Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një
intervistë në Report TV tha se zgjedhjet do të zhvillohen në datën 30 qershor
dhe asnjë parti nuk mund t’i pengojë ato. I pyetur për deklaratën e Berishës i
cili tha se një ‘97 e dytë ia vlen për të mbrojtur votën e lirë, LLeshaj tha se
“zgjedhjet nuk do të mund t’i pengojë asnjë parti që dëshiron të kthehet në
bandë”.
Ai gjithashtu garantoi se Policia e Shtetit do
të jetë në krye të detyrës për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“PD mund të tentojë të bëjë gjithçka që
mendon në qasjen e saj për jetë a vdekje. Nuk e di se ç’mund të jetë kjo dilemë
sot në këtë shekull. Shqiptarët e kanë provuar logjikën e antagonizmit jetik
jetë a vdekje dhe do dinë ta përkthejnë vetë këtë retorik absolutisht të
papranueshme, të paligjshme.
Zgjedhjet janë kryeinstitucioni demokratik mbi
gjithçka. Kush mundohet t’i heqë shqiptarëve të drejtën e zgjedhjes po bën
veprën më të rëndë penale. Çdo parti ka të drejtën të bëjë zgjedhjet e veta, të
jetë parti, të kthehet në bandë, por të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur
s’jua ka dhënë njeri, e kanë fituar vetë, dhe atë të drejtë nuk ka mundësi
t’jua heqë askush, sikur të përpiqemi, të bëhemi edhe bashkë. Ditën që vjen
dita e zgjedhjeve, do bëhen zgjedhjet.
Unë besoj që Policia e Shtetit është
plotësisht e aftë për të garantuar ligjshmërinë në Shqipëri. Tek zgjedhjet
përveç policisë, janë qytetarët e vendit që janë mbi të gjithë, që do të
ushtrojnë të drejtën e tyre.
Marrëzi në këtë vend kemi parë shpesh herë
gjatë këtyre viteve, në ’96; ’97; ’98, shqiptarët kanë arkivuar mjaft memorje
për të reflektuar. Historia përsëritet në trajtë komedie, për arsye se duhet të
dimë: Shqipëria është vend anëtar i NATO-s.
Nuk ndihem mirë teksa i dëgjoj këto thirrje në
pragun e një vendimi historik për Shqipërinë që është hapja e negociatave për
në BE”, tha Lleshaj.
Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha
deklaroi në TV se “për votën e lirë
ja vlen çdo veprim që kur kombet kanë sakrifikuar për të ja ka vlejtur. PD është në betejë për jetë a vdekje me
armikun më të egër, të votës e rendit që është Edi Rama. PD është për fitore,
ose vdekje”