Mesazhi amerikan opozitës: vettingu e reforma zgjedhore

Drejtori për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik ka nisur të mërkurën vizitën zyrtare në Tiranë me një takim me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi ku ka theksuar se SHBA-të mbështesin fuqishëm realizimin e reformës në Drejtësi dhe procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai gjithashtu ka kërkuar që brenda vitit qeveria dhe opozita të miratojnë ndryshimet në reformën zgjedhore, e cila është kyçe për rolin e Shqipërisë si drejtuese e presidencës së rradhës së OSBE-së, rol ky që Shqipëria e merr për herë të parë në histori.

Kostelancik “rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë e për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësoje edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020”, njofton Kuvendi.

Nga ana tjetër drejtori Kostelancik nënvizoi mbështetjen e ShBA për reformën në drejtësi.  “Institucionet e reja të sistemit do tu shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga ShBA”, theksoi Kastelancik.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi, nënvizoi se shumica qeverisëse dhe ai personalisht janë të angazhuar për kryerjen e reformës zgjedhore dhe për këtë do të bashkëpunojë edhe me opozitën parlamentare e joparlamentare, e cila ka të drejtën e vetos në komisionin e ri të reformës.

Ruçi dhe drejtori Kostelancik ishin të një mendjeje se kryerja e reformave është thelbësore për Shqipërinë dhe se qeveria dhe opozita duhet të punojnë bashkë për shëndetin e demokracisë në Shqipëri  dhe prestigjin e vendit tonë në OSBE, NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. 

Në takim ishte e pranishme edhe e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Nën drejtimin e saj ambasada Amerikane gjatë muajve të fundit është angazhuar më shumë se kurrë në mbrojtje të reformës në drejtësi duke publikuar video informuese për ecurinë e saj, që tregojnë gjithashtu mbështetjen e fuqishme që SHBA i jep kësaj reforme. Deklaratat e zyrtarit të lartë të DASH janë edhe një mesazh drejtuar presidentit Meta dhe opozitës që kanë sulmuar më herët procesin e vettingut dhe reformën në drejtësi, ndërsa opozita ka kundërshtuar të bashkëpunojë me qeverinë për të realizuar reformën zgjedhore; pavarësisht deklaratave të përsëritura të Ramës për bashkëpunim në këtë drejtim./Realstory.al

Përçahet opozita, Mediu: Duhet të ishim në parlament, Duka: Djegia e mandateve, hap i detyrueshëm

Aleatët e vegjël të Bashës duket se nuk po gjejnë një dakordësi mendimesh mes tyre duke treguar se po nisin përçarjet mes opozitës së bashkuar. Përçarja e parë nisi me regjistrimin në zgjedhjet e 13 tetorit, ku LSI së bashku me PR, të Fatmir Mediut dhe PAA e Agron Dukës vendosën të regjistroheshin, ndërsa PD e njohu dekretin e Metës si datën e vetme kushtetuese për zgjedhje, por vendosi të mos merret pjesë në to.

Kjo përçarje duket se po thellohet edhe më shumë, pasi Fatmir Mediu e ka kuptuar se lufta e vërtet me qeverinë dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve bëhet në parlament dhe jo në rrugë. Mediu shprehet i penduar për djegien e mandateve dhe cilëson se opozita duhet ta vazhdonte luftën e saj në parlament. Madje ndryshe nga Basha, Mediu thotë se është pro negociatave me PS.

Deri tani është menduar se duhet të ulet Basha dhe Rama në dialog. Kjo është absurde, pasi duhet të ulet pozita dhe opozita. Jam pro negociatave me PS. Opozita duhet të vijojë betejën e saj me të gjitha elementet dhe mënyra e mundshme, dhe parlamenti është institucioni më i vlefshëm.”- tha Mediu për mediat vizive, por duket se në një linjë krejt të kundërt duket kreu i PAA, Agron Duka i cili i qëndron më shumë linjës së Bashës, ku shprehet pro djegies së mandateve si një hap i detyrueshëm dhe se nuk mund të ketë bisedime me Ramën kryeministër.

“Opozita nuk negocion dhe nuk hyn në zgjedhje me Ramën kryeministër, pasi ai ka treguar se nuk ka vullnet të bëj zgjedhje të lira dhe të ndershme. Djegia e mandateve erdhi si një hap i detyrueshëm për opozitën.”- tha Duka

Duket se përçarjet brenda opozitës nisën që me nisjen e shtatorit, ku pritet që opozita e bashkuar të vendos se çfarë aksioni politik do të ndjek.

