Kreu i policisë në Real Story: Celula terroriste, lidhje me qeverinë iraniane

AKTUALITET


Kreu i policisë, Ardi Veliu ka deklaruar nga Real Story i Sokol Ballës në Neës 24, se celula terroriste e zbuluar në Shqipëri, ka lidhje me trupa të qeverisë iraniane, ndërkohë që emrat e publikuar janë vetëm drejtuesit e celulës, pasi ajo përbëhej nga disa nivele, duke përfshirë këtu edhe elementë kriminalë shqiptarë.

“Celula aktive terroriste i përket forcave në varësi të trupave të Ministrisë së Brendshme të Iranit. Celula iraniane hetohej që prej dy vitesh në Shqipëri dhe personat e publikuar sot ishin krerët e kësaj celule, e cila ishte e ndarë në disa nivele. Personat e tjerë në nivele më të ulëta janë shoqëruar dhe pyetur nga Drejtoria e Antiterrorit dhe në bazë të këtyre veprimeve hetimore është arritur të zbulohet kupola e celulës terroriste” tha Ardi Veliu, duke theksuar se operacioni policor, pavarësisht se nuk ka arrestuar krerët e celulës, e ka arritur objektivin, duke parandaluar një sulm të mundshëm terrorist. Sipas kreut të policisë, ky sulm terrorist kishte objektiv anëtarët e organizatës MEK dhe ishte parashikuar të ndodhte vjet gjatë festimeve të Sulltan Novruzit. “Por policia u mobilizua duke angazhuar të gjitha forcat e saj dhe parandaluar ndonjë akt të mundshëm terrorist”, deklaroi Veliu. Ai shpjegoi se në atë kohë nuk u arrestua asnjë person, pasi nuk kishte prova të mjaftueshme për arrestimin e tyre dhe hetimi vijoi deri në ditët e sotme. “Tashmë, policia po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare për të kryer të gjitha procedurat e mundshme për këta persona që mund të shpallen në kërkim dhe të arrestohen”, deklaroi Veliu. Po ashtu, kryepolici vuri në dukje se celula vepronte në nivele të ndryshme dhe në nivelin e tretë dhe të katërt ka bashkëpunuar edhe elementë të aktivitetit kriminal në Shqipëri.


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë i është përgjigjur në lidhje të drejtpërdrejtë edhe pyetjeve të gazetarit Sokol Balla, por edhe të gazetarit të ftuar në studio Ferdinand Dervishi, duke shpjeguar edhe arsyet e publikimit të këtij informacioni në këtë kohë, ndërkohë që i ka dhënë përgjigje edhe aludimeve se ky grup i zbuluar u publikua në këtë kohë për shkak të largimit të vëmendjes nga vendimi për hapjen e negociatave.

“Rasti i suksesshëm u gjykua të bëhet publik, sepse duam që edhe komuniteti MEK të ndihet i sigurt në Shqipëri. Policia e Shtetit ka për detyrim të mbrojë jetën e çdo shtetasi që jeton në vendin tonë”, tha Veliu. Pas këmbënguljes së gazetarit Balla se pse pikërisht në këtë kohë, kreu i policisë ka deklaruar se “Bazuar në Kushtetutën e vitit 1998 dhe Ligjit të Policisë së Shtetit, policia është institucion i depolitizuar”, duke i dhënë kështu përgjigje akuzave se policia është përdorur për të nxjerrë këtë informacion me qëllim që të largojë vëmendjen nga mos hapja e negociatave.

Kryepolici Veliu deklaroi gjithashtu se ky operacion kishte rëndësi të madhe, pasi në rast se do të ishte finalizuar qëllimi i organizatës terroriste mund të ishte me pasoja për qytetarët në ambiente publike. “Njëri prej anëtarëve të celulës terroriste, personi me pasaportë austriake, shtetas iranian, ka vizituar rreth 4 herë vendin tonë”, deklaroi Veliu, duke iu referuar edhe informacioneve të publikuara më herët mbi këtë çështje.




Skip to toolbar