Rama në Kiev më 20-21 janar, Ukraina e mirëpret: Do hapim ambasadë në Shqipëri

POLITIKË


Ambasadori i Ukrainës në OSBE, Yevhenii Tsymbaliuk shprehu vlerësimin e tij për marrjen e kryesimit të kësaj organizate nga Shqipëria për 2020, ndërsa tha se e mirëpret faktin që vizita e parë e kryeministrit Rama në rolin e drejtimit të OSBE do të zhvillohet në Ukrainë.

Ambasadori Tsymbaliuk tha për gazetarët shqiptarë në Vjenë se kjo vizitë mund të zhvillohet më 20-21 janar 2020 si dhe vlerësoi prioritetet që kryeministri Rama paraqiti gjatë mbajtjes së konferencës për marrjen e kryesimit të OSBE. Tsymbaliuk tha se mbrojtja e sovranitetit të në vendi është i rëndësishëm, sidomos për Ukrainën e cila ndodhet vazhdimisht nën presionin e Rusisë. I pyetur se cilat janë pritshmëritë e Ukrainës gjatë kryesimit të Shqipërisë në OSBE, Tsymbaliuk u shpreh se Shqipëria gjatë kryesimit të OSBE mund të ndihmojë në implementimin e marrëveshjeve të arritura në samitin e Parisit.


“Mirëpritëm ardhjen e kryeministrit Rama në Vjenë për të prezantuar prioritetet e kryesimit të OSBE dhe jemi shumë të lumtur që disa prej tyre lidhen me implementimi i principeve që respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e një vendi, që është mjaft e rëndësishme për Ukrainën, e cila cenohet nga Rusia. Çdo vend ka zërin e tij dhe këtu çdo gjë behet në mënyrë konsensuale dhe nëse ti ke kryesimin e OSBE mund të influencosh në shumë mënyra. Ne shpresojmë që kryesimi i OSBE nga Shqipëria do të ketë një rol të rëndësishëm në rastin e Ukrainës në implementimin e parimeve që u arritën në samitin e Parisit, që në fakt ende nuk janë zbatuar në praktikë. Pata nderin të kisha një bisedë të shkurtër me kryeministrin dhe i shpreha atij opinionin tim se hapi kryesor është armëpushimi pasi njerëz po vriten atje dhe është e rëndësishme që t’i japim fund kësaj” tha Tsymbaliuk.

Tsymbaliuk tha se marrëdhëniet me Shqipërinë janë intensifikuar dhe se vizita e parë e kryeministrit Rama si drejtues i OSBE do të zhvillohet më 20-21 janar. Ai tha se brenda vitit 2020 shpreson që të hapet edhe ambasada e Ukrainës në Shqipëri për të forcuar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne vlerësojmë që vizita e parë e kryesuesit të OSBE do të bëhet ne Ukrainë dhe shpresojmë që do jetë më 20 -21 janar të këtij viti. Këtu në Vjenë kemi zhvilluar kontakte dhe konsulta shumë produktive mes nesh dhe Shqipërisë dhe këto konsultime do të zhvillohen çdo javë në zyrat e OSBE për të diskutuar pikat që janë në axhendë. Janë rritur kontaktet mes Ukrainës dhe Shqipërisë dhe shpresojmë që këtë vit të hapim edhe ambasadën e Ukrainës në Shqipëri për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet” u shpreh Tsymbaliuk.




Skip to toolbar