Haga: Kreu i OVL të UÇK-së u arrestua për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje…

Hysni Gucati u arrestua të premten në Kosovë për veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, njoftuan Dhomat e Specializuara për Krimet e Luftës në Kosovë përmes një deklarate për media.

Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, gjatë një bastisjeje që kjo e fundit u bëri zyrave të OVL-së.

“Pas arrestimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 25 shtator, 2020, Hysni Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë”, thotë njoftimi dhe shton se koha e paraqitjes së Gucatit para gjykatësit të procedurës paraprake do të bëhet e ditur më vonë.

Më herët, Zyra e Prokurorit të Specializuar konfirmoi arrestimin e tij në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim.

Të premten në Kosovë, Zyra e Prokurorit të Specializuar arrestoi edhe nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinajn.

Tri herë këtë muaj, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar – në mënyrë anonime – dosje që lidhen me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë, këtë javë, se disa aktivitete në të cilat është e përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata Speciale ka selinë në Hagë dhe financohet nga Bashkimi Evropian.

Më 24 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka arrestuar edhe Salih Mustafën – njërin prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

Arrestimet e EULEX, nënkryetari i ovl-uçk-së: Është duke u poshtëruar shteti dhe pushteti i Kosovës

Nasim Haradinaj ka reaguar pas aksionit të sotëm në zyrat e organizatës nga EULEX.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj ka reaguar pas aksionit të sotëm në zyrat e organizatës nga EULEX.

Ai nuk gjendet në objekt por është njoftuar në lidhje me bastisjen e sotme.

“Aktualisht jam jashtë zyrave, më vjen shumë keq që nuk jam aty. Ne të gjithë sot kemi një mision dhe një detyrë. Jo, nuk jemi paralajmëruar për këtë bastisje, vetëm nga mediat, në telefon nuk përgjigjet askush përveç sekretarit Klinaku i cili më tha se nuk më lejojnë të ngjitem lartë”, deklaroi Haradinaj për TV Dukagjinin.

“Unë e telefonova avokatin Tomë Gashi i cili më konfirmoi se ka hyrë brenda dhe pastaj procedurat e tyre që janë. Bëhet fjalë për një poshtërim të shtetit dhe pushtetit tanë, bëhet fjalë për një urdhër të një prokurori dhe fjalë të Vehbi Kajtazit, të cilin e përgëzoj për suksesin e tij me EULEX-in”, shtoi ai.

“Nuk kam ndonjë konfirmim në lidhje me arrestime ose diçka të tillë, për ato detaje i flet avokati. Ajo që na dobëson si shtet është se në Kosovë kush të dojë sorollatet dhe bën çfarë të dojë. Ne nuk kemi as Kushtetutë, as Parlament, asgjë, por jemi kukulla”, u shpreh Haradinaj. 

Raporti i 24 orëve në Kosovë, 1 i vdekur e 46 raste të reja me COVID-19

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë në Kosovë me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 664 mostra të marra nga SHSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 46 raste pozitive. Brenda 24 orëve është raportuar një rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.

Numri total i rasteve pozitive është 15.379 raste nga 64.894 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 617 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 101 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 13.088 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.674.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 15 raste, komuna Fushë Kosovë 5 raste, komuna Gjakovë 5 raste, komuna Mitrovicë 5 raste, komuna Podujevë 4 raste, komuna Prizren 3 raste, komuna Gjilan 2 raste, komuna Pejë 2 raste, komuna Vushtrri 2 raste dhe me nga një rast komunat Drenas, Ferizaj dhe Malishevë.

EULEX bastis zyrat e veteranëve të UÇK-së në Kosovë, raportohet për arrestime

Një ditë pas arrestimit dhe të konfirmimit të aktakuzës për Sali Mustafën, zyrtarët e EULEX-it kanë zbarkuar sot në zyrat e veteranëve të UÇK-së.

Sipas informacioneve të raportuara në media, aty po zhvillohet një aksion, ku pritet të ketë edhe arrestime.

