Komisioni për Metën. Manja: Jemi drejt fundit

AKTUALITET


Kreu i komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Meta, Ulsi Manja deklaroi se puna e këtij komisioni është drejt fundit dhe shumë shpejt do të ketë një vendim. Gjatë mbledhjes së të premtes anëtarët e këtij komisioni kanë miratuar si prova dy raportet e Komisionit të Venecias, raportin paraprak dhe raportin përfundimtar ku shkruhet se presidenti ka tejkaluar kompetencat në vendimin e tij për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Deputeti i opozitës Alban Zenelaj kërkoi që ky komision të mos humbë më kohë por të japë një vendim sa më parë.

“Kjo është seancë e rëndësishme, pasi po hetojmë për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, një president. Ky komision duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Është më e qenësishme integritet i këtij komisioni, sesa çdo lloj vendimi që duhet të marrë. Gjej rastin t’ju them se ka një arsye dhe qëllim që është ngritur ky komision. Jemi pak të vonuar, pasi ne kemi pasur kohë të mjaftueshme që ai qëllim që është ngritur ky komision, duhet të kishte mbaruar më herët. Rama ka dalë para Kuvendit dhe ka thënë; ‘që ai nuk e meriton atë pozicion që ka’. Ne sa më parë, administrimin e këtyre dokumenteve që na kanë ardhur, t’i shqyrtojmë që sot dhe të dalim në një vendim të prerë, se nëse e ka shkelur Presidenti Kushtetutën apo jo. S’do të bëhem pjesë e asnjë retorike apo pazari që doni të bëni me presidentin e Republikës. Ndaj, dua nga ju që një orë e më përpara të marrim në shqyrtim të gjitha informacionet e ardhura nga institucionet. Rama bashkë me drejtues politikë të PS, kanë dalë para opinionit publik dhe kanë thënë; se presidenti nuk e meriton të qëndrojë në atë zyrë”, është shprehur Zenelaj.


Më pas komisioni vendosi të diskutojë me dyer të mbyllura informacionin e klasifikuar nga SHISH për arsyet pse presidenti anuloi zgjedhjet. Më herët në seancën dëgjimore në Komision, Meta tha se kishte informacion se do të sulmohej dhe do të digjej parlamenti nëse zhvilloheshin zgjedhjet e 30 qershorit, ndaj dhe firmosi dekretin për anulimin e tyre.

Një ditë më herët kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi se do t’i kërkojë Komisionit Hetimor që të përfshirë në objektin e tij edhe shkeljet e kushtetutës nga ana e presidentit në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Balla tha se Meta shkeli kushtetutën me dekretimin e Marsida Xhaferllarit.




Skip to toolbar