“Rilindja” e Bashës sulmon Lelën dhe Ballën

#NËRADAR


Pasi Basha futi “Realstory.al” në listën e mediave armike, gazeta zyrtare e PD-së, Rilindja Demokratike ka nisur të zbatojë me përpikëri udhëzimet e kryetarit duke sulmuar hapur gazetarin Sokol Balla dhe analistin Alfred Lela.

Në një artikull të publikuar të martën në gazetën Rilindja Demokratike, Alfred Lela dhe Sokol Balla sulmohen hapur për shkrimet e tyre dhe për qëndrimet e tyre në media, vetëm për faktin se ndajnë mendime të ndryshme nga kreu i PD-së. Një strategji kjo që na kujton kohët e errëta të diktaturës.

Në një kohë kur jetojmë në një vend demokratik, opozita vë në shënjestër gazetarët që nuk kanë të njëjtin mendim me ta dhe i kryqëzon me akuza.

Sipas RD-së së Bashës, “Alfred Lela i është shtuar “listës së 30 asprave” të Edi Ramës, listë në të cilën bëjnë pjesë gazetarët që të verbuar nga joshja e parave, njësoj si Juda Iskarioti, tradhëtojnë besimin dhe misionin e tyre. Në “listën e 30 asprave”, Alfred Lela nuk është as i pari dhe as i fundit gazetar që preferon pasurinë e lehtë përpara rrugës së mundimshme të vërtetës. Por, ndryshe nga shumica e kolegëve të tij mercenarë, Alfred Lela, është në një pozicion jo aq të preferuar, tani për tani.

Ai nuk paguhet direkt nga ministra, ish ministra, drejtorë të mëdhenj, apo ndihmësa të afërt të Edi Ramës. Ai akoma nuk e meriton shpërblimin për ta parë në sy njeriun për të cilin punon. Pranon që “30 asprat” për të sulmuar me të pavërteta opozitën, t’i marrë nga Erion Veliaj dhe nga gazetari mercenar i grupit të strukturuar kriminal të Rilindjes, Sokol Balla. Ky ka edhe një veçanti tjetër, që e spikat nga të tjerët: është mercenari më i nënshtruar i Edi Ramës, deri në përçmim”, shkruan gazeta e Bashës.

I gjithë ky reagim erdhi për shkak të qëndrimit të hapur që Alfred Lela mbajti ndaj Bashës në një reagim ndaj qarkores të nxjerrë prej kreut të PD-së, ku shpalli disa media armike. Lela shkruante se kjo strategji e Bashës është marrë borxh nga Berisha sepse Basha nuk mendon dot me kokën e vet. Më tej ai shkruante se kauzat e Bashës janë humbëse.

“Edhe një gjë tjetër: e kam lënë njëherë një punë dhe detyrë të mirëpaguar për të mbrojtur ty dhe kuazat e tua humbëse, para dy vitesh nëse të kujtohet. (Ironia është se ti tani je bërë mik me Çilin dhe më shpall mua armik). Nuk mund të vazhdojmë të humbasim për ty, ndërsa ti bën sikur ke humbur për të gjithë dhe në emër të të gjithëve, por një dorë e mban gjithmonë ngrohtë në xhepin e fitimeve.

Opozita bën gabimin më të madh nëse pajtohet me këtë linjë të lidershipit apo liderit pa ship (anije) dhe vendos të braktisë Realstory, një prej formateve kryesore të debatit politik në vend. Unë e di se synohet që të çmontohet emisioni duke hequr debatin, megjithatë një emision televiziv ka shumë mënyra për ta mbushur minutazhin. Nëse opozita dhe përfaqësuesit e saj i shpallin luftë, nuk kanë pse të presin përunjësi prej Ballës dhe RS”, shkruante Lela.

Ndërsa Sokol Balla në reagimin e tij theksoi se nuk është i zhgënjyer nga qëndrimi i Bashës për ta shpallur armik Realstoryn, pasi kjo është strategjia që ka ndjekur opozita edhe në kohën e Berishës, por ata humbën një derë të hapur në media. Gjithsesi kujton Balla “krerët e partive ikin një ditë, ne gazetarët këtu jemi”./realstory.al



Skip to toolbar