Ngjela: Opozita kryengritëse e Bashës dështoi, SHBA mbështet opozitën parlamentare

Nga Spartak Ngjela

Siç dihet, tani, ish opozita shqiptare është larguar nga Parlamenti; donte të kryente një kryengritje, por dështoi. Kurse Reforma në Drejtësi, këtë gjendje të re e pati në favor. Ish opozita Berisha u largua nga Parlamenti me shpresë të një kryengritjeje popullore. Por, nuk e mbështeti populli. Në fakt, kryengritjen e desh se i ndruhet për vdekje Reformës në Drejtësi që po e drejtojnë amerikanët në Shqipëri. Në thelb, lëvizja e saj “kryengritëse” ishte një lëvizje antiamerikane, por me flamur amerikan. Një aziatizëm naiv ky. Njëlloj si antimaoistët në Kinë që dilnin të luftonin maoistët me portretin e Mao Cedunit, se kishin frikë t’iu thoshin përkrahësve të tyre që jemi kundër Maos. Por tani, kryengritja Berisha mbeti një ëndër, kurse Reforma në Drejtësi është në prag të aktit të vet të parë antikorrupsion

l.

Ndërkohë, në Parlament po funksionon opozita e re. Gjithsesi, duhet pranuar se, ndonëse momenti parlamentarist sot është më afër shoqërisë, sërish kësaj opozite i duhet shumë punë për të bindur opinionin publik.  Opozita Berisha kishte dhe ka sens antikombëtar, sepse ishte dhe mbetet në luftë për ekzistencën e saj, gjithmonë në funksion të kundërshtimit që i bën Reformës antikorrupsion. Gjithsesi, lodhet kot: nuk shpëton dot. Kurse opozita aktuale, 90 përqind të së cilës kuptohet se e ka strukturuar politika perëndimore, po pritet të sjellë risi me vlerë kombëtare në Parlamentin shqiptar.

Në funksion të Reformës, kjo opozitë, nga ekspertët perëndimorë mendohet se e garanton ecurinë e projektit të ngritjes së SPAK- ut, por këtu del kjo pyrtje: A do të jetë në gjendje që opozita aktuale në Parlamentin shqiptar të ngrihet në rangun e një opozite të theksit kombëtar e perëndimor? Pikërisht kjo pritet të ndodhë, prandaj mendojmë se do ta kemi tani një opozitë të tillë. Dhe, ne mendojmë gjithashtu, që do të ndodhë, sepse është domosdoshmëri. Është domosdoshmëri për Shqipërinë, sepse vetëm me forcën e kësaj opozite të re parlamentare dhe me forcën e politikës amerikane, mazhoranca aktuale nuk do të këtë mundësi që të lëvizë drejt bllokimit të Reformës, ndonëse mendohet se do të jetë e nxitur kundër reformës nga liderët e saj që i kap antikorrupsioni.

ll.

Sipas analizës së më sipërme, kjo opozitë, që rezulton e pakorruptuar, duhet të marrë në dorë çështjen e vendosjes së drejtësisë në Shqipëri. Por, a do t’i imponohet kjo mazhorancës së korruptuar për ta çuar deri në fund Reformën në Drejtësi? Tani kuptohet që një grup liderërësh të mazhorancës janë të rrezikuar nga Reforma antikorrupsion. Por, koha tregoi që nuk iu kundërvunë dot hapur politikës amerikane, sikundër që bëri Berisha dhe Meta.

Kryeministri Rama bëri lëvizje për të frenuar Reformën, por nuk ia arriti dot. Kurse sot, nëse ky kryeministër mendon se mund ta mundë politikën amerikane në Tiranë me forcën e Erdoganit, do rrëzohet si në një skenë komedie. E dini pse? Sepse politika amerikane, forcën politike të Erdoganit e sheh si “forcën e pleshtit”. Dhe ka edhe diçka që duhet ta kujtojë zoti Rama: ambasadorja amerikane që pritet të vijë këto ditë në Tiranë, është forcë politike anti – Erdogan, sepse kështu e ka quajtur presidenti i Turqisë kur e dëboi si nongrata nga Turqia. Edhe diçka zoti Rama: hiqe atë memorialin e shëmtuar turk, të dëshmorëve fals të Erdoganit, para sesa të vijë ambasadorja.

lll.

