Minxhozi: E shkruar më 3 mars (në darkë)…

Më të fundit


Nga Skënder Minxhozi/

Dita ka qenë e lodhshme, e zhurmshme dhe plot tallaze në rrugët e Tiranës, mbi të gjitha në ekranet e saj. Një protestë e lidhur me një vulë ka vënë edhe një herë në lëvizje më shumë policinë sesa vetë kryeqytetin dhe ka ofruar spektaklin banal të radhës për sytë dhe veshët e qytetarëve të lodhur me politikën. Me verdiktin e trupës gjykuese së Gjykatës së Apelit, stema zyrtare e Partisë Demokratike ka shkuar për:


Varianti 1

…Rithemelimin dhe Sali Berishën. Janë pranuar argumentat për kongresin dhe ndryshimet statutore të bëra nga ky krah, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të dhënë nga një gjyqtar i lidhur me njëmijë fije me Sali Berishën. Tashmë Belind Këlliçi mund të marrë frymë i qetë për kandidaturën për bashkinë e Tiranës (por jo për rezultatin që e pret), Flamur Noka do ketë rast t’i ngrejë edhe më shumë zërin kuadratit të topitur të deputetëve “rebelë” në parlament, kurse partia në të gjitha shkallët e saj do të nisë grupimin, me ose pa dëshirë, rreth Doktorit dhe të ardhmes së tij ngjyrë gri si qielli i ngarkuar i një dite vjeshte.

Partinë e sapovulosur e pret një fushatë elektorale që nuk parathotë asgjë të mirë. Të gjitha sondazhet e japin humbëse në qendrat më të mëdha urbane, Dashamir Shehi megjithë votat e tij historike në Tiranë është rreshtuar krah Astrit Patozit, ndërsa ish-deputetja demokrate Lejla Përnaska bëhet gjithashtu gati të kandidojë në kryeqytet jashtë siglës së ish-partisë së saj. Një garë ikjesh që e bëjnë ngjitjen e Këlliçit drejt zyrës së Lali Erit më të vështirë se një ekspeditë në Everest pa bombula oksigjeni.

Si të mos mjaftojë kjo, edhe Agron Duka me partinë e tij agrare tërhiqet nga aleanca me Berishën për këshillat bashkiake, duke hequr një tjetër tullë nga muri opozitar. Një mur i cili tashmë, me ndarjen “me gjyq” mes Berishës dhe Bashës, duket më shumë si një grumbull tullash të përdorura, sesa si një front kërcënues për qeverisjen e Ramës.

Varianti 2

…Vula dhe stema e Partisë Demokratike mbeten në dorën e atij që në vitin e fundit ka refuzuar të bëjë politikanin, Lulzim Bashës! Edhe një herë më tepër gjatë karrierës së tij Luli ka marrë diçka në formë dhurate, pa bërë asgjë dhe pa merituar asgjë. Me stemën e partisë në dorë, atij nuk do t’i duhet të ngrejë edhe një herë dyert e blinduara në seli, për faktin e thjeshtë sepse nuk ka më një të tillë. Rithemelimi ka pushtuar gjithçka, Doktori ka vënë në derën e selisë tabelën “Tokë e xanun” dhe kryetarit formal Basha do t’i duhet më së pari të gjejë një zyrë për veten.

Por kalendari elektoral imponon para zyrës dhe selisë, diçka tjetër më urgjente. Duhen lista të plota kandidatësh dhe anëtarësh këshillash për 61 bashki në të gjithë vendin dhe mbi të gjitha duhen shpejt, pa humbur asnjë minutë më tepër. Brenda tre ditëve pas gjyqit të vulës, Ilirian Celibashi e mbyll përfundimisht derën e KQZ për garuesit e zgjedhjeve lokale të 14 majit. Pasi ka marrë ca para nga buxheti shtetëror i zgjedheve, Luli ka nevojë për një kandidat për Tiranën më së pari, pasi Belind Këlliçi vështirë të kalojë ylberin e të bashkohet me të, pasi bëri kauzë të përbashkët me Doktorin.

Me stemën në xhep, Bashës, Alibeajt e të tjerëve do t’u duhet të përballen me nje fushatë ku më shumë sesa me qeverinë, do të kacafyten nëpër takime elektorale nëpër qytete e fshatra me njerëzit e Rithemelimit, tej mase të acaruar për vendimin e Gjykatës së Apelit. Një parti me simbole të konfirmuara por me një zjarr të madh në oborrin e selisë, ja çfarë do të jetë partia Demokratike e të rikthyerit Basha.

Të dyja këto versione kanë shanse të mëdha të nisin të zbatohen në mënyrë të përafërt në darkën e 3 marsit, pas rreth dy javësh. E sigurt është se ajo që do të dalë nga dera e Apelit atë ditë do të jetë një parti thellësisht e përçarë, krejtësisht e papërgatitur për një palë zgjedhje në horizont. Për më tepër, dy kalorësit që sherrosen për vulën janë që të dy pjesë e problemit e jo e zgjidhjes për Partinë Demokratike. Nga një anë Berisha, i cili në një vit e gjysëm nuk mundi t’i bashkojë demokratët siç premtoi, nga ana tjetër një humbës i certifikuar dhe përsëritës si Lulzim Basha, i cili nuk ka çfarë t’i ofrojë më partisë që drejtoi për tetë vite nga humbja në humbje.

I parë kështu, 3 marsi i ardhshëm është vetëm një datë burokratike në kalendarin e një krize që s’mund të zgjidhet në gjyqe, por me përmbysjen totale të elitës politike që drejton sot PD në të gjitha katet, fraksionet dhe poret e saj. Me Berishën dhe Bashën demokratët shohin në të dyja rastet drejt të së shkuarës dhe drejt mpakjes. Ata që në 3 mars do të bërtasin “Fitore” e dinë qysh tani se janë duke fituar brenda oborrit të partisë, jo brenda sinoreve të Shqipërisë. E kjo e thotë açik thelbin e kotësisë së një procesi për stemën dhe vulën.




Skip to toolbar