Nga Mero Baze
Presidenti ka dy ditë që gdhihet keq. Dje dha një shfaqje të çekuilibrit politik, diplomatik, shtetëror dhe mendor.
Sot e kishte kapur me letra qysh në mëngjes. Nisi t’i shkruante Ramës, pastaj vazhdoi me ambasadorin e BE. Të parin e shantazhonte, se do fliste për reformën, të dytit i kërkonte llogari pse nuk e kishte përfillur veprimtarinë e presidentit para zgjedhjeve dhe pse po merrej me reformën në drejtësi.
Të dy, as kryeministri dhe as ambasadori Soreca, në fakt nuk ju përgjigjën. E panë më shumë të udhës të vlerësojnë vendimin e Komisionit Europian kundër përpjekjes për rikthimin e vizave nga Holanda.
Por duket se presidenti do të vazhdojë me letra dhe pyetje këto ditë. Ka një lloj ngutje në formë tërbimi, që kaplon zakonisht mendje të nxehta, nga mospërfillja dhe injorimi i hapur që ju bë si president, kur deshi të përdorë ç’dekretimin e zgjedhjeve, si arsye për të shkuar drejt luftës civile.
Tani as zgjedhjet nuk u shtynë, as luftë civile nuk pati dhe presidenti është i shqetësuar, se si do të vazhdojë të injorohet.
Pyetjet e tij më shumë se sa sqarime, janë pyetje retorike, që ai nuk do që t’i konfirmojë askush.
Po çfarë ka ndodhur realisht që është destabilizuar presidenti?
E para, është injorimi që atij ju bë nga SHBA dhe Bashkimi Europian, pas ç’dekretimit të zgjedhjeve.
Perëndimi injoroi aktet e tij juridike, duke i hedhur në kosh, dhe i dha mbështetje shqyrtimit që i bëri Kolegji Zgjedhor këtyre akteve, duke mbështetur zgjedhjet e 30 qershorit. Praktikisht Ilir Metën e “shkarkuan” si president dhe zgjodhën të mbrojnë zgjedhjet dhe institucionet kushtetuese.
Së dyti, është indiferenca e Perëndimit për t’u përfshirë në bisedimet me kushte të opozitës para zgjedhjeve, duke e lënë opozitën ta paguajë shtrenjtë shantazhin e saj, për të mos hyrë në zgjedhje dhe për të djegur mandatet, që të rrëzonte qeverinë.
Ilir Meta ka pritur se Perëndimi do të trokiste në derë të tij për këtë hall dhe ai të faktorizohej. Perëndimi në fakt nuk trokiti askund.
Sot, falë strategjisë Berisha-Meta, zbatuar nga Basha- Kryemadhi, opozita është në rrugë si një parti e krijuar dje, pa asnjë deputet, pa asnjë bashkiak, ose anëtar këshillash bashkiake.
Së treti, Meta ka kuptuar se Bashkimi Europian po mbështet krijimin e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese dhe po hedh në erë strategjinë Meta- Berisha për ta bllokuar dhe më tej krijimin e kësaj gjykate.
Nën këshillat e ekspertëve të BE, pritet që në fund të korrikut të bëhen tre propozime që i takojnë presidentit dhe tre propozime që i takojnë Parlamentit, për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Nëse presidenti refuzon t’i çojë propozimet në Kuvend, me arsyetimin se mund të mos jenë tre kandidatë për një post, por dy, atëhere sipas listimit të KED, i pari i listuar, kalon direkt anëtar.
Kjo bën që maksimalisht Ilir Meta ta vonojë Gjykatën Kushtetuese deri në fund të shtatorit. Pas saj, nuk ka çfarë i bën më.
Së katërti, Ilir Meta po bën përpjekje të bllokojë formimin e Gjykatës së Lartë.
Arsyet e bllokimit fillimisht lidhen me faktin se tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duhet të zgjidhen nga kjo Gjykatë. Në fakt, Gjykata e Lartë mund të vonojë, por ajo nuk e pengon dot më funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese.
Nga ana tjetër, ajo duhet të ngrihet pasi janë akumuluar mijëra çështje për t’u gjykuar. Dhe Ilir Meta duket i shqetësuar nga një propozim i “Euralius”, që rekomandon përdorimin e precedentit të prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, deri në ngritjen e përhershme të Gjykatës së Lartë.
Të gjitha këto detaje, pafuqia për ta ndalur reformën dhe injorimi që atij po i bëhet si faktor institucional në vend,e kanë xhindosur dhe bën ato që po bën, nga dje deri sot.
Nuk di çka ndërmend të bëjë nesër, por këto që ka bërë dje dhe sot janë boll për të dëshmuar se ai ndjehet i izoluar dhe i parëndësishëm për ta.
Në fakt, ata, as tani nuk po kërkojnë të ulen me presidentin. Ata po u bëjnë thirrje palëve të ulen vetë me njëra- tjetrën dhe presidenti është palë, jo intelokutor në këtë histori.
Për Perëndimin, ai është zjarrëvënës i izoluar i Shqipërisë, për qëverinë është udhëhëqës i opozitës, për opozitën është lideri në pushtet i saj. Por askujt nuk i hyn më në punë, as Perëndimit, as shumicës. As opozitës nuk i bënë punë dekretet e tij.