Megjithate, na duhet të theksojmë se gjithçka do të varet nga skema që do të përdorë politika amerikane si forcë për shpejtimin e vënies në veprim të Reformës në Drejtësi. Kjo sepse tani gjithçka është afër kurorëzimit të Reformës, por edhe reaksioni antireformë mendohet të jetë i madh. Prandaj, gjithçka do të varet nga fora e parlamentit, dhe këtu duhet të spikasë opozita e re parlamentare. Opozita jashtëparlamentare tani, edhe pse ende ka vullnet kundërshtues antiteformë, nuk ka forcë se nuk është më në Parlament Prandaj, përfundimisht, na duhet të theksojmë se gjendja reformuese e Shqipërisë sot duket se mban me vete dy lëvizje që varen nga funksionimi normal i Parlamentit: shkarkimi i presidentit Ilir Meta, sa më shpejt që të jetë e mundur; dhe, fillimi normal i SPAK-ut. – sa më shpejt! E pra, pikërisht në këto dy pika vjen dhe qëndron edhe opozita e re për të dhënë ndihmesën e saj. Ashtu siç e theksuam më lart.

Rama shpërfill akuzat e opozitës, tregon transformimin e Pukës

Kreyministri Edi Rama, i distancuar prej ditësh nga replikat politike, ka zgjedhur që gjatë muajit gusht të prezantojë punët e qeverisë në nivel qendror dhe lokal. Pasditen e të enjtes, kryeministri ka postuar në llogarinë e tij Facebook, disa foto ku duket transformimi i hapësirës rreth liqenit në qytetin  vogël të Pukës. Rama shkruan se ky liqen, nga një vend i rrënuar me ferra, gropa e plehra, tashmë është kthyer në destinacion turistik.

“Ky është liqeni në fund të bulevardit të qytetit të vogël të Pukës. Imazhet aktuale që do t’ju pëlqejnë besoj, s’janë 3D po fotografi nga realiteti i një destinacioni të ri turistik, aty ku deri dje, siç mund ta shihni në fotot e para pak kohe, kishte vetëm rrënim, ferra, gropa e plehra e nuk shkelte askush. Sot, falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, në atë qytet mes pyjesh e pejsazhesh fantastike, po ndodh një transformim që vit pas viti, do të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj”, shkruan Rama.

Gjatë muajit gusht, shefi i qeverisë ka lënë pas retorikën politike, duke shpërfillur pothuajse çdo akuzë të bërë nga foltorja apo llogaritë në rrjetet sociale të opozitës. Vetëm në rastin e Valdrin Pjetrit, kryeministri reagoi duke shprehur distancimin e tij nga rasti, nëse ai ishte i vërtetë.

Rama është fokusuar te punët e qeverisë në nivele qendror dhe lokal, duke promovuar jo vetëm investimet e programit “Rilindja Urbane”, por edhe aksionet e nisura gjatë verës, ku më i rëndësishmi është ai kundër informalitetit. Megjithatë, opozitës, ndonëse pa replikuar, Rama i është përgjigjur herë pas here edhe me foto të punëve që kanë bërë kryetarët e rinj të bashkive në ditët e para të mandatit të tyre, ku në sy bie aksioni i gjerë i pastrimit në të gjitha bashkitë.

Ndërkohë, edhe këto foto të kreut të qeverisë, erdhën pas disa akuzave të tjera të bërë nga opozita dhe Lulzim Basha mbi ligjin e ri fiskal, që sipas kryedemokratit, Rama “po zhvat biznesin”, duke e rënduar atë me ligjin  e ri fiskal.

Zaloshnja: Mazhoranca stabël, opozita në rënie

Nga Eduard Zaloshnja

Në shkurt, kur opozita e bashkuar (PD+LSI+PDIU+PR+PBDNJ+PAA+ të tjera) filloi protestat dhe deklaroi se do të bojkotonte Kuvendin dhe do të pengonte zhvillimin e zgjedhjeve me Ramën kryeministër, kuotat e saj u rritën në sondazhe të ndryshme.

Kështu nga një sondazh i përmuajshëm që zhvilloj për një revistë që botohet në anglisht këtu në Tiranë, më rezultoi se opozita e bashkuar kishte përafërsisht 740 mijë vota në shkurt. Ndërsa PS-ja dhe partitë satelite të saj (PSD+PDS+ të tjera) kishin vetëm 705 mijë vota.

