Ministri i jashtëm holandez lexon të martën në
mbrëmje para parlamentit holandez relacionin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e
Veriut. Parlamenti holandez ka një shumicë të brishtë që mban qeverinë, e cila
megjithëse me ligj nuk është e detyruar të zbatojë rezolutën edhe nëse ajo është
kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, nuk mund të rrezikojë fatin e saj për
këtë arsye. Por nga ana tjetër qeveria e Holandës nuk mund të rrezikojë
“faqen” e saj përballë Europës, nëse ngelet e vetmja kundër. Kështu
ka filluar një lojë taktike mes qeverisë dhe parlamentit në Hagë, për të evituar
këto dy skenare. Kjo vihet re qoftë në gjuhën e përdorur, qoftë në faktin se
pikërisht në këtë kohë kryeministri holandez ka “zgjedhur” që të jetë
në vizitë në Indonezi, sesa të jetë në parlament në natën e vështirë të të martës.
Po për me shumë kjo vihet re në relacionin që do të lexojë para deputetëve
portokallinj, ministri i Jashtëm Stepp Block.
“Këshilli konkludoi në 26 qershor 2018
se negociatat e pranimit me Maqedoninë Veriore mund të hapen pasi të ishte
implementuar një rrugë konkrete e reformës së sundimit të ligjit: vendi duhej
të arrinte rezultate të qëndrueshme dhe të prekshme në fushën e reformës në
sektorin gjyqësor, shërbimet e sigurisë, etj. sektori i sigurisë dhe
administrata publike. Qeveria ndan vëzhgimin e Komisionit se qeveria e
Maqedonisë Veriore ka ndërmarrë shumë hapa pozitivë gjatë vitit të kaluar.
Marrëveshja “Prespa” është një shembull për rajonin dhe janë
ndërmarrë hapa demonstrues në axhendën e reformës. Një hap i rëndësishëm që
duhet të ndërmerret është miratimi i një ligji që garanton gjithashtu ndjekjen
e pavarur të korrupsionit të mundshëm në të ardhmen në nivelin më të lartë. Ka
një konsultë të vazhdueshme intensive midis opozitës dhe qeverisë për këtë. Kjo
ende nuk ka rezultuar në një përfundim konkret”.
Duket se qeveria e Holandës kërkon të jetë me
kujdes, në linjën europiane, të mos ndarjes së dy dosjeve, Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Për këtë, ka vendosur të jetë kritike me të dyja:
“Këshilli gjithashtu konkludoi në 26
qershor 2018 se Shqipëria duhej të zbatonte një rrugë konkrete të reformës së
sundimit të ligjit përpara se të hapeshin negociatat e pranimit: vendi duhej të
kryente reforma gjyqësore dhe të arrijë rezultate të prekshme në luftën kundër
korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kabineti mirëpret hapat që Shqipëria ka
ndërmarrë tashmë gjatë vitit të kaluar në fushën e zgjidhjes radikale, krijimin
e një numri institucionesh në fushën e sundimit të ligjit, një numër në rritje
të operacioneve policore dhe dënimin e dy kriminelëve kryesorë. Por Shqipëria
duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) së paku
duhet të jetë në funksion të parë dhe Shqipëria duhet të tregojë një rekord
bindës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kabineti është i
mendimit se është e parakohshme të filloni negociatat tani”.
Shqetësimi i qeverisë holandeze se kështu ajo
rrezikon të jetë e vetmja kundër dy vendeve kandidate, vihet re në paragrafin e
fundit:
“Jo të gjitha shtetet anëtare ende kanë
përcaktuar përfundimisht pozicionin e tyre, por një shumicë e madhe në Këshill
është në favor të hapjes së negociatave të pranimit me të dy vendet. Shumë
shtete anëtare deklaruan më herët se ata donin të shpejtonin procesin e
zgjerimit në mënyrë që të ruanin vrullin e reformave ligjore, t’i lejojnë BE-së
të projektojë vlerat dhe standardet e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe
t’i ofrojë popullatës një perspektivë. Këto shtete anëtare theksuan fuqinë
transformuese të procesit të zgjerimit. BE-ja duhet të përmbushë premtimet e
saj; Maqedonia Veriore dhe Shqipëria bëjnë të njëjtën gjë, sipas këtyre
Shteteve Anëtare”.
Me kujdes relacioni i qeverisë holandeze para
parlamentit nënvizon dhe çështjet gjeostrategjike që lidhen me këtë vendim:
“Për shumë shtete anëtare, konsideratat gjeopolitike dhe stabiliteti në rajon gjithashtu luajnë një rol. Prandaj, një numër i Shteteve Anëtare dëshirojnë një lidhje midis dy vendimeve. Ky grup i Shteteve Anëtare pajtohet me rekomandimet e Komisionit për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë dhe dëshiron të hapë negociatat e pranimit me këto dy vende sa më shpejt që të jetë e mundur. Këto shtete anëtare nënvizuan se bëhet fjalë vetëm për fillimin e një procesi të gjatë – dhe jo për anëtarësimin aktual”.
Dhe në fund vjen “bomba” gjermane.
Holanda ka qënë një vend që në Europë ka folur gjithnjë ne sinkron me Berlinin.
Kështu ndodhi edhe në qershor. Duket se në relacion me qetësi e kujdes, edhe
qeveria e Holandës i kërkon parlamentit të bëjë të njëjtën gje:
“Ndërkohë, Bundestag gjerman ka rënë
dakord edhe me vendimin e qeverisë gjermane për të hapur negociata me
Maqedoninë Veriore, duke bërë thirrje që vëmendje e vazhdueshme t’i kushtohet
përparimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe
trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për më tepër, Bundestag ka
pranuar vendimin e qeverisë gjermane për të hapur negociata me Shqipërinë, me
kusht që të plotësohen kushtet shtesë. Këto kushte përfshijnë ri-funksionimin e
Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, si dhe zbatimin e reformave
zgjedhore. Për më tepër, Bundestag bën thirrje për përparim të më tejshëm në
fusha të tilla si krimi i organizuar dhe korrupsioni në të gjitha nivelet para
hapjes së kapitujve të parë në negociatat e pranimit me Shqipërinë”.
Por çfarë synon kjo “lojë” e re mes qeverisë dhe parlamentit holandez? Deputetët janë kundër Shqipërisë dhe një rezolutë e kërkuar nga grupet e ekstremit të djathtë me siguri do të merrte shumicën e votave pro. Kësaj i ndruhet qeveria e Holandës. Burime diplomatike të huaja i pohuan në rrugë jo zyrtare realstory.al se përpjekja është që kjo mos të ndodhë dhe relacioni të miratohet në formën që është. Forma “aseksuale” e relacionit lejon në fakt që qeveria e Holandës t’i ketë duart e lira në të dyja variantet: Nëse nuk është vetëm kundër Shqipërisë, vota e saj do të jetë pro mos hapjes së negociatave. Por në rast se zëri portokalli do jetë një “zë në shkretëtirë” dhe i vetëm kundër Tiranës dhe Shkupit, atëherë kjo rezolutë do të lejojë hapësirë për manovrim dhe Holanda, nuk do të pengojë hapjen e negociatave për të dyja vendet e Ballkanit Perëndimor./Realstory.al/