Italia rezolutë për hapjen e negociatave për Shqipërinë

Italia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE dhe këtë mbështetje e ka shprehur me hapa konkret duke miratuar një rezolutë në Parlamentin italian që kërkon çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Lajmi u bë i ditur nga vetë kryetari  i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi, i cili falënderoi homologun e tij italian Roberto Fico. Ruçi e konsideroi Italinë një fqinj të çmuar dhe partner i fuqishëm për Shqipërinë, marrëdhëniet mes të cilave sa vijnë edhe forcohen.

“Mirënjohje për Rezolutën në mbështetje të negociatave. Italia, fqinj i çmuar dhe partner i fuqishëm. Të bindur për mbështetjen e Italisë në KE në tetor”, ka thënë Ruçi.

Në tetor pritet që BE të vendos për çeljen ose jo të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në raportin e Komisionit Europian theksohet se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj, duke rekomanduar hapjen e negociatave.

Negociatat me BE, Gent Cakaj takon homologun holandez Stef Blok

Shqipëria vijon lotimin pranë vendeve anëtare, për të marrë votën “pro” të Këshillit të Europës për çeljen e negociatave. Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaja ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Holandë, vendi që është shprehur kundër vendit tonë për hapjen e negociatave me BE, por edhe më radikale në nismat e saj, për rikthimin e sistemit të vizave me Shqipërinë.

Sipas një deklarate të shpërndarë nga zyra për shtyp e MEPJ, Cakaj është pritur nga homologu i tij holandez Stef Blok. Po sipas komunikatës, mësohet se mes dy zyrtarëve të lartë, janë diskutuar marrëdhëniet bilaterale, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmbushejn e pesë prioriteteve kyçe, në kuadër të hapjes së negociatave me BE.

Ministri në detyrë Cakaj dhe homologu i tij holandez nënvizuan arritjet e reformave të Shqipërisë veçanërisht në fushën e drejtësisë. Progresi i Shqipërisë është i padiskutueshëm edhe sipas vlerësimeve të palës holandeze. Po ashtu, në mënyrë që të adresohen shqetësimet e ndërsjella, përfshirë shqetësimet në fushën e migracionit të parregullt, u vlerësua jashtëzakonisht bashkëpunimi bilateral midis mekanizmave të rendit dhe sigurisë, si dhe u dakordua për bashkëpunim të mëtejshëm strategjik në të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Gjithashtu, sipas MEPJ, Cakaj mësohet të ketë theksuar nevojën e një vendimi pozitiv të Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, që do të ishte një mesazh pozitiv për Shqipërinë.

Ministri Cakaj theksoi nevojën për një vendim pozitiv të Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, i cili do të ishte një mesazh inkurajues për Shqipërinë, rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën Evropiane të tij. Për më shumë, një proces i tillë do të kontribuonte në thellimin e momentumit të reformave të nisura nga Shqipëria në përgjithësi”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Zaev: Nëse nuk hapen negociatat, rrezikon të bjerë qeveria

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë një takimi me gazetarët në Bruksel, ka bërë një deklaratë të fortë në lidhej me të ardhmen e qeverisë dhe stabilitetit në vend. “Nëse vendi nuk merr një datë për fillim të negociatave, ekziston rreziku të bie Qeveria” ka thënë Zaev ndërsa mendon se shtyrja e datës për hapjen e negociatave mund të rris rrezikun e forcimit të forcave nacionaliste dhe humbjen e shumicës në Kuvend.

“Nëse vendosin të mos na japin datë, do të ketë mundësi të bie Qeveria. Kjo qeveri stabile me të gjitha këto vendime pozitive, ka gjasa menjëherë ta humbë shumicën në Kuvend. Kjo për shkak se deputetëve u premtuam se sigurisht do të marrin vendim pozitiv nga BE-ja nëse ecim përpara. Ajo do të thotë se qytetarët do të inkurajohen të mbështesin nacionalizimin, radikalizmin dhe ajo nuk është në të mirë as të vendit tonë e as rajonit. Ato janë opsionet dhe ne frikësohemi nga ai variant.”- tha Zaev

Ashtu si për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa pritet që vendimi përfundimtar të merret nga Këshilli i Europës.

Ministri gjerman Roth: Në qershor të hapen negociatat për Shqipërinë

Kur është fjala për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Michael Roth thekson se BE duhet të marrë një vendim në qershor për fillimin e bisedimeve të pranimit të këtyre dy vendeve. “Ne qëndrojmë në fjalën dhe duhet të mbajmë angazhimet tona,” tha Ministri i Shtetit në Zyrën e Jashtme për “Der Tagesspiegel”. Politikani i SPD-së, Roth rikujtoi se një vit më parë “BE kishte vendosur një afat të qartë kohor duke deklaruar se hapja e negociatave të pranimit për dy vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishte në qershor 2019.”