Por zgjedhjet nuk u penguan dot nga opozita, dhe tani bashkiakët e rinj po shkojnë një nga një në zyrat e tyre.

Dhe ç’ka ndodhur me kuotat e opozitës? Kanë rënë ndjeshëm… Siç ilustrohet në grafikun shoqërues, opozita e bashkuar ka pësuar një rënie prej 100 mijë votash nga shkurti në gusht. Ndërsa PS-ja dhe partitë satelite të saj janë në kuotën e 715 mijë votave.

Si dështoi opozita në dy testet e para për bllokimin e bashkive

Opozita ka dështuar në planin për të bllokuar kryebashkiakët e zgjedhur për të hyrë në zyrë në dy testet e para që ka pasur në Devoll dhe në Kavajë, ku vihet re se rezistenca e tyre nuk ka zgjatur më shumë se 8 orë, sa orari zyrtar i një turni pune, pavarësisht se instruksionet në dokumentet e partisë Demokratike deklarohet që “populli” do të përgjigjet për zgjedhjet e paligjshme të 30 qershorit. Madje, këto protesta kanë shfaqur qartë edhe “mbështetjen” e 85% të qytetarëve që përmend Basha në çdo takim që ka ndërmarrë nëpër bashki për të bindur të vetët, ku në fakt, gjatë betimit të kryetarëve të rinj të bashkive, konkretisht në Devoll dhe Kavajë, janë mbledhur vetëm disa militantë që pas disa orësh janë mërzitur dhe janë larguar, pa provokuar përplasje të mëtejshme me policinë.

Sipas një dokumenti të publikuar nga Realstory.al, demokratët ishin shprehur të vendosur ta çojnë deri në fund skenarin për të bllokuar bashkitë dhe për të mos lejuar marrjen e zyrave nga kryebashkiakët e rinj. Megjithatë, testi i parë i rezistencës së Partisë Demokratike por edhe “popullit” u bë me Bashkinë Devoll. Kryebashkiaku i larguar i zgjedhur nën siglën e PD, Bledian Nallbati nuk pranoi të lironte zyrën e tij duke argumentuar se nuk e njeh kryebashkiakun e ri, Eduard Duro, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Kundërshtimi i tij zgjati vetëm tetë orë , kur Duro u fut në Bashki me hapjen e derës nga policia, e cila ishte mbyllur me çelës. Të nesërmen Bashkia e Devollit vijoi punën me kryebashkiakun e ri, ndërsa të nesërmen pati një protestë të vakët, që u shua gjatë orëve në vijim.

I njëjti skenar u tentua të ndiqet edhe me Bashkinë Kavajë, duke testuar rezistencën e PD për herë të dytë. Gjatë protestave pati përplasje të militantëve të PD me policinë që mbronte godinën e Bashkisë Kavajë si dhe me Prefekten e Tiranës, Suzana Jahollari, e cila ka qenë e pranishme në ceremoninë e betimit të kryebashkiakut të ri. Edhe në këtë rast protesta apo “rezistenca” zgjati sa orari zyrtar i punës dhe pas orën 16:00 kryebashkiaku i ri socialist Redjan Krali u fut në zyrën e tij. Të mërkurën në Kavajë askush nuk doli të protestonte para bashkisë. Qyteti i Kavajës ishte i qetë, ndërsa Krali tha për mediat vizive se e gjithë administrata vijon punët dhe që kishte organizuar mbledhjen e parë me drejtorët dhe shefat e sektorëve, duke u përcjellë qëndrimin se asnjë punonjës nuk do të largohet për bindje politike.

Të dyja rastet treguan se rezistenca e PD dhe e militantëve të saj ishte e dobët dhe pa mbështetje masive të opozitës, por tashmë mbeten bashkitë më problematike që kanë qenë gjatë zgjedhjeve për të parë nëse do ndiqet i njëjti skenar, apo situata mund të precipitojë. Testi i tretë mund të jetë Kamza, por nuk përjashtohen Shkodra dhe Kukësi, disa nga bashkitë historikisht të djathta, që tashmë kanë kaluar në administrimin e mazhorancës.

