Biba: PD i bëri presion KQZ. Por duhet vlerësuar për Kajmakun

Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba foli në News 24, pak ditë pas vendimit për shkarkimin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Për numrin dy të KQZ, letra e sekretarit të PD drejtuar institucionit të adminsitrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, ishte formë presioni. Megjithatë, Denar Biba vlerëson faktin që Partia Demokrati arriti të zbardhte të shkuarën e Kajmakut.  “Letra e Gazmend Bardhit drejtuar KQZ ishte pa asnjë dyshim një formë presioni. Është për t’u përgëzuar PD, sepse ishte iniciatore, si duket pati informacionet, dhe shkoi përtej mundësisë së KQZ, madje edhe Prokurorisë, për Kajmakun e të tjerët. KQZ ka qenë korrekte kur iu ka kërkuar institucioneve shqiptare, jo të huaja, të dhëna për kandidatët. KQZ nuk ka asnjë lloj mundësie që të ketë kontakte apo informacion se çfarë kanë bërë shqiptarët jashtë shtetit. PD duhet përgëzuar, por letra ishte një lloj presioni”, u shpreh Biba.

Zëvendëskryetari i KQZ tregoi se mes anëtarëve të këtij institucioni pati rezerva për shkarkimin e Kajmakut. Megjithatë, zhvillimi i mbledhjeve me dyer të hapura për mediat kur gjykohet në bazë të ligjit të Dekriminalizimit, për Denar Bibën cënon liritë e individëve, pasi ekspozohet jeta e këtyre personave.  “Kishte rezerva, tendencë për të manipuluar jo. Për fat të mirë dhe të keq, të gjitha vendimet e KQZ janë live. Jo vetëm procesi i vendimmarrjes, por edhe i arsyetimit që bëjnë anëtarët. Kjo është e mirë për publikun, por jo i rehatshëm për ne anëtarët, që duhet të bëjmë çdo mendim publik. Kam thënë se prezenca e medias gjatë gjithë gjykimit nuk është korrekte, pasi mediat në gjykata nuk lejohen gjatë gjithë kohës. Në rastet kur ne gjykojmë në bazë të ligjit të Dekriminalizimit preken thelbësisht liritë e individëve, ekspozohet jeta e tyre personave, në rast konkret e Agim Kajmakut”.

Denar Biba sqaron më tej se ligji i Dekriminalizimit është në përplasje me një vendim të Kuvendit, në lidhje me kandidimin ose jo të personave që kanë kryer vepra penale. “Legjislacioni që rregullon për Dekriminalizimin përbëhet nga norma kushtetuese, ligji i Dekriminalizimit, vendimi i Kuvendit dhe formulari përkatës që mbushin të gjithë subjektet. Ndërkohë që ligji parashikon vepra përkatëse dhe thotë “ndalohet të kandidojnë apo të zgjidhen individë që kanë kryer 1, 2.. deri 70 vepra penale”, jep edhe ndalesën tjetër për kohëzgjatje dënimi, ku shumica janë përkohësisht, shumë pak janë ata që ndalohen për të gjithë jetën, nuk parashikon rastin e deklarimit ose të mos tregimit të së vërtetës në formular si vepër penale dhe si rast për shkarkim. Në këtë pikë, vendimi i Kuvendit ka tejkaluar ligjin dhe ka përcaktuar një rast të ri shkarkimi. Kjo është qartësisht në kundërshtim me ligjin. KQZ nuk mund të bënte asgjë, ne jemi operatorë së të drejtës. Dekreti i Presidentit ishte një akt individual. Ne nuk kemi thënë që dekreti është anti-kushtetues, por është në kundërshtim me ligjin”, u shpreh Denar Biba.

KQZ shkarkon Kajmakun

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi heqjen e mandatit të Agim Kajmakut si kryetar Bashkie i Vorës, me 5 vota pro. Shkarkimi i Kajmakut u bë pas gënjimit që ai bëri në plotësimin e formularit të dekriminalizimit,  ku fshehu një arrestim në Greqi nën identitetin Jorgo Toto. Kajmaku ka 45 ditë kohë për të ankimuar vendimin unanim të KQZ-së.