Duke pasur parasysh zhvillimet politike dhe zgjedhjet e ardhshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qershori ishte “koha më e mirë për të vendosur mbi fillimin e negociatave të pranimit”, tha Roth. “Një votim pozitiv në kohën e duhur për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore kërkon pak guxim, por edhe më shumë vizion. BE nuk është vetëm për interesat jetikë të sigurisë, por edhe për kredibilitetin e saj” – tha Roth.

Komisioni Europian rekomandoi që krerët e BE të nisin negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ku të dy vendet u vlerësuan për zbatimin e “reformave mbresëlënëse në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit”.

KE dritë jeshile për Shqipërinë, Merkel ende në mëdyshje

Edhe pse KE rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket se Merkel kërkon të bëjë një vlerësim të hollësishëm të këtij raporti dhe më pas të jap një vendim zyrtar mbi hapjen apo jo të negociatave.

Raporti i komisionit të BE-së rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por ky rekomandim duhet të shqyrtohet tani në 28 shtetet anëtare. Njëri prej të cilëve është Gjermania.

Qeveria gjermane ende nuk ka krijuar një opinion unik për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa ministri socialdemokrat i Evropës, Michael Roth, rekomandon qartazi çejen e negociatave, kabineti i kancelares Angela Merkel pret progres-raportet që ta shqyrtojë me hollësi vendimin e komisionit.

E pyetur në konferencën e rregullt për shtyp nga Dë për këtë çështje zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane Martina Fietz tha, se “do ta analizojmë me kujdes dhe pastaj do të shohim se cilat janë konkluzionet operative që do të ndërmarrim”.

Por sikurse i ka deklaruar agjencisë gjermane të lajmeve DPA, kryetari i komisionit të Bundestagut për Europën, deputeti kristiandemokrat Gunther Krichbaum, nga ana e unionit konservator “mund të jetë tetor kur të merret një vendim”. Sipas tij “sigurisht që s’pritet gjë” me një votë pozitive të 28 vendeve anëtare në mes të qershorit.

Në prag të publikimit të progres-raporteve të Komisionit të BE-së për gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor, ministri gjerman i shtetit, Michael Roth, i është drejtuar opinionit të sotëm gjerman me një koment të botuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Michael Roth, i cili është edhe vetë deputet socialdemokrat, por edhe përgjegjës për politikën gjermane në Bashkimin Evropian, ka përsëritur kërkesën për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në pjesën për Shqipërinë, ministri shtetit thotë se “në vështrim të parë situata mund të duket më e komplikuar. Por arsyeja është sepse opozita ia del vazhdimisht që të prodhojë tablo dramatike – në vend që të garojë me qeverinë me ide konstruktive në parlament, të cilin për momentin e bojkoton.” Roth tërheq vëmendjen se : “Kjo politikë e papërgjegjshme penguese nuk duhet të fshehë atë që ka arritur vendi.” Duke përmendur këtu reformën e drejtësisë, bashkëpunimin e suksesshëm të organeve shqiptare të sigurisë, me partnerët gjermanë, austriakë dhe Italinë si edhe rishtazi me agjencinë kufitare të BE-së, Frontex./ Deutsche Welle

Gjonaj: Reforma historike në drejtësi, vlerësim në raportin e KE

“Rezultatet e arritura në reformat e vështira që kemi ndërmarrë, të njohura tashmë nga Komisioni Evropian, janë një dëshmi e qartë se jemi në rrugën e duhur të konsolidimit të shtetit ligjor.” Kështu e ka përshëndetur Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj rekomandimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Gjonaj tha se qëndrueshmëria e zbatimit të reformës në drejtësi është vlerësuar nga Komisioni Evropian dhe ngritja e institucioneve të tjera të drejtësisë do ju japi qytetarëve drejtësinë e pavarur dhe larg korrupsionit.

“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Evropian për çeljen e negociatave me Shqipërinë është lajmi më i mirë për shqiptarët. Rezultatet e arritura në reformat e vështira që kemi ndërmarrë, të njohura tashmë nga Komisioni Evropian, janë një dëshmi e qartë se jemi në rrugën e duhur të konsolidimit të shtetit ligjor. Rezultatet pozitive të procesit reformues në drejtësi, si një reformë unikale dhe historike, ka dëshmuar se jemi të vendosur për t’i dhënë qytetarëve shqiptarë një drejtësi të pavarur, të pakorruptuar, të drejtë dhe efektive. Qëndrueshmëria e zbatimit të reformës në drejtësi është vlerësuar nga Komisioni Evropian, dhe me ngritjen e institucioneve të tjera të drejtësisë, do të kemi një sistem drejtësie të bazuar tek profesionalizmi, që lufton korrupsionin dhe në të cilin qytetarët do te kenë besim se do të marrin drejtësi.

