Mini-Shengeni, Albin Kurti: Rruga nga Beogradi në Tiranë, kalon nëpër Prishtinë

#NËRADAR


Albin Kurti reagoi të hënën në lidhje me punimet e Samitit të Tiranës, ku liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u takuan për të tretën herë për të diskutuar për “Mini-Shengenin Ballkanik”. Kurti lë të kuptohet se mbetet i hapur për bashkëpunimin rajonal, por duke zbatuar parimet e “reciprocitetit”, që sipas tij, “duhet të udhëheqin iniciativat rajonale”. Ai i dërgon një mesazh edhe qeverisë shqiptare, duke u shprehur se “rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë”.

“Parimet e gjithëpërfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin iniciativat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim jo konfrontim!”, shkruan Albin Kurti.


Reagimi i kreut të Vetëvendosjes vjen pak ditë pas mbajtjes së Samitit të Tiranës, ku Kryeministri Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, Presidenti Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe ai malazez, Milo Gjukanoviç diskutuan për krijimin e një zone të përbashkët ekonomike, që mundëson lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve.

Kryeministri Edi Rama gjatë deklaratës drejtuar liderëve kosovarë, duke u bërë thirrje të heqin dorë nga rruga ku janë futur dhe të pranojnë të bëhen pjesë e kësaj nisme. “Uroj që Kosova të dalë nga një rreth vicioz që nuk i bën mirë. Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush refuzon më shumë dialogun. Kosova duhet të qëndrojë fort afër Shqipërisë dhe miqve të vet SHBA dhe BE dhe të mos kthejë vizionin e të ardhmes në një luftë politike të ditës”, tha Rama të shtunën për gazetarët”, shprehej Kryeministri Edi Rama, pasi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi refuzoi të merrte pjesë në këtë samit.




Skip to toolbar