SpaceX lëshon në hapësirë satelitin e ri turk 5A

Më të fundit



Kompania amerikane SpaceX ka lëshuar satelitin turk të komunikimit në orbitë.

Raketa ”Falcon 9” e kompanisë teknologjike u leshua nga “Space Launch Complex 40” në Stacionin e Forcave Ajrore Cape Canaveral në shtetin amerikan të Floridas, duke mbajtur satelitin Turksat 5A.


Sipas Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës së Turqisë, sateliti do të vendoset në orbitë në katër muaj, kurse me shërbime do të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2021. Ministria shtoi se të drejtat kombëtare të frekuencës dhe orbitës janë të garantuara për 30 vitet e ardhshme.

Misioni shënon lëshimin e parë në vitin 2021 për kompaninë SpaceX.

Duke folur para lançimit, zv/ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Ömer Fatih Sayan, e quajti Turksat 5A “një nga satelitët e gjeneratës më të re që na japin mundësinë të përmirësojmë aftësinë tonë në hapësirë”.

“Me Turksat 5A, ne së pari do të mbrojmë të drejtat tona të orbitës dhe do të sigurojmë shërbime tregtare me anë të transmetimit dhe komunikimit, veçanërisht shërbimet e internetit me Ku-band në zonat rurale”, u tha Sayan gazetarëve para qendrës së misionit të kontrollit të kompanisë SpaceX në Cape Canaveral.

Sayan tha se do të duhen rreth 140 ditë që Turksat 5A të hyjë në orbitën e saj. Pastaj sateliti do të testohet për një muaj. Ai do të kontrollohet në strukturën Turksat në kryeqytetin Ankara.