Gazeta Express sot ka raportuar se arrestimi i djeshëm i Salih Mustafës në ditët në vijim mund të shoqërohet edhe me arrestime të tjera.

Ajo që shihet 3edhe nga fotot është se policët e EULEX-it po bastisin zyrat e veteranëve të UÇK-së, ndërsa ende nuk ka detaje të tjera se çfarë po ndodh saktësisht.

Dialogu Kosovë-Serbi/ Hoti mesazh të qartë ambasadorëve të BE: Presim të përmbyllet me njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka bërë të qartë ambasasdorëve të BE gjatë një konference virtuale online se po pret që procesi i dialogut me Serbinë pret të përmbyllet me një marrëveshje që çon në njohje reciproke.

Një përpjekje të tillë e bëri SHBA në Uashington më 3 qershor, por u tërhoq pas rezistencës së Vuçiç dhe u hoq nga dokumenti i marrëveshjes së 4 qershorit.

Më tej Vuçiç ditën e djeshme theksoi se e sheh ende të largët një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë. Por Hoti duket se mbetet i palëkundur në synimin e tij dhe të qeverisë, ndërkohë që BE deri më tani nuk ka bërë përpjekje konkrete për këtë kërkesë nga pala e Kosovës.

STATUSI NGA AVDULLAH HOTI
Falënderues ndaj vendeve të BE-së që ndihmuan në përballimin e pandemisë.

Sot zhvillova një bisedë virtuale me ambasadorët e BE-së, me të cilët biseduam për situatën e përgjithshme në vend, me theks në luftën e përbashkët kundër #COVID19. Me këtë rast, kam falënderuar ambasadorët e vendeve mike për ndihmën dhënë Kosovës në përballimin e situatës me pandeminë COVID-19. Ndihma e vendeve partnere dhe institucioneve ndërkombëtare ka dhënë efekte pozitive dhe presim që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ambasadorët i kam njoftuar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Qeveria pret që ky proces të përmbyllet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, që përfundon me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

Në anën tjetër, liberalizimi i vizave mbetet ndër qështjet kyçe që duhen zgjidhur me BE-në, veprim ky që do të hapte një mundësi reale për qytetarët dhe bizneset e Kosovës dhe do të krijonte mundësi të reja të zhvillimit ekonomik të vendit.

Policia e Kosovës aksion në zonën kufitare kundër kazinove dhe krimit të organizuar

Njësia Speciale e Kosovës ka zhvilluar aksion të madh në zonën kufitare të Karaçevës, këtë të premte.

Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, lidhur me personat e arrestuar, por sipas pamjeve të publikuara shihen dhjetëra persona të kapur nga policia që dyshohet se janë pjesë e veprimtarive të jashtëligjshme në Karaçevë.

Ky aksion erdhi pas raportimit në Kuvend të fundit të ministrit të Brendshëm, Agim Veliu. Veliu tha se do të ketë ndërhyrje të policisë për veprimtaritë ilegale atje.

Në këtë pjesë, në të kaluarën është raportuar për një sërë aktivitetesh të jashtëligjshme, trafikim me qenie njerëzore, prostitucion, kontrabandë, organizim i lojërave të fatit dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Do vrisnin Thaçin e Veselin, dënohet grupi “Syri i Popullit”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë të akuzuarit në rastin e njohuri si “Syri i Popullit”. Të akuzuarit janë shpallur fajtorë për përgatitje të veprave terroriste. Sipas Gjykatës të akuzuarit planifikimin vrasjen e shumë zyrtarëve të lartë në Kosovë, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

Sadri Ramabaja, është dënuar me 5 vite burgim, Avni Llumnica, me dënim unik prej 12 vjetësh burgim, Ragip Sallova me 4 vjet burgim, Behxhet Luzha me 2 vjet burgim, Halim Halimi me 3 vjet burgim, Bajrush Konjusha me 3 vjet burgim ndërsa i akuzuari tjetër, Rexhep Topllana me 2 vjet burgim. Të dënuarve gjykata ua ka njohur kohën sa kanë qëndruar në paraburgim. Ndërsa, për Murat Jasharin i cili kreu tentim-vrasje ndaj avokatit Azem Vllasi, Gjykata vendosi që ta dërgojë atë në 10 vjet ndalesë në institucione shëndetësore për shkak të gjendjes së tij psikike.

