Mori peng vëllezërit Beqiraj, arrestohet Agron Bejdolli, krahu i djathtë i “Rrumit të Shijakut”

AKTUALITET


Sektori i Krimeve të Rënda në Durrës ka bërë të mundur arrestimin e Agron Bejdollit, krahu i djathtë i Aleksandër Lahos i njohur ndryshe si Pëllumb Muharremi ose“Rrumi i Shijakut”. Ky i fundit është i kërkuar nga blutë.

Bejdollit i është caktuar nga gjykata masa e arrestit me burg për “heqje të paligjshme të lirisë” ose pengmarrje të dy vëllezërve Beqiraj në Tetor të 2022-it.


Mësohet se ai është prangosur në shtëpinë e një kushëriri të tij.

Si ndodhi pengmarrja?

Pas një konflikti të ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës më 2 Tetor të dy viteve më parë, disa persona me automjete goditën motomjetin e dy vellezërve Beqiraj dhe më pas morën me vete, njërin prej tyre. Ishte rrethimi i Policisë që i detyroi pengmarrësit ta lironin pas një ore, duke e lënë Indrit Beqirajn në rrugë.

Kështu, Indrit Beqiraj bashkë me të vëllanë përfunduan në komisariat, ku deklaruan se ngjarja ndodhi për motive të dobëta. Por ky deklarim mbi dhunën dhe pengmarrjen nuk i bindi hetuesit, për më tepër që dy vëllezërit rezultuan persona me precedentë të mëparshëm penal për “armëmbajtje pa leje” dhe “shitje narkotikësh”.

Kujtojmë se më 4 Tetor 2022, pas arrestimit të dy vëllezërve, Gentian e Indrit Beqiraj u zbardhën një sërë ngjarjesh kriminale. Si rrjedhojë u arrestuan 14 eksponentë të krimit, ndërsa 5 të tjerë u shpallën në kërkim. Mes këtyre të fundit ishte dhe 51 vjeçari Bejdolli.




Skip to toolbar