Lufta kundër korrupsionit është një sfidë e cila na ka udhëhequr dhe do vazhdojë te na udhëheqë në të gjithë veprimtarinë tonë shtet-bërës dhe është një nga objektivat prioritare të kësaj Qeverie.
Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht masat që ne kemi ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit, duke njohur avancimin në zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale në Luftën Kundër Korrupsionit dhe Planin e Veprimit 2018-2020, ndryshimet në kuadrin ligjor, si edhe rezultatet konkrete pozitive dhe proaktivitetin e Task Forcës kundër Korrupsionit dhe fillesat e procedimit të zyrtarëve të lartë.
Qeveria, shumica qeverisëse është e angazhuar plotësisht ne vijimin e të gjitha proceseve reformuese qe ka ndërmarrë, në interes të shqiptarëve, në rrugëtimin e integrimit evropian të Shqipërisë.” – shkruan Gjonaj në Facebook

Rekomandimi për hapjen e negociatave me BE, Rama: Tregon që kemi përmbushur detyrat

Këshilli i Europës ka publikuar Progres-Raportin për vendet që aspirojnë të integrohen në Bashkimin Europian, duke rekomanduar hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Menjëherë pas publikimit të këtij Progres-Raporti, ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili ka shkuar një status në Twitter, duke u shprehur se ky vendim tregon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtpisë në këtë proces.

“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces. Në 15.00 komunikim i përbashkët publik me ambasadorin e BE”, shkruan Rama në Twitter.

Hajdari: Mirënjohje protestuesve, por vazhdojmë përpjekjen për hapjen e negociatave

Rudina Hajdari ka reaguar ditën e sotme, duke shprehur mirënjohjen për protestuesit e opozitës gjatë ditës së djeshme, të cilët shmangën dhunën.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të deputetëve të rinj, që morën mandatet e dorëzuara nga opozita, ka shkruar një status në Facebook, ku pasi përshëndet protestën paqësore, shprehet se përpjekjet për hapjen e negociatave vazhdojnë.

“U jam mirënjohëse të gjithë atyre që morën pjesë në protestën e mbrëmshme dhe mbajtën një protestë paqësore”.

“Ndërsa vazhdon përpjekja për hapjen e negociatave në javët e ardhshme, kjo betejë është në emër të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake”, shkruan Hajdari.

“Optimist për negociatat, opozita sinjal negativ në Bruksel”

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Dimitris Papadimoulis e sheh me optimizëm hapjen e negociatave për Shqipërinë, por shton se largimi i opozitës nga parlamenti dhe mospjesëmarrja në zgjedhje janë një sinjal negativ në Bruksel.

Papadimoulis theksoi se palët duhet të punojnë për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe me reformat e tjera deri në marrjen e një vendimi në qershor tha ai për Tv Klan.

Dimitris Papadimoulis, zv.president i PE: Qeveria Tsipras dhe unë personalisht, si zv/president i Parlamentit Europian, jemi pozitivë sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Por është e rëndësishme që gjatë kohës që ka mbetur (deri në fund të qershorit), të bëhen hapa për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, për trajtimin e problemeve të minoritetit grek (të drejtat e pronës, etj.), dhe gjithashtu të avancojë disa reforma që përfshihen në kartën e Kopenhagës. Gjithsesi, fqinjët tanë shqiptarë mund të jenë të sigurt se Greqia, me qeverinë Tsipras është një mike dhe mbështetëse e anëtarësimit të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në BE.

Gazetari: Ndërkaq, në Shqipëri opozita ka djegur mandatet parlamentare, refuzon pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, dhe në anën tjetër kryeministri Rama insiston që zgjedhjet të zhvillohen. Gjithë këto, a mund të influencojnë në vendimin e Brukselit?

Dimitris Papadimoulis, zv.president i PE: Druaj se po. Dhe përgjithësisht, refuzimi i partive të opozitës për të marrë pjesë në procesin parlamentar dhe demokratik, nuk është një shenjë e mirë, nuk interpretohet si gjë e mirë nga Brukseli. Do të thoja që vetë forcat politike në Shqipëri të gjejnë një mënyrë që ta shtensionojnë këtë krizë dhe mënyra më e mirë është pjesëmarrja në proceset demokratike.

Franca i pret shpresat Shqipërisë, “JO” në BE

Partia aleate e Macron, “La République En Marche” e Nathalie Loiseau gjatë një interviste siguron se do të votojë kundër hapjes së negociatave për hyrjen në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Unë isha ajo që bllokoi zgjerimin e Bashkimit Europian në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.” tha Loiseau, e cila shtoi pyetjen e saj “A duhet të hyjë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në Bashkimin Evropian?” Loiseau shtoi se dhe kreu i partisë “Les Républicains”, François-Xavier Bellamy është gjithashtu kundër.

“Ai që ka qenë për zgjerim, për vite me radhë është Laurent Wauquiez. Ai ka ndryshuar mendim dhe beson se njerëzit nuk kanë kujtesë”. Loiseau shton gjithashtu: “Unë shkova në Maqedoninë e Veriut për të thënë jo, sepse nuk jeni gati, sepse ne nuk jemi gati. Nuk do të ketë negocime në qershor. Ne do të jemi kundër, do të vazhdojmë të jemi kundër. Ata janë gjeografikisht në Europë, ne duhet t’i ndihmojmë ata, por jemi kundër zgjerimit të BE.”

Skip to toolbar