Çfarë është “Syri i Popullit”?

Emri i organizatës “Syri i Popullit” u bë i njohur më 12 mars të vitit 2017, kur në orët e hershme të atij mëngjesi, Murat Jashari një aktivist politik i viteve të 90-ta, trokiti në derën e banesës së avokatit Azem Vllasi në Prishtinë, për ta vrarë atë. Pak sekonda pasi Vallasi hapi derën, Murat Jashari shkrepi armë zjarri duke tentuar që ta vriste Vllasin.

Pas pak kohësh nisën arrestimet e para ku pos Murat Jasharit që kreu tentim-vrasjen u arrestua edhe Avi Llumnica. Këta dy persona u arrestuan nën akuzat se ishin pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, e cila mori përgjegjësinë për tentim-vrasjen e Azem Vllasit. Hetuesia zgjeroi hetimet duke arrestuar edhe persona të tjerë si Bajrush Konjusha, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Arrestimi më i bujshëm sa i takon pjesëtarëve të kësaj organizate ishte ai i pjesëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, arrestimi i të cilit ndodhi më 7 tetor të vitit 2017. Ramabja u arrestua në portin e Durrësit në Shqipëri derisa tentonte që të largohej nga ky vend me pasaportë dhe leje-qëndrimi të falsifikuar franceze, kishin njoftuar autoritetet e Shqipërisë.

Gjatë seancave gjyqësore në këtë proces, Ramabaja ishte i zëshëm në kundërshtimin e akuzave me të cilat ai ngarkohej duke thënë se rasti ishte i montuar politikisht me qëllim të eliminimit të tij nga skena publike. Kush është Azem Vllasi, viktima e parë e organizatës “Syri i Popullit”?

Azem Vllasi ishte ndër politikanët më me ndikim në vitet e 80-ta në Kosovë. Vllasi ishte funksionar i lartë në kohën e ish-Jugosllavisë, derisa drejtoi atë që njihej si Krahina Autonome e Kosovës. Ai u shkarkua nga kjo pozitë në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, kur u hoq autonomia e Kosovës.

Në vitin 1989 Vllasi u arrestua duke u shndërruar në person të burgosur politik. Një vit më vonë Vllasi u lirua nga burgu. Pas përfundimit të luftës së viteve “98-99”, Vllasi sërish mbajti disa pozita në kuadër të institucioneve të Kosovës. Fillimisht ishte këshilltar i ish-kryeministrit Bajram Kosumi, ndërsa më vonë në kuadër të Qeverisë së Kosovës, u emërua këshilltar për bisedimet me Serbinë.

Viteve të fundit Vllasi punon si avokat, ndërkohë që në opinion njihet edhe si analist politik. Prokuroria akuzoi “Syrin e Popullit” se planifikonte vrasjen e figurave politike Në një dokument prej më shumë se 70 faqesh, Prokuroria Speciale e Kosovës akuzonte organizatën “Syri i Popullit” se planifikonte veprimtari terroriste në Kosovë. Sipas aktakuzës, pjesëtarët e kësaj organizate po planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të shtetit të Kosovës.

Prokuroria pretendonte se pjesëtarët e organizatës “Syri i Popullit”, synonin që të arrinin qëllimet e tyre përmes sulmeve dhe me vrasjes së personaliteteve më të larta shtetërore duke u nisur nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës që kishin qenë aktiv nga viti 1980 deri më 1991, duke i konsideruar ata si tradhtarë të vendit.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, “Syri i Popullit”, po ashtu planifikonte vrasjen e disa prej funksionarëve që kishin mbajtur dhe mbanin pozita udhëheqëse nga viti 1999 deri në vitin 2016. Në aktakuzë thuhet se në listë për t’u vrarë nga kjo organizatë ishin edhe shumë emra të tjerë, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti si dhe shumë të tjerë që nga kjo organizatë konsideroheshin tradhtarë që duhej eliminuar.

