëm kanë ndërruar jetë në spitalin Infektiv një paciente 82-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 62 vjeçar nga Durrësi, të konfirmuar me COVID-19, me sëmundje bashkëshoqëruese. Ndërkaq gjatë pasdites janë regjistruar dhe dy viktima të tjera. Pacienti 77-vjeçar I. B., nga Kavaja, i konfirmuar me COVID-19 po trajtohej prej 2 javësh në spitalin infektiv, teksa ndërroi jetë në mënyrë të papritur nga një infarkt miokardi. 77-vjeçari vuante nga disa sëmundje: Diabet mellitus, insuficience renale kronike dhe insuficiencë kardiake.

Ka ndërruar jetë edhe pacienti R. P 69-vjeç nga Hasi, i konfirmuar me COVID-19, i cili është trajtuar prej 8 ditësh në spitalin Infektiv, ndërsa prej 3 ditësh gjendja e tij ishte rënduar dhe ishte në respiracion të drejtuar (i intubuar). Pacienti R. P ka qenë në gjendje të rëndë shëndesore gjatë gjithë kohës dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetojë.

Shkon në 15 numri i qytetarëve që kanë humbur jetën me COVID-19 në Shqipëri.

Gjatë 24 orëve të fundit kemi 8 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 52.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Shkodër, Mirditë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 129 raste
– Durrës 26 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 5 raste
– Fier 23 raste
– Kavajë 4 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Korçë 15 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 8 raste
– Lezhë 5 raste
– Berat 1 rast
– Has 2 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 3 raste
– Mirditë 2 raste

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Respektoni masat e distancimit social sepse vetëm kështu mund ta përballojmë këtë sfidë! Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të telefonojnë në numrin 127 të urgjencës kombëtare nëse dyshojnë se kanë shenja të COVID-19.




Skip to toolbar