Prokuroria e Përgjithshme faktoi përmes letërporosisë së mbërritur nga Athina se Jorgo Toto dhe Agim Kajmaku ishin i njëjti person dhe për këtë i kërkoi KQZ-së t’i hiqte mandatin.  Sipas këtij dokumenti, Agim Kajmaku edhe me identitetin Jorgo Toto ka qenë i ndjekur penalisht në Greqi për akuzën e vënies në qarkullim të parave të falsifikuara.

Kjo kërkesë që është bërë edhe nga Partia Demokratike, e cila bëri denoncimin se Kajmaku ka qenë i dënuar më parë dhe se këtë nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit kur kandidoi për kryetar bashkie Vorë.

Në lidhje me rastin është pyetur edhe kryeministri Rama jashtë selisë së PS-së, i cili tha vetëm se “Institucionet janë institucione” pa komente të tjera.

KQZ, debate për Kajmakun. Avokati: S’mund të vendosim mbi opinione

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur diskutimet për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, i cili akuzohet nga PD se ka fshehur arrestimin në Greqi duke shkelur ligjin për dekriminalizimin dhe si pasojë duhet të shkarkohet nga detyra.

Prokuroria e Përgjithshme ka vërtetuar ndërkohë që Agim Kajmaku në Greqi ka përdorur emrin Jorgo Toto i cili rezulton i arrestuar në shtetin fqinj. Kjo shkresë e Prokurorisë së Përgjithshme u është shpërndarë të 5 anëtarëve të KQZ-së për të shqyrtuar aktet.

Në mbledhjen e KQZ-së avokati i Agim Kajmakut, Isuf Shehu tha se verifikimet e prokurorisë janë të paplota dhe se shkresat nga Greqia nuk kanë ardhur ende. Për këtë arsye, tha avokati, KQZ nuk mund të vendosë mbi bazën e disa opinioneve.

“Verifikimet janë të paplota nga ana e prokurorisë. Detyra e prokurorisë janë të parashikuara qartë, te cilën ata nuk e kanë zbatuar.

Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë asnjë vendim të formës së prerë ndaj subjektit Agim Kajmaku. Letërporositë nga institucionet greke nuk kanë ardhur në organin e akuzës në Shqipëri. Kështu lind pyetja a është nisur kërkesa për këtë letërporosi?! Pa patur këto përgjigje nuk kemi një procedurë verifikimi të përfunduar.

Procedimi ndaj Kajmaku në Greqi është bërë plotësisht në mungesë të tij dhe në mungesë të dijenisë së tij. Ju të nderuar s’mund të merrni vendime mbi opinione qofshin këto edhe nga prokuroria”, është shprehur avokati.

PD kërkesë KQZ: Shkarkoni Kajmakun

Partia Demokratike i kërkon KQZ të shkarkojë pa vonese kreun e Bashkisë Vorë Agim Kajmaku, i cili u vërtetua se ka gënjyer në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Përmes një kërkesë dorëzuar KQZ-së nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmen Bardhi, kërkohet që ky institucion të mos e vonojë më shumë heqjen e mandatit për Agim Kajmakun, pasi tashmë kjo është vërtetuar dhe nga prokuroria shqiptare, e cila nisi dhe një hetim ndaj tij.

Kërkesa i është dorëzuar kreut të KQZ-së Klement Zguri dhe u dërgua për dijeni dhe Ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë. Në kërkesën e PD dërguar KQZ theksohet gjithashtu se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.

 “Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe identitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo ka sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban. Për prokurorinë është e provuar se Agim Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Ai ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare. Në këtë rast, anëtarët e KQZ-së duhet të zbatojnë ligjin dhe të mos i nënshtrohen urdhrave politikë të Edi Ramës, pavarësisht se ai është personi që ka emëruar në detyrë edhe Agim Kajmakun, edhe 4 nga 5 anëtarët e KQZ-së.”- thuhet në kërkesën e PD për KQZ-në.

