Lëvizja “Basha Ik” dhe presioni i aleatëve, tërhiqet Basha: Koha të zgjidhim krizën

AKTUALITET


Gjatë një takimi me banorët  e Fushë-Arrëzit, Lulzim Basha u ka thënë demokratëve të kësaj zone, se “Partia Demokratike i fiton zgjedhjet, kurdo që të mbahen ato”. Kreydemokrati e ka cilësuar, sipas tij, “refuzimin që shqiptarët i bën Edi Ramës në 30 qershor, si një aleancë të madhe politike, që ka njohur ndonjëherë Shqipëria”.

“Përmes 6 muajsh protestash i kemi dhënë kurojo çdo shqiptari, kemi vetëdijësuar çdo shqiptar dhe sot pas 30 qershorit, nuk janë vetëm sondazhet ato që tregojnë PD dhe aleatët fitues të zgjedhjeve të ardhshme, të lira e të ndershme kurdo që të mbahen ato, por është vetë përmasa e 30 qershorit. Janë 85 përqind e shqiptarëve të cilët ushtuan me refuzimin e tyre në 30 qershor, thirrjen kombëtare: “Rama ik” dhe vulosën kësisoj aleancën më të madhe politike që ka njohur Shqipëria dhe shqiptarët që nga vitit 1992″, është shprehur Basha, sipas një komunikate shpërndarë nga zyra e shtypit e Selisë Blu.

Duke folur për 30 qershorin, Lulzim Basha pretendon se rezultati i zgjedhjeve ka treguar që Edi Ramën e kanë ‘braktisur dhe socialistët’. “Me 30 qershor Edi Ramën dhe regjimin e tij e kanë braktisur edhe socialistët e ndershëm. 30 qershori është dita e bashkimit më të madh “Rama ik”, por është edhe një klithmë, një kushtrim për ndryshim”, është shprehur Basha.

Në fund, të mesazhit të shpërndarë nga PD, mësohet se Lulzim Basha ka është shprehur se tani ka ardhur koha që t`i jepet zgjidhje krizës, që sipas tij është e tmerrshme. “Prej nesh shqiptarët kërkojnë më shumë se denoncime, më shumë se përballje, kërkojnë më shumë siguri për të nesërmen dhe rrugën e ndryshimit të vërtetë ku gjithkush do të jetë më mirë. Tani ka ardhur koha ti ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljet nga kjo krizë e tmerrshme dhe ta shndërrojmë shumicën 85 përqind  “Rama ik”, në shumicën e re qeverisëse që do ti prijë transformimit ekonomik dhe politik të vendit”, ka thënë Basha.

Por, kjo është hera e parë, që Lulzim Basha shprehet se ‘ka ardhur koha që t`i ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljen nga kriza’. Pasi, në qëndrimet që ka mbajtur deri më sot, Lulzim Basha është shprehur i vendosur se “nuk ka zgjidhje të krizës pa zgjedhje të lira e të ndershme dhe pa Edi Ramën”. Ky qëndrim i ndryshuar i kryedemokratit vjen vetëm pak ditë, pasi Realstory.al (lexo shkrimin) publikoi një shkrim për lëvizjen “Basha ik”, që pritet të fillojë në fund të muajit gusht apo fillim të shtatorit, nga demokratë që kanë shprehur qëndrimin kritik të Lulzim Bashës.

Gjithashtu, ky qëndrim, i kreut të PD-së, vjen edhe pas presionit të aleatëve të tij, që ndryshe nga Basha, kanë kërkuar dialog me Edi Ramën dhe zgjidhje të krizës. Ndërkohë, kujtojmë, se këtë të diel, dekreti i Ilir Metës për zgjedhjet e 13 Tetorit, bie zyrtarisht edhe për shkak të djegies së afateve kushtetuese për regjistrimin e subjekteve politike në garë.



Skip to toolbar