Bashkia Shkodër mban dy shkolla të mbyllura, KQZ ndryshon Qendra Votimi

AKTUALITET


Në të gjithë vendin ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ-të për në Qendrat e Votimit, proces që në dukje duket i qetë, veç Shkodrës, ku Bashkia Shkodër ka mbyllur dy shkolla që të mos lejojnë që të zhvillohen votime, ndonëse ka pasur një urdhëresë nga Ministria e Arsimit për të vënë në dispozicion ambientet e tyre.

Kryebashkiakja Voltana Ademi nuk ka lejuar që dy shkollat “Pashko Vasa” dhe shkolla teknike pyjore të vihen në dispozicion si qendra votimit. Me një urdhër, të cilin e ka ngjitur në dyert e jashtme të këtyre shkollave shkruhet “Ndërtesat që janë në pronësi dhe administrim të Bashkisë Shkodër janë në shërbim sipas funksionit që ato kanë të përcaktuar në dokumentin e pronësisë. Askush nuk është i lejuar për t’i përdorur ato për qëllime të tjera pa autorizimin e Bashkisë Shkodër. Sipas përcaktimit ligjor, ky objekt është i paprekshëm pa lejen e institucionit të Bashkisë”, shkruhet në dokument.


Ndërkohë, KQZ ka njoftuar se do të zhvillojë të shtunën një mbledhje, ku në rend dite do të diskutohet për dhënie autorizimi për ndryshimin e vendndodhjeve të disa qendrave votimi dhe për miratimin e listës emërore të shtetasve të cilët mund të emërohen kryesisht anëtarë të KQV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.

Ndërkohë, shpërndarja e materialeve zgjedhore po kryhet edhe në qytetet e tjera, ku raportohet se deri mesditën e së shtunës nuk ka pasur incidente. Raportime të qeta ka pasur nga Fieri, Lushnja, Elbasani dhe Kukësi.

Më herët rezistencë për moslejimin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore janë hasur edhe në Mallakastër dhe në Pogradec, por pesë punonjës bashkie në këto dy bashki janë arrestuar nga policia, pasi kanë bllokuar shkollat, ku janë vendosur qendrat e votimit, ndërkohë që është shpallur në kërkim nënkryetari i Bashkisë Mallakastër. Policia thotë po përballet me situata të tilla në të gjitha bashkitë e drejtuara nga opozita, ndërsa paralajmëron se të gjithë penguesit procesit zgjedhor do të ndiqen penalisht.




Skip to toolbar