Paralajmërimet e krerëve të këtyre bashkive për të mos liruar zyrën të lënë të kuptosh se edhe në këto bashki situata e betimit të kryebashkiakëve të rinj nuk do të jetë aspak normale. Voltana Ademi ka qenë një ndër opozitarët që solli jo pak probleme gjatë fushatës elektorale, veprime që e çuan dhe për ndjekje penale. Megjithatë, certifikimi i 30 qershorit duket se i ka tërhequr disi edhe demokratët, edhe nga frika e ndjekjes penale. Neni 249 i Kodi Penal paralajmëron se kushdo që vijon të ushtrojë funksione shtetërorë apo të shërbimit publik, pasi janë lajmëruar se këtyre funksioneve u është dhënë fund mund të dënohen deri në një vit burg dhe ky ligj prek edhe kryebashkiakët e PD që refuzojnë të lirojnë zyrat. Deri më 10 gusht të gjithë kryebashkiakët e rinj pritet të betohen dhe të marrin zyrtarisht detyrën e tyre dhe sipas parashikimeve ky 10 ditësh do të jetë i nxehtë në ato bashki që drejtohen nga demokratët. / Realstory.al

Rusi, autoritetet përndjekin opozitën në prag të zgjedhjeve

Autoritetet ruse kanë thirrur për të marrë në pyetje tetë politikanë të opozitës, pasi burgosën për 30 ditë kundërshtarin kryesor të Kremlinit, Alexei Navalny. Opozita ka protestuar për skualifikimin e disa kandidatëve të pavarur që synonin të kandidonin për këshillin bashkiak të Moskës në zgjedhjet e 8 shtatorit, duke sfiduar kështu kontrollin e partisë në pushtet në këtë organ legjislativ lokal. Siç njofton Zlatica Hoke e Zërit të Amerikës, zgjedhjet në Moskë mund të influencojnë politikat mbarëkombëtare prandaj Kremlini mban kontroll të rreptë mbi procesin.

Opozita organizoi një tubim të madh në Moskë më 20 korrik dhe pritet të mbajë një tjetër ditën e shtunë, për të protestuar kundër heqjes së rreth 30 kandidatëve të pavarur nga fletët e votimit. Zyrtarët zgjedhorë thanë se kandidatët e refuzuar nuk kanë sjellë firmat e mjaftueshme nga votuesit për t’u kualifikuar. Sidoqoftë, në listën e kandidatëve të kualifikuar mungojnë qartazi kritikët e Kremlinit.

“Jemi të zemëruar për paligjshmërinë. Qeveria po ndalon kandidatët e pavarur. Është e pamundur që për të 30 të pavarurit të kishte probleme me firmat e mbledhura”, thotë studenti Alexander Polovinkin.

Udhëheqësi kryesor i opozitës ruse, Alexei Navalny, u arrestua të mërkurën, me sa duket për të pebguar tubimin e ardhshëm. Arrestimi i tij u pasua nga një sërë bastisjesh gjatë natës në shtëpitë e kandidatëve të opozitës. Bastisjet u bënë pas tubimeve të fundit përpara zyrave të komisionit zgjedhor dhe kërcënimeve të supozuara të bëra ndaj zyrtarëve zgjedhorë.

Tetë kandidatë u thirrën për t’u marrë në pyetje të enjten. “Është një përpjekje për të na trembur. Kërkojnë të kufizojnë të drejtat tona zgjedhore duke na sakatuar. Nuk do ta tolerojmë këtë gjë!”, thotë Ilya Yashin, kandidat i opozitës.

Presidentja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova, u tha kandidatëve të refuzuar se protestat në rrugë nuk do të sjellin ndonjë ndryshim. “Mund të duket e padrejtë, por sipas ligjit të ri, nuk mund të regjistrohet kushdo”, thotë zonja Pamfilova. Njëra prej kandidatëve të skualifikuar, juristja anti-korrupsion Lyubov Sobol, reagoi duke thënë se protestat janë e vetmja zgjidhje që i ka mbetur opozitës.

“Ishim të gatshëm të luftonim përmes programeve tona politike dhe ideve tona, përmes një procesi të ligjshëm. Por, nuk na lejuan. As emrat tanë nuk gjenden në fletët e votimit. U veprua në mënyrë aq të keqe, saqë tani banorët e Moskës nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të luftojnë për të drejtat e tyre në rrugë”, thotë zonja Sobol, kandidate e opozitës.