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi disa ditë më parë se në bazë të letërporosisë së ardhur nga Athina vërtetohet se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto i dënuar në Greqi, janë i njëjti person dhe se shenjat e gishtërinjve përputhen. Kjo bëri që Prokuroria të nis një hetim ndaj tij për gënjimin në formularin e dekriminalizimit dhe i dërgoi një kërkesë KQZ për heqjen e mandatit. Vetë Kajmaku ka deklaruar se nuk kishte dijeni që po hetohej në Greqi, deri sa e mori vesh nga mediat dhe u interesua në Gjykatën e Janinës.    

Lëvizja “Basha ik” frikëson kreun e opozitës, njeh 13 tetorin e Metës

Rritja e kritikave brenda të vetëve pas humbjes edhe të atyre bashkive që PD i ka pasur bastione, ka bërë që Basha të njohë dekretin e presidentit Meta për mbajtjen e zgjedhjeve më 13 tetor. Edhe pse nuk u regjistrua as formalisht në këto zgjedhje ashtu siç bënë aleatët e tij të tjerë në opozitë, Basha ka deklaruar se ka vetëm një datë kushtetuese për zgjedhjet vendore, 13 tetorin e Metës.

Një njohje të tillë Basha e bëri edhe pas takimit që pati me kreun e shtetit Ilir Meta për të vendosur datën e 13 tetorit, por që pas shpalljes së saj nga Presidenti, ai deklaroi se nuk do të marrë pjesë në asnjë palë zgjedhje me Ramën kryeministër. Kjo solli përplasje të Bashës me aleatët e tij të vegjël, të cilët njohën dekretin dhe pranuan që mund të hyjnë në zgjedhje edhe me Ramën Kryeministër. Madje, edhe Meta i doli kundër Bashës, pavarësisht se anulimin e 30 qershorit e bëri pikërisht për të mbrojtur atë dhe LSI-në. Tashmë, rritja e presionit nga të vetët duket se ka sjellë një tërheqje të liderit të PD.

Gjatë një deklaratë për mediat, pyetur se nëse PD do të merrte pjesë në zgjedhjet e pjesshme që do të vendoste KQZ për Shkodrën, Basha tha se kjo nuk është e ligjshme, pasi nuk është KQZ ajo që vendos mbajtjen e zgjedhjeve, por presidenti dhe se ai ka folur me një dekret atë të 13 tetorit.

Kushtetuta është e qartë. KQZ mund të bëjë zgjedhje edhe në Vietnam, kështu siç kanë shkuar punët, por KQZ-ja nuk ka asnjë tagër të organizojë një proces kur i teket dhe si i teket, por duhet të ndjekë dhe të zbatojë Kushtetutën dhe dekretin e Presidentit.” – tha Basha.

Sigurisht kjo tregon dy frika madhore të Bashës atë të lëvizjes ”Basha ik” dhe frika që KQZ mund të anashkalojë Metën dhe të shpallë zgjedhje të reja në Shkodër, pasi ajo që është kuptuar deri tani është se Basha nuk do zgjedhje, pasi nuk regjistrohet kurrë në to. Pas dorëheqjes se Valdrin Pjetrit, Meta deklaroi më herët se nuk do të dekretojë datë për zgjedhje të pjesshme, pasi zgjedhjet do të mbahen më 13 tetor duke e thelluar edhe më tej krizën. Këtë ngërç duket se e zgjidh Kodi Zgjedhor me nenin 161 të tij duke nxjerrë jashtë loje presidentin Meta. Ky nen në pikën 6 të tij thotë qartë se është KQZ ajo që vendos të përsërisë zgjedhjet dhe të vendosë për datën e zhvillimit të tyre jo më vonë se 4 javë nga marrja e vendimit.  Kjo frikë e Bashës për të anashkaluar Metën, që e ka pasur si mburojën e tij gjatë aksionit politik që ka ndërmarrë në këto 7 muaj, por edhe frika se shumë shpejt lëvizja “Basha ik” do të marrë përmasa më të mëdha, e ka detyruar të dal e të pranojë publikisht dekretin e 13 tetorit të presidentit Meta.