Prokuroria Speciale: “Syri i Popullit” kishte strukturë dhe planifikim

Aktakuza e Prokurorisë Speciale, shpjegonte se organizata “Syri i Popullit” kishte logon, vulat dhe betimet, të cilat kryheshin para flamurit kombëtar dhe fotografisë së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Adem Jasharit.

Prokuroria pretendonte se organizata kishte dy grupe të njohura si “Grupi Gueril” dhe “Grupi i Dajakut”. Ndërsa sa i takon financimit, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, veprimtarët e kësaj organizate do të kishin rroga mujore, derisa financimi do të bëhej nga afaristët vendorë si dhe nga mërgata në kohën sa do të krijoheshin rrethanat.

Thaçi e Veseli: Kurti e Konjufca janë pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”

Në procesin gjyqësor për rastin “Syri i Popullit dëshmuan edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi si dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Gjatë dëshmisë para gjykatës, që të dy, si Thaçi ashtu edhe Veseli, i kishin përmendur dy drejtuesit e Vetëvendosjes, Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, se qëndrojnë prapa organizatës “Syri i Popullit”.

Si reagim ndaj deklaratës së Thaçit e Veselit, drejtuesi i Vetëvendosjes Albin Kurti si dhe Glauk Konjucfa dorëzuan kallëzim penal për lajmërim apo kallëzim të rremë. Kurti dhe Konjufca pretendojnë se Thaçi e Veseli, nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018, në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës organizata “Syri i Popullit”, kanë deklaruar se dy anëtarët e Vetëvendosjes, Kurti dhe Konjucfa janë pjesë e kësaj organizate. /REL/

Kosovë, lirohen të akuzuarit në rastin “pronto”

Gjykata Themelore në Prishtinë liroi të premten 11 personat e akuzuar për përfshirje në një skandal përgjimesh telefonike, që u bë i njohur si rasti “pronto”, për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë komunikimeve.

Pjesë e këtij rasti ishin ish ministra dhe ish deputetë, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës të cilët sipas prokurorisë, ngarkoheshin për kryerjen e veprës penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

“Trupi gjykues shpall këtë aktgjykim ndaj të pandehurve Adem Grabovci, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Besim Beqaj, Njazi Kryeziu, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ismet Neziri, Xhavit Dakaj, Rexhë Abazi. Në emër të popullit në kuptim të dispozitave të nenit 364 të paragrafit 1 dhe nënparagrafi 1 pika 3 lirohen nga akuzat për veprat penale për të cilat janë akuzuar sipas aktakuzës së prokurorisë speciale të republikës së Kosovës sepse nuk është provuar që të akuzuarit kanë kryer vepër penale për të cilën akuzohen”, tha gjyqtari Shasivar Hoti, duke lexuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Avokati i ish ministrit Besim Beqaj, Besnik Berisha, tha se gjykimi që filloi si rezultat i një trysnie publike pati një përfundim të merituar.

“Nocioni “Pronto” nuk ka qenë i përdorur nga një nga këta që ishin pjesë e gjykimit, njëkohësisht diskutimet tjera që ishin lidhur me eprorët e asaj kohe qoftë të Kuvendit qoftë të qeverisë, prokuroria nuk ka pas guxim që as si dëshmitar t’i ftoj, se leje mo me provu që t’i akuzoj dhe vet ky fakt e dëshmon që kjo prokurori mund të quhet këtu e dështuar për shumë sikurse raste tjera e kapur ose e ngulfatur, si të doni”, tha avokati Berisha.

Ndaj vendimit të gjykatës reagoi deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e cila tha se aktgjykimi lirues për të akuzuarit e aferës “Pronto” është goditje e rëndë për shtetin e së drejtës. “Aktgjykimi i sotëm është vula e shtetit të kapur. Është aktgjykim që thërret për angazhim deri në ç’kapjen e shtetit andaj nuk ka kohë për të humbur sepse është nevojë urgjente krijimi i qeverisë së re”, shkroi ajo.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj kritikoi prokurorinë e Shtetit për siç tha nisjen e këtij procesi me qëllim për të dështuar.

