Presidenti Ilir Meta e ka nisur të enjten me një mesazh të qartë të cilin e përcjell përmes një fotoje të publikuar në facebook. Ai shfaqet duket lexuar librin “Esat pashë Toptani: Njeriu, Lufta, Pushteti”, ndërsa shkruan: “Një libër që duhet lexuar për histori që nuk duhen harruar dhe marrëveshje që s’duhet të përsëriten”.
Duke ndjekur në vazhdimësi postimet e presidentit që gjithmonë kanë një mesazh nga pas, edhe ky s’ka si të jetë ndryshe. Duket si një mesazh që Meta jep për përsëritjen e historisë dhe për një marrëveshje që nuk duhet të përsëritet. Dhe këtu gjithkujt mund t’i shkojë mendja tek marrëveshja e famshme e 17 majit mes Ramës e Bashës, marrëveshje që hoqi LSI-në nga “tepsia” dhe i dha PS një fitore të sigurtë në zgjedhjet e 2017.
Realstory shkroi më herët për distancimin e Monika Kryemadhit dhe frikës së LSI-në për një marrëveshje të dytë Rama-Basha, por duket qartë se kjo foto e Metës e konfirmon një gjë të tillë.
Presidenti po lufton me çdo kusht që të mos ketë një marrëveshje mes Ramës e Bashës duke mënjanuar LSI-në, ndaj dhe ai ka marrë rolin e kryenegociatorit dhe po përpiqet me çdo mjet që Basha t’i bindet dhe të pranojë dekretin e tij për zgjedhje me 13 tetor.
Por duket se Basha e ka lënë të vetëm Metën në këtë nismë. Ai nuk ka pranuar të regjistrojë partinë në zgjedhje (që duhet thënë se janë antikushtuese dhe se nuk janë njohur nga institucionet) ndryshe nga sa kanë bërë aleatët e tij. Basha ka refuzuar propozimin e Metës për zgjidhje. Ai kërkon ekstremin, largimin e Ramës dhe qeveri teknike. Basha kërkon marrëveshje me Ramën. Kësaj i trembet Meta dhe LSI. Një marrëveshjes mes tyre mund të sjellë shkrirjen e partisë familjare të Metës, pikërisht ashtu sikurse Rama e kishte paralamëruar prej kohësh me një sms, të cilin presidenti e lexoi para gazetarëve në konferencën e famshme për shtyp ku i shpalli të gjithë armiq, përfshi këtu edhe SHBA-të.
Kujtojmë se disa javë më parë Meta me anë të një deklarate për shtyp ku jepte propozimin e tij për zgjedhjet lokale, të përgjithshme dhe atë për President në të njëjtën ditë (13 tetor), e konsideroi veten si Avni Rustemi i cili vrau Esat Pashën si tradhtar.
“Jam i racës së politikanit të tipit Avni Rustemi, edhe i disa shqiptarëve të tjerë si Mic Sokoli, Vojo Kushi” shprehej Meta në atë kohë duke paralajmëruar se nuk do pranonte një marrëveshje të dytë mes Ramës e Bashës.
Esat Pasha njihet në histori si një njeri që ka punuar vetëm për interesat e tij dhe që ka bërë marrëveshje me armiqtë e vendit. Ai u vra të dielën e 13 qershorit të vitit 1920 nga Avni Rustemi sapo doli nga hotel “Continental” në Paris./Realstory.al