Ndërkohë, Basha duket se po kërkon një garanci që të pranojë një marrëveshje, por mos të pranojë fajin për aksionin opozitar që dështoi për zgjedhjet e 30 qershorit. Në këtë prizëm, ai po tenton të mbajtur të karikuar demokratët, duke denoncuar kryebashkiakët e rinj, ndërsa të martën ka paralajmëruar se si Vladrini dhe Kajmaku, PD do të denoncojë dhe raste të tjera. “PD po shqyrton të gjitha rastet për dhjetëra individë me rekorde të garuar nga Rama, të kandiduar, janë pjesë e një procesi antikushtetues. “ u shpreh Basha.

Financimet e partive, Kuvendi urdhër KQZ: Kontrollo shpenzimet

Financimet publike apo private të partive, sidomos gjatë fushatave zgjedhore kanë qenë gjithmonë një temë diskutimi lidhur me transparencën e tyre. Për të shmangur financimet e kundraligjshme dhe pastrimin e parave, Kuvendi i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të hartojë një metodologji të qartë dhe efikase kontrolli dhe verifikimi të shpenzimeve financiare të partive politike. Përmes një rezolute dorëzuar KQZ-së në 2018, Kuvendi i ka kërkuar disa detyra për t’i plotësuar në 2019, ku sigurisht një pjesë e tyre lidhet me financimin e partive.

Kuvendi kërkon që të forcohet kontrolli i financave publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit të partive. Madje i kërkon KQZ-së që të bashkëpunojë edhe me autoritetet përgjegjëse që kontrollojnë pastrimin e parave dhe financimet e kundërligjshme nëse është e nevojshme.

KQZ të marrë masa të përshtatshme dhe proporcionale për monitorimin nga afër të kushteve dhe kritereve ligjore për financimin publik e privat të fushatës zgjedhore të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje. KQZ të hartojë metodologjitë e kontrollit dhe verifikimit të shpenzimeve të financimeve të partive politike dhe fushatave elektorale, brenda dhe jashtë vendit, duke shqyrtuar edhe mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me autoritetet përgjegjëse që kontrollojnë pastrimin e parave dhe financimet e kundërligjshme. Të përmirësojë shqyrtimin administrativ të verifikimit të financimeve të fushatave zgjedhore jo vetëm mbi bazën e deklarimeve të subjekteve zgjedhore, por edhe mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve të deklaruara apo të bëra publike, duke referuar në eksperiencat e vitit 2018”- thuhet ndër të tjera në rezolutën që Kuvendi i ka dërguar KQZ për të plotësuar gjatë 2019.

Forcimi i kontrolleve financiare është i domosdoshëm për të zbatuar ligjin dhe shmangur abuzimet, ku rasti i fundit lidhet me Partinë Demokratike, ku ndaj kryetarit të saj Lulzim Basha ka nisur një hetim penal për  fshehjen e 650 milionë dollarëve gjatë lotimit rus në SHBA si dhe fshehja e pasqyrimit të të ardhurave dhe shpenzimeve që kjo parti ka bërë në 53 degët e saj në të gjithë vendin.

Shkodra drejt zgjedhjeve, dorëzohet në KQZ dorëheqja e Pjetrit

Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadia ka dorëzuar në KQZ dorëheqjen e kryetarit të bashkisë së Shkodrës Valdrin Pjetri, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Në dokumentin e depozituar në KQZ, Kadia ka argumentuar se fituesi i zgjedhjeve të 30 qershorit Valdrin Pjetri ka dhënë dorëheqjen. Ndërsa më tej duke u mbështetur në nenin 161 të Kodit Zgjedhor kërkohet prej KQZ që të përsëriten zgjedhjet në Shkodër.