Ngritja e aktakuzës në prill të vitit 2018, pasoi një periudhë të gjatë hetimesh që zunë fill me hapjen e tyre më 26 gusht të vitit 2016 ndaj ish deputetit të Partisë Demokratike, Adem Grabovci.

Hetimet kundër tij atëbotë pasuan publikimin e përgjimeve të bisedave në gazetën në internet “Insajderi”, ku shfaqet ndikimi i ushtruar nga ai dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Përgjimet janë kryer gjatë muajve të fundvitit 2011 dhe në fillim të vitit 2012 në kuadër të hetimeve që kryheshin atëbotë në ish Ministrinë e Transportit, ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci./VOA/

Osmani: Dështimi i marrëveshjes do të ishte “gabim historik”

Vjosa Osmani, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cilëson gabim historik mosarritjen e një marrëveshje për krijimin e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Në një deklaratë për mediat në Kosovë, Osmani është shprehur se të hënën do të diskutohet në kryesinë e LDK për të parë qëndrimin rreth situatës së krijuar me krijimin e qeverisë.

 “Pas zhvillimeve të 26 dhjetorit ka qenë nevoja që organet e LDK-së të mblidhen edhe një herë. Këto takime kanë qenë të parapara për të premten por janë shtyrë për të hënën për shkak të arsyeve teknike dhe një numër i deputetëve nuk janë në Kosovë. Të hënën do të diskutojmë këto rrethana të reja për të parë se cili është qëndrimi i kryesisë dhe deputetëve të cilët kanë marrë legjitimitetin qytetar. Pasi t’i dëgjojmë qëndrimet e tyre do të shohim se si do të procedohet më tutje”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ajo shton se nëse marrëveshja dështon do të ishte një gabim historik për Kosovën. “Nuk mund të flas se cili do të jetë qëndrimi i ri. Por mendoj se do të ishte gabim historik për vendin nëse nuk do të ketë marrëveshje me Vetëvendosjen. Si bartëse e listës e LDK-së dhe përfaqësuese e votuesve, e kam për detyrë që ta dërgoj vullnetin qytetar deri në fund. Do të insistoj deri në fund”, shtoi Osmani.

Gjatë ditëve të fundvitit, përfaqësuesve të dy partive në Kosovë është shprehur Osmani. Sipas saj takimet e reja do të vijojnë pas të hënës, kur të përcaktohet qëndrimin i LDK. “Nuk janë takuar, pas takimit të të hënës pasi t’i përcaktojmë qëndrimet tona atëherë do të ketë takime të reja dhe të shohim se si do të procedohet. Nuk dua të paragjykoj e rëndësishme është që marrëveshja të arrihet dhe nuk kam mirëkuptim ndaj kujtdo qoftë që krijon pengesa ndaj vullnetit qytetar. Të krijohet besimi dhe të krijojmë një atmosferë më të mirë të komunikimit dhe bashkëpunimit që t’i hapet rrugë marrëveshjes”, tha Vjosa Osmani.

Kosovë, banorët zgjohen dhe gjejnë makinat në gropë

Banorët e Prishtinës kanë pasur një zgjim jo si gjithë të tjetër mëngjesin e të dielës. Shkak është bërë një zonë në ndërtim në të cilën është hapur një gropë e madhe për të hedhur themelet e objektit. Megjithatë për shkak të rrëshqitjeve të dherave, makinat e parkuara anës rrugës kanë përfunduar në këtë gropë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Bedri Gjini” në Prishtinë, ndërsa qytetarët shprehen të shqetësuar pasi madhësia e gropës që shkon deri në 7 metra e gjatë dhe më shumë se një metër e gjerë. Gjithashtu probleme janë shfaqur edhe me rrjetin e ujësjellësit, ku ka pasur dëmtim të tij.

Skip to toolbar