Senida Mesi i përvishet Bashës: Po të ishe lider, do t’i kishe futur në burg trafikantët

AKTUALITET


Ish zëvendës kryeministrja Senida Mesi u përmend të mërkurën nga kreu i PD-së Basha i cili teksa publikoi procesverbalin e mbledhjes së këshillit bashkiak të Shkodrës dhe debatet midis socialistëve hodhi akuza se PS e Shkodrës drejtohet nga Tom Doshi dhe nga trafikantë të drogës. Përmes një postimi ka reaguar të enjten Senida Mesi e cila shkruan se Basha ka mbetur aq keq sa ka nevojën e saj për kauzën Rama IK.

Mesi gjithashtu i kujton Bashës kohem kur ishte ministër i Brendshëm, që mund ta kishte shfrytëzuar për të futur në burg të fortët dhe trafikantët që përmend.


“Mora vesh që Lulzim Basha, ka nevojë për mua për “kauzën e tij RAMA IK”, se normal edhe ato pak demokratikas që kishte i largoi dhe përmes “proçesverbalit” të mbledhjes së PS Shkodër të shkruar në zyrat e PD-së kërkon ndihmë.

Po të ishte burrë, s’do kishte patur nevojë të më citonte dhe të thoshte atë çfarë unë paskam “dëshmuar”, por do e kishte thënë vetë.

Po të ishte lider, do të kishte gjetur vetë provat dhe do të kishte dërguar gjithë të fortët dhe trafikantët pas hekurave që në kohën kur ishte Ministër i Brendshëm.

Lulzim Basha, betejat e mija në jetë i kam bërë dhe do vazhdoj t’i bëj vetë, me integritet dhe dinjitet. Po ti kur do i bësh i vetëm betejat e tuaja?

Lulzim Basha, nëse do të bësh ndryshimin, krijo besimin dhe parakushti është të thuash të vërtetën. Njerëzit mund të falin gabimet e mendjes por jo ato të shpirtit.

Nuk jam unë as shkaku e as problemi, shiko nga vetja dhe së paku të kuptosh një herë të vetme se loja jote jashtë sistemit ka vetëm një emër Dështim, ndërsa ai që sjell dështimin e ka një emër Dështak, shkruan Mesi.

Socialistët e Shkodrës zhvilluan një debat të brendshëm në lidhje me emrin e Brisela Kadia e cila u zgjodh kryetare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës pas një vendimi politik të Grupit Parlamentar të PS-së. Por disa nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të Shkodrës shprehën pakënaqësi për faktin se emri ishte paracaktuar si dhe kërkuan që Rama të kërkojë ndjesë për zgjedhjen e Valdrin Pjetrit për të kandiduar në Shkodër, për shkak se ai doli i dënuar në Itali. Ky debat i brendshëm i PS-së është shfrytëzuar nga Basha për të bërë akuza të tjera dhe për të mbajtur gjallë frymën opozitare dhe kauzën Rama ik.




Skip to toolbar