Sipas nenit 161, është KQZ që duhet të shpallë pavlefshmërinë për votimet, por dhe duhet të zhvillojë zgjedhjet e radhës brenda 45 ditëve.

“Zgjedhjet e shpallura të pavlefshme dhe për të cilat KQZ-ja ka vendosur përsëritjen, sipas këtij neni, përsëriten në një ditë të vetme për të gjitha zonat zgjedhore ku është vendosur përsëritja e tyre. Vendimi për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ-ja me përfundimin e procedurave ankimore, sipas kësaj pjese ose me kalimin e afateve ligjore të ankimit, të përcaktuara në këtë pjesë. Përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit”, shkruhet në Kodin Zgjedhor.

Pritet që anëtarët e Komisionit Zgjedhur të zhvillojnë një mbledhje dhe të shqyrtojnë kërkesën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Në bazë të Kodit Zgjedhur është KQZ, institucioni që vendos për përsëritjen e zgjedhjeve, duke mënjanuar presidentin, i cili procesin e 30 qershorit e konsideron të paligjshëm, dhe ka refuzuar të dekretojë datë tjetër për zgjedhje të pjesshme në Shkodër, pasi për të data e zgjedhjeve është 13 tetori, për të zhvilluar në mbarë vendin 3 procese zgjedhore, duke përfshirë dhe zgjedhjen e presidentit nga populli.

Dështon mbledhja e KQZ-së. Digjen afatet për 13 tetorin

Ka dështuar Komisioni Qëndror Zgjedhor për të zhvilluar një mbledhje ditën e shtunë ku do të shqyrtohej kërkesa e aleatëve të PD-së, për nisjen e përgatitjeve për zhvillimin e zgjedhjeve në datën 13 tetor, datë e dekretuar nga presidenti Meta.

Shkak është bërë mungesa e anëtarëve të PS-së në Komisionin Qëndror Zgjedhor të cilët janë me leje vjetore. I pranishëm në mbledhje ishte vetëm kryetari Klement Zguri, i cili e mbylli mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, pa të cilin nuk merret dot asnjë vendim.

Kujtojmë se dështimi i kësaj mbledhje djeg dhe afatet ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve të 13 tetorit, pasi bazuar në Kodin Zgjedhor subjektet politike duhet të regjistrohen për zgjedhje 70 ditë përpara datës së tyre, afat i cili mbaron më 4 gusht (nesër).

Përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka akuzoi se mungesa është e qëllimtë dhe politike. Ai tha se LSI-ja ditën e hënë do të sjellë kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 13 tetorit.

“Dekreti i Presidentit është në fuqi dhe ne do të respektojmë parashikimet. Do të sjellim të hënën kërkesën për regjistrimin në zgjedhje. Kodi parashikon që KQZ-ja ka detyrimin të nisë procedurat dhe së pari duhet të merrte parasysh kërkesën. Në Kolegj? Do të ndjekim të gjitha hapat. Prevalon Kushtetuta mbi lejen e tyre vjetore“,- tha përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka.

Të premten tre aleatët e Partisë Demokratike, LSI, PAA dhe PR, i dërguan zyrtarisht një kërkesë KQZ përmes të cilës kërkojnë që të shqyrtohet dekreti i presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Kërkesa është firmosur nga Fatmir Mediu, Agron Duka dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, duke treguar kështu qëndrimin kundër që këto forca politike kanë me kreun e PD, Lulzim Basha i cili ka deklaruar se nuk hyn në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës dhe është tërhequr nga data 13 tetor.

Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi ka deklaruar më herët se me datë 13 tetor nuk ka zgjedhje dhe se për këtë institucion është zyrtarisht ditë pushimi. Skënderi ka deklaruar se nëse 13 tetori do të ishte një datë normale zgjedhjesh, puna duhet të kishte gjashtë muaj më parë, gjë e cila nuk ka ndodhur, pasi 30 qershori është “kapitull” i mbyllur për KQZ-në, ndërsa sipas Kodit Zgjedhor subjektet politike duhet të regjistrohen për zgjedhje 70 ditë përpara, afat i cili mbaron më 4 gusht.

