Pesë mijë të rinj nga Europa në Festivalin e muzikës në natyrë në Shëngjin

AKTUALITET


Plazhi i Ranës së Hedhun në Shëngjin është shndërruar në destinacionin e rreth 5 mijë të rinj nga vende të ndryshme të botës. Të rinjtë kanë mbërritur në Shqipëri në kuadër të festivalit të ri të muzikës elektronike në natyrë “UNUM”, që ka nisur mbrëmjen e djeshme, për të shijuar jo vetëm muzikën, por edhe Shqipërinë turistike.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, thekson se “është Shëngjini i shndërruar në destiacionin e festës së të rinjve. UNUM Festival startoi. 5 mijë të rinj nga Anglia, Gjermania, Franca, Holanda, Belgjika, Italia, nga rajoni e nga përtej Europa kanë mbërritur në vendin tonë për të shijuar jo vetëm muzikën, por edhe Shqipërinë turistike”.


Gjatë ditëve të festivalit të rinjtë do të performojnë artistë të njohur nga e gjithë bota si Craig Richards, Ricardo Villalobos, Luciano, Neverdogs, Cesar Merveille, Butch, Petre Inspirescu, Praslea, Sonja Moonear DeWalta etj.

Kryeministri Edi Rama përshëndeti festivalin e muzikës në natyrë, UNUM. “Bazuar në atë që dëgjoni për Shqipërinë, a e prisnit këtë vend të ishte kaq fantastik? Nuk kishit frikë se do të vriteshit, se do grabiteshit, se do dhunoheshit, sepse shtypi në Holandë kështu thotë. Më tha dikush që është nga Holanda dhe po e pyesja, a ishe e përgatitur për t’u vrarë, për të të vjedhur, për të të dhunuar, për të të rrëmbyer, marrë peng? Jam shumë i lumtur t’ju vizitoj! Është shumë i bukur ky aktivitet, ku rreth 5000 njerëz kanë ardhur për këtë Festival. Dikush tha, do të bëhet zëdhënësi më i mirë për vendin, për të përhapur lajmin që Shqipëria është gjithçka, përveç asaj që thuhet se është. Sigurisht kemi problemet tona, por jemi një destinacion shumë i bukur dhe në Shqipëri gjeni njerëzit më mikpritës dhe të bukur dhe ne jemi krenar për këtë”, u shpreh Rama gjatë përshëndetjes së tij.




Skip to toolbar