Grupet e të drejtave të njeriut e përkufizuan “jotransparent” procesin e verifikimit të mbledhjes së firmave dhe u bënë thirrje autoriteteve zgjedhore të lejojnë regjistrimin e të gjithë kandidatëve që patën mbledhur numrin e kërkuar të firmave për të marrë pjesë në zgjedhje. Në të kundërt, thonë ato, qeveria ruse rrezikon të izolohet nga populli./VOA/

Rama zgjedh Cohelho për të shpjeguar opozitën: Jeni në luftë me veten

Kryeminitri Edi Rama ka reaguar sërish paraditem e së enjtes për protestën tek Teatri Kombëtar duke i dhënë një përgjigje indirekte kreut demokrat Lulzim Basha dhe opozitës që rrëmben protestën e artistëve.

Me anë të postimi në rrjetin social “Facebook”, kreu i qeverisë shkruan se disa persona jetojnë vazhdimisht në luftë me të tjerët, me vetveten, me jetën e tyre!

Rama ka shpërndarë një shprehje të Paulo Coelhos shkrimtarit brazilian, duke thënë se për këtë arsye, opozita shqiptare shpik vepra teatrale imagjinare, skenarin e të cilave e përshtasin me sikletet e tyre.

“Disa persona jetojnë vazhdimisht në luftë me të tjerët, me vetveten, me jetën e tyre!

Për këtë arsye shpikin vepra teatrale imagjinare, skenarin e të cilave e përshtasin me sikletet e tyre.

Paulo Coelho”, shkruan Rama.

Një ditë më herët, kryeministri Rama u shpreh qartë se opozita bashkë me presidentin është në minorancë dhe nuk mund të marrin peng projektet e qeverisë që sjellin ndryshim në vend, ndërsa theksoi se teatri i ri do të ndërtohet.

Disa persona jetojnë vazhdimisht në luftë me të tjerët, me vetveten, me jetën e tyre!Për këtë arsye shpikin vepra teatrale imagjinare, skenarin e të cilave e përshtasin me sikletet e tyre.Paulo Coelho

Gepostet von Edi Rama am Donnerstag, 25. Juli 2019

3 vite më parë, apeli i fortë i SHBA-së që “bindi” opozitën për Reformën

Miratimi i Reformës në Drejtësi 3 vjet më parë nuk ishte një fushë me lule, por një vendim i arritur me shumë vështirësi dhe falë përpjekjeve të forta të SHBA-së.

Për të kuptuar rolin e opozitës për të mos e miratuar reformën dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme për ta bllokuar atë, mjafton të lexoni reagimin e fortë të SHBA-së në prag të 21 korrikut tre vite më parë.

Në këtë reagim SHBA thekson se është e zhgënyer nga kreu i opozitës, Basha dhe e sheh qëndrimin e tij si një përpjekje e qëllimshme për ta bllokuar reformën.

Më pas SHBA vë kushtin se nëse Basha nuk i përmbush detyrimet e tij, atëherë SHBA i bën thirrje individualisht  anëtarëve të parlamentit që ta votojnë këtë reformë në 21 korrik.

 “Ambasada e SHBA është e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, z.Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme. Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë. Paketa e reformës është gati dhe përmbush të gjitha standardet e

Komisionit të Venecias, SHBA dhe BE.  Nëse z.Basha nuk i përmbush dot detyrimet e tij, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu bën thirrje anëtarëve të parlamentit individualisht ta miratojnë këtë reformë më 21 korrik”, thuhej në deklaratën e ashpër të Ambasadës amerikane.

Ishte pikërisht ky apel i SHBA-së që detyroi opozitën të bashkonte votat me maxhorancën dhe të votonte me 140 vota pro Reformën në drejtësi, si rrallë herë në historinë  e pluralizmit.

Pra opozita nuk e desh që në nisje Reformën në Drejtësi. Por pavarësisht të gjitha sulmeve dhe përpjekjeve për ta penguar tani askush nuk e ndal më reformën. Në shtator-tetor nis funksionimin SPAK-u dhe shumë shpejt pritet që të nisë shqyrtimi i dosjeve të nxehta të korrupsionit nga zyrtarët e lartë./realstory.al

Opozita po lufton “30 qershorin” e amerikanëve, me armët e… amerikanëve

Të enjten pas mesdite, Voltana Ademi kryebashkiakja e Shkodrës, në cilësinë e Kryetares së Shoqatës së Bashkive, regjistroi pranë Gjykatës Kushtetuese padinë për “Konstatimin e antikushtetues të procesit zgjedhor të 30 qershorit, si dhe verifikimin e kushtetueshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e 30 qershorit 2019”. Ky është veprimi i fundit i strategjisë së re, që po ndjek opozita për të zhvleftësuar “30 qershorin” dhe votimet e asaj dite.