Kolegji Zgjedhor është shprehur për dekretin e parë të presidentit, atë për anulimin e 30 qershorit duke e cilësuar atë nul për shkak se vendimi është marrë përtej afateve kushtetuese dhe përtej kompetencave që kushtetuta i njeh presidentit, argumente këto që vlejnë njëlloj edhe për dekretin e datës 13 tetor.

KQZ vendos sot për 13 tetorin e Metës

Komisioni Qëndror Zgjedhor ka njoftuar se do të mblidhet të shtunën në orën 10 për të shqyrtuar kërkesën e partive të vogla të djathta për nisjen e procedurave për zhvillimin e zgjedhjeve në 13 tetor, datë e dekretuar nga presidenti Ilir Meta.

Të premten tre aleatët e Partisë Demokratike, LSI, PAA dhe PR, i kanë dërguar zyrtarisht një kërkesë KQZ përmes të cilës kërkojnë që të shqyrtohet dekreti i presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Kërkesa është firmosur nga Fatmir Mediu, Agron Duka dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, duke treguar kështu qëndrimin kundër që këto forca politike kanë me kreun e PD, Lulzim Basha i cili ka deklaruar se nuk hyn në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës dhe është tërhequr nga data 13 tetor.

Ndërsa aleatët e PD kanë deklaruar se janë pro hyrjes në zgjedhje më 13 tetor, megjithëse kjo datë nuk është marrë në konsideratë nga mazhoranca, për të cilën zgjedhjet janë zhvilluar në 30 qershor, ndërsa dekreti për 13 tetorin është anti kushtetues.

Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi ka deklaruar se me datë 13 tetor nuk ka zgjedhje dhe se për këtë institucion është zyrtarisht ditë pushimi. Skënderi ka deklaruar se nëse 13 tetori do të ishte një datë normale zgjedhjesh, puna duhet të kishte gjashtë muaj më parë, gjë e cila nuk ka ndodhur, pasi 30 qershori është “kapitull” i mbyllur për KQZ-në, ndërsa sipas Kodit Zgjedhor subjektet politike duhet të regjistrohen për zgjedhje 70 ditë përpara, afat i cili mbaron më 4 gusht.

Kolegji Zgjedhor është shprehur për dekretin e parë të presidentit, atë për anulimin e 30 qershorit duke e cilësuar atë nul për shkak se vendimi është marrë përtej afateve kushtetuese dhe përtej kompetencave që kushtetuta i njeh presidentit, argumente këto që vlejnë njëlloj edhe për dekretin e datës 13 tetor.

Sot KQZ ‘vulos’ zgjedhjet, deri në 10 gusht kryebashkiakët e rinj futen në zyrë

Këtë të premte në Devoll u bë konsituimi i Këshillit Bashkiak, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Pas miratimit të shpërndarjes së mandateve nga Kolegji Zgjedhor, bashkia e Devollit bëhet e para në vend që konstituon këshillin e ri. Pas këtij procesi, në mbledhjen e zhvilluar në nën-prefekturën e Devollit, është bërë dhe betimi i kryetarit të ri të Bashkisë Devoll, Eduard Duro. Në këto kushte, ka nisur zyrtarisht rënia e skenarit të Partisë Demokratike për të pamundësuar njohjen e “zgjedhjeve në rrugë ligjore”.

Po çfarë pritet të ndodhë deri në 10 gusht? Realstory.al, mësoi nga një burim i rëndësishëm në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, se të shtunën më 27 korrik, do të ‘publikohet dhe rezultati përfundimtar i zgjedhjeve’. Deri më tani, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve nuk është shpallur nga KQZ, për arsye procedurale. Pas këtij momenti, të gjithë kandidatët e zgjedhur në 30 qershor, brenda datës 10 gusht, do të kenë mundësi të marrin zyrtarisht mandatin duke u betuar para këshillave. Në ndihmë të këtij procesi pritet të vij dhe Kolegji Zgjedhor, që gjithashtu është duke miratuar shpërndarjen e këshilltarëve për bashkitë e vendit.

