Negociatat, Italia: S’duhet të ketë kushte të reja

AKTUALITET


Ambasadori Italian, Alberto Cutillio është shprehur kundër vendosjes së kushteve të reja për Shqipërinë, ndërsa ka theksuar se negociatat me BE-në duhet të hapen urgjent, pasi Shqipëria prej kohësh i ka plotësuar kushtet. Cutillo ka folur nga Gjirokastra ku ka bërë thirrje që palët të ulen së bashku dhe të zgjidhin problemet që kanë, duke e vënë theksin tek reforma zgjedhore.

“Zgjidhja e krizës politike është një objektiv kryesor për një vend që kërkon të aderojë në BE. Ftojmë të gjitha forcat politike të ulen së bashku për të zgjidhur problemet që kanë, sidomos reformën zgjedhore.


BE i ka dhënë disa detyra Shqipërisë dhe ne mendojmë se këto detyra janë plotësuar kohë më parë dhe nuk gjejmë arsye përse duhen vendosur kushte të reja për të hapur negociatat.

Negociatat duhen hapur tani. Të hapësh negociatat nuk do të thotë të jesh anëtar i BE, por të nisësh rrugëtimin drejt saj. Përcjell urimet e mia Shqipërisë që ka punuar vërtet seriozisht në këtë rrugëtim aspak të lehtë dhe që do të kërkojmë akoma më shumë angazhim politik dhe solidaritet të të gjitha forcave politike”, ka thënë ambasadori Italian.

Gjatë të martës Bundestagu gjerman miratoi një rezolutë përmes të cilës mbështet çeljen e negociateve për Shqipërinë, por vendos 9 kushte të reja që duhen plotësuar në vijimësi. Kusht kryesor është zgjidhja e krizës në vend dhe reforma zgjedhore. Po kështu ata kërkojnë edhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë. Por këto kërkesa nuk janë kushte paraprake që Shqipëria të marrë OK për negociatat, porse duhen plotësuar në vazhdimësi./realstory.al




Skip to toolbar