Partia Demokratike e Lezhës ka depozituar një padi në prokurori, përmes të cilës ka paditur KQZ, komisionerët dhe numëruesit e PS, të cilët organizuan sipas saj “zgjedhje në kundërshtim me dekretin e presidentit”. Si bazë për ngritjen e kësaj padie, dega e PD në Lezhë ka përdorur dekretin e 10 qershorit të Ilir Metës, që anuloi datën 30 qershor si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Monika Kryemadhi e paralajmëroi këtë një ditë më herët nga Berati, duke kërkuar ndjekje penale për anëtarët e KQZ.

Sekretari i Përgjithshëm të PD, Gazmend Bardhi, disa ditë më parë, u kërkoi gjykatave që të cilësonin anti-kushtetues procesin zgjedhor të 30 qershorit. Bëhej fjalë për përdorimin e një teknikaliteti të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit mandati i bashkiakëve i marrë nga KQZ, merrte një certifikim formal edhe në gjykatat e shkallëve të para. Disa gjykata në vend konfirmuan mandatin e disa të zgjedhurve vendor, duke nisur me kryebashkiakun e ri të Elbasanit, Gledian Llatja, atë të Librazhdit, Kavajës, Cërrikut.

Por ky formalitet u bë një realitet i hidhur politik për disa prej të zgjedhurve vendorë të 30 qershorit. E para viktimë ishte bashkiakja e re e Durrësit, mandati i së cilës u pezullua nga gjykata e shkallës së parë në Durrës, nga një gjykatëse që pritet të ketë probleme me Vettingun dhe që bashkëshortin e saj, e kishte protestues të rregullt gjashtëmujor të opozitës. Gjykatësja Margjeka  e argumentoi vendimin e saj bazuar mbi atë që ajo e quan ‘regjistrimin jashtë afateve ligjore të partisë Bindja Demokratike në zgjedhjet e 30 qershorit’. Ky vendim u mirëprit nga PD dhe aleatët e saj në opozitë, të cilët tashmë e përdorin këtë si argument “se 30 qershori ka qenë i paligjshëm”.(Lexo lajmin në Realstory.al).  

Në fakt vendimi i saj ishte absurd, pasi në Gjykatë nuk kishte asnjë kërkesë padi me këtë objekt, ndërkohë që KQZ dhe më pas Kolegji Zgjedhor e kishin rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike më herët në qershor. Kujtojmë se Kolegji Zgjedhor është Gjykatë Apeli pa rekurs dhe vendimet e saj janë të formës së prerë dhe me siguri apelimi që do ti bëjë fituesja Sako, do të miratohet prej gjykatës së shkallës tjetër në Durrës. Por nuk është këtu thelbi i kësaj që po ndodh këto ditë me Partinë Demokratike.

Pas Durrësit, Gjykata e Tiranës vendosi të shpallte moskomptencë për dhënien e mandatit të kryebashkiakut të ri të Vorës, Agim Kajmaku. Në këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, e dërgoi kërkesën e Kajmakut në Gjykatën Administrative, [ka teorikisht do të thotë se edhe Kamza, Paskuqani, Rrogozhina por edhe Tirana e Madhe, do të përcillen në këtë Gjykatë. Të mërkurën, Gjykatës së Tiranës iu drejtua dhe Erion Veliaj me një kërkesë për vërtetimin e mandatit. Me gjasë e gjithë kjo procedurë do të hajë kohë, duke zgjatur kështu rrezikshëm konfirmimin e bashkiakëve të ri, sa më shumë afrohet 10 gushti, që sipas ligjit, është dhe afati i fundit ligjor i qëndrimit të bashkiakëve të vjetër në zyra.

Burime nga Partia Socialiste thonë se “nuk presin probleme në më shumë se 10 bashki”, por realiteti nuk duket aq optimist.

Procesi ligjor i PD për mosnjohjen e 30 qershorit, nisi më herët, në Komisionin Qendror Zgjedhor. Pas certifikimit të rezultati për kandidatët, KQZ nisi certifikimin dhe shpërndarjen e mandateve për këshilltarët. Por nëse për kandidatët KQZ e miratonte rezultatin me shumicë të thjeshtë, për këshilltarët, sipas Kodit Zgjedhor, duhet shumicë absolute e votave të anëtarëve të KQZ. Në këtë pikë, opozita ka shfrytëzuar “kartën” Klement Zguri, për të bllokuar shpërndarjen e mandateve për këshilltarët në këshillat bashkiakë.