Prej fillimit të javës së ardhshme, deri në datën 10 gusht, pritet që në të gjitha bashkitë të bëhet dhe konstituimi i këshillave të rinj bashkiak si dhe betimi i kryetarëve të rinj. Sipas Kodit Zgjedhor, “mandati i të zgjedhurit lokal përfundon katër vjet pas ditës që  ai e ka marrë atë”. Praktikisht, duke nisur nga mesi i korrikut deri në datën 10 gusht të vitit 2015 është bërë konsituimi dhe betimi i këshilltave të rinj në bashkitë e vendit për zgjedhjet lokale të 25 qershorit të atij viti. Në këto kushte, duke nisur nga kjo e premte, me Devollin, deri në 10 gusht, sipas ligjit, do të duhet të bëhet konstiuimi i këshillave dhe betimi i kryetarëve të rinj për 61 bashkitë e vendit.

Kjo do të thotë se zyrtarisht do të dështojë edhe skenari i opozitës, për të mos i njohur zgjedhjet e 30 qershorit, duke kërkuar bllokimin e tyre në gjykatat. Pasi, edhe gjykatat e shkallëve të para në vend, kanë njohur pothuajse shumicën e të kryetarëve të rinj të bashkive të zgjedhur në 30 qershor, ndërsa pritet që këto ditë të përundojë procesi i marrjes së vërtetimit të mandatit në gjykata për kryetar e tjerë të bashkive që fituan në 30 qershor. Më poshtë, Realstory.al, sjell një listë të kryetarëve të bashkive që kanë marrë mandatin nga gjykatat.  

Disa nga kryetarët e rinj të bashkive që kanë marrë vërtetim mandati nga gjykatat

  1. Kryebashkiakun e Kolonjës, Erjon Isai,
  2. -Kryebashkikaun e Kukësit, Safet Gjicin,
  3. -Kryebashkiakun e Devollit, Eduard Duro,
  4. -Kryebashkiakun e Maliqit, Gëzim Topçiu,
  5. -Kryabashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj,
  6. -Kryebashkiakun e Shijakut, Elton Arbana,
  7. -Kryebashkiakun e Patosit, Rajmonda Balilaj,
  8. -Kryebashkiakun e Pustecit, Pali Kolefski,
  9. -Kryebashkiakun e Durrësit, Valbona Sako,
  10. -Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj,
  11. -Kryebashkiakun e Elbasanit, Gledian Llatja,
  12. -Kryebashkiakun e Cërrikut, Andi Salla
  13. -Kryebashkiakun e Beratit, Ervin Demo,
  14. -Kryebashkiakun e Dibrës, Dionis Imerajt
  15. -Kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Allës
  16. -Kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari
  17. -Kryebashikaun e Konispolit, Shuaip Beqiri,
  18. -Kryebashkiakun e Libohovës, Luiza Mandi,
  19. -Kryebashkiakun e Prrenjasit, Nuri Belba
  20. -Kryebashkiakun e Delvinës, Majlinda Qilimi,
  21. -Kryebashkiakun e Sarandës, Adrian Gurma
  22. -Kryebashkiakun e Fierit, Armando Subashi
  23. -Kryebashkiakun e Pukës, Gjon Gjonaj,
  24. -Kryebashkiakun e Mirditës, Ndrec Dedaj
  25. -Kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli,
  26. -Kryebashkiakun e Finiqit, Kristaq Kiço,
  27. -Kryebashkiakun e Krujës, Artur Bushi,
  28. -Kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro,
  29. -Kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj
  30. -Kryebashkiakun e Korçës, Sotiraq Filo
  31. -Kryebashkiakun e Belshit, Arif Tafani,
  32. -Kryebashkiakun e Librazhdit, Kastriot Gurra,

/Realstory.al/

Skip to toolbar