Merkel: Nga 1 marsi, lehtësojmë vizat për punë drejt Gjermanisë

AKTUALITET


Në 1 mars hyn në fuqi ligji i ri që parashikon kritere të zbutura për marrjen e vizës për punë drejt Gjermanisë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka dhënë lajmin në një takim që ka zhvilluar me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrës të ndryshëm ku deklaroi se Gjermania ka nevojë për krah pune dhe këtë duhet ta marrë jashtë vendeve të BE-së. Merkel tha gjatë fjalës së saj se edhe shtete të tjera të BE-së kërkojnë punëtorë, pra në këtë kuadër ka konkurrencë, ndaj dhe Gjermania duhet të ofrojë kushte të lehtësuara për marrjen e vizës për t’u punësuar në Gjermani.

 “Nuk jemi ne të vetmit që kërkojmë punëtorë të kualifikuar në botë. Në këtë fushë ka një konkurrencë të madhe”, u shpreh Merkel. Legjislacioni që do të hyjë në fuqi më 1 Mars do t’ua bëjë më të lehtë shtetasve jashtë BE-së të marrin viza për të punuar dhe për të kërkuar punë në Gjermani. Lehtësitë që aplikohen aktualisht për të diplomuarit e universiteteve po zgjerohen tani tek emigrantët me kualifikime profesionale dhe njohuri të gjuhës gjermane. Sektorë të tillë si teknologjia e informacionit dhe infermieria kanë nevojë për vende pune.


“Shumë kompani në Gjermani kërkojnë urgjentisht punëtorë të aftë, madje edhe në një kohë kur ekonomia është dobësuar,” thotë Eric Schëeitzer, president i Shoqatës së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Gjermane. Për më shumë se gjysmën e kompanive, mungesa e punëtorëve të aftë është aktualisht rreziku më i madh për biznesin.”

Ingo Kramer, kreu i Konfederatës së Shoqatave Gjermane të Punëdhënësve, thotë se rreth 430,000 migrantë që erdhën si azilkërkues që nga viti 2015, tani janë në punë, kështu që nuk do të ishte e paarsyeshme të shpresohet që vendi të mund të punësojë të paktën 100,000 vende pune në vit, duke kërkuar në mënyrë aktive profesionistë nga jashtë. “Procesi duhet të ecë shpejt, të mos jetë i gjatë dhe burokratik,” tha ai. Ai shtoi se nëse Gjermania dëshiron që këta punëtorë të qëndrojnë, “është e rëndësishme që ata të ndjehen në Gjermani si në vendin e tyre”.




Skip to toolbar