Fakt është  se Zguri ka votuar kundër në këtë proces, duke detyruar Partinë Socialiste të drejohet në Kolegj Zgjedhor (lexo këtu lajmin në Realstory.al) për kërkuar shpërndarjen e mandateve. Po përse janë të rëndësishëm mandatet e këshilltarëve? Që  kryetari i ri i bashkisë i zgjedhur në 30 qershor, të fillojë punën zyrtarisht, duhet të betohet përpara këshilltarëve bashkiakë, pasi këshillat e rinj të konstituohen. Dhe nëse Kolegji punon ditë e natë, 61 paditë do të kërkojnë me gjasë kohë, përtej datës 10 gusht. Pas kësaj date, nga Erion Veliaj e deri te Voltana Ademi, duhet të lënë zyrën, i pari, nëse nuk certifikohet nga gjykata dhe betohet para këshilltarëve, e dyta sepse do të shtonte akuzën e gjashtë penale mbi supet e saj.

Dhe në kohën që Presidenti dhe Basha luajnë në distancë (i pari, duke i kërkuar Ramës të negociojë, qoftë dhe mbi 13 tetorit, dhe i dyti duke luajtur “hapa dollapa” me tezën “Rama Ik”), tashmë askush nuk mund të akuzojë PD për taktikën e saj të re: ajo po shfrytëzon mish mashin e krijuar nga vakumet e reformës në drejtësi dhe cirku presidencial me dekretet dhe afatet, për të justifikuar para ndërkombëtarëve se po ndjek këshillën e tyre: atë institucionale të kontestimit të zgjedhjeve.

Tre ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, duke i bërë thirrje opozitës të hiqte dorë nga aktet e dhunës, u shpreh se 30 qershori mund të kontestohej vetëm në rrugë gjyqësore dhe institucionale, pasi çdo rrugë tjetër do të ishte i papranushëm nga ndërkombëtarët. Sigurisht ai foli në kontekstin e gjykatës kushtetuese, por kjo duket pak rëndësi ka për opozitën. Përfaqësues të saj shpesh i janë referuar këto ditë deklaratës një ditë më pas 30 qershorit të Audrey Glover. E pyetur nga gazetarët nëse do t`i certifikonte zgjedhjet, u shpreh se kjo ishte “kompetencë e institucioneve në vend”.  

Nuk dihet kush e ka sugjeruar këtë strategji të re të opozitës, e cila njëkohësisht e rikthen atë në “legalitet” pas luftës guerrilase politike gjashtë mujore, si dhe rrezikon seriozisht, në mos anullimin e 30 qershorit, obstruksionin e tij me javë e muaj të tërë. Deri sa të afrohet 10 gushti? Derisa të afrohet 13 tetori? Derisa mazhoranca të ulet në tavolinë? Derisa ndërkombëtarët të binden se po ja lanë institucioneve shqiptare, rrëmuja e qëllimshme dhe jo, mund të thellojë krizën? Ilir Meta e tha këtë qartë më herët të enjten: “Kriza në vend, rrezikon të thellohet”.

Me gjasë, ndryshe nga skenari i parë i tij, ai për dhunë e flakë, ky i dyti është më i mundshëm: sepse nuk ka as tym, as flake e as viktima. Por nëse është kështu, është një përpjekje dinake për të përdorur kësaj radhe armët e ndërkombëtarëve, për arritjen e qëllimit që duket kryesor në këtë lëvizje opozitaro-presidenciale: që në 30 qershor nuk kishte zgjedhje.

Një sfidë e fortë, jo ndaj Ramës, po ndaj BE. Jo ndaj qeverisë, po ndaj amerikanëve. Jo ndaj KQZ po ndaj OSBE. Të gjitha këto organizma që luftuan fort që në vend të kishte zgjedhje në 30 qershor, jo si leksion demokracie sesa si shenjë e sundimit të ligjit. Po tani ata nuk ankohen dot. PD dhe Meta po luajnë me kartat e tyre. Gjithsesi ndërkombëtarët janë ndërkombëtarët. Në [do lojë pokeri, ata e kanë pasur gjithmonë një as nën mëngë./Realstory.al/

Skip to toolbar