Protesta e opozitës, Baçi: Nuk mund të quhen të dhunshme shishet që i quajnë si molotovë

Kreu i PD-së në Fier, Luan Baçi ka deklaruar në nisje të protestës se ajo nuk do të jetë e dhunshme ndërsa akuzoi policinë si provokatore të saj. Gjithashtu Baçi foli edhe për bombat molotov të hedhura në protestën e dhunshme duke u shprehur se “nuk mund të quhen të dhunshme ato shishet që i quajnë si molotovë.”

“Për protestën e sotme vendosin qytetarët. Protestat duhet të jenë jo të dhunshme. Protestat e PD nuk kanë qenë të dhunshme. Nuk mund të quhen të dhunshme ato shishet që i quajnë si molotovë. Policia është provokatore e dhunës. Nga një opozitë  në kushte depresioni, ka dalë në rrugë dhe ka në mbështetje popullin, nuk mund të presin që t’i hedhim lule. Mund të ketë edhe tensione të cilat gjithmonë janë prezent në një protestë. Këto qytetarët që vijnë pas opozitës nuk vijnë vetëm për ndërrim pushteti”, u shpreh Baçi.

Nga protesta foli edhe kreu i PAA, Agron Duka , i cili theksoi se protesta e opozitës është për një kauzë të drejtë, ndërsa bëri apel kundër dhunës.

“Ne luftojmë për një kauzë të drejtë dhe përveçse janë dokumentuar që zgjedhjet janë të vjedhura, politika është e lidhur me krimin. Edhe unë kam të njëjtin apel. Jemi kundër dhunës. Nuk është shumë e lehtë për arsye të zemërimit popullor”

Opozita në shesh, Ambasada Amerikane: Larg dhunës, ose do mbani përgjegjësi

Ambasada Amerikane u bën thirrje qytetarëve ashtu edhe forcave ligjzbatuese që të përmbahen duke qëndruar larg dhunës gjatë protestës së sotme. Ambasada e SHBA-së i ka quajtur hedhjen e bombave molotov, gurëve dhe përplasje fizike të paligjshme dhe që nuk kanë vend në demokraci. Ambasada e përmbyll deklaratën me thirrjen e palëve që të përfshihen në dialog konstruktiv.

“Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Ju bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestën e sotme – si qytetarëve ashtu edhe forcave ligjzbatuese – që të përmbahen duke qëndruar larg dhunës. Nxitja e përplasjeve fizike apo hedhja e mjeteve plasëse, bombave molotov dhe gurëve, është jodemokratike dhe e paligjshme. Ata që përfshihen në akte dhune kryejnë një krim dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje, të refuzojnë dhunën dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv.”

🇦🇱️ | Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Ju…

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Samstag, 25. Mai 2019

Diplomatët e BE në një zë për protestën: Të jetë paqësore, autoritetet jo pre e provokimeve

Delegacioni i Bashkimit Europian dhe Ambasadave të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri kanë dhënë një deklaratë të përbashkët për protestën e sotme.

Në mesazhin e tyre BE dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare shprehen në një zë për të zhvilluar një protestë paqësore duke dënuar edhe njëherë çdo akt dhune që është përdorur në protestat e mëparshme.

Diplomatët europian i bëjnë thirrje udhëheqësve të opozitës të sigurojnë që protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa autoriteteve ligjzbatuese u kërkohet të mos bien pre e provokimeve.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri respektojnë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Megjithatë, ne përsërisim rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë paqësore.
Ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen.
Për të mirën e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve dëshiron të shohë që vendi të bëjë përpara me procesin e reformave dhe të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente.”- shkruhet në deklaratë

Protesta e opozitës, nis bllokimi i rrugëve te godina e Kryeministrisë

Pasditen e sotme do të zhvillohet protesta e gjashtë kombëtare e opozitës, e cila do të mbahet si zakonisht para Kryeministrisë. Liderët e opozitës e kanë lajmëruar mbajtjen e protestës në orën 19:00, teksa janë shprehur se ky do të jetë tubimi më i madh deri më tani.

Pak orë  para nisjes së saj, RealStory.al ka bërë një vëzhgim në terren, për të treguar situatën para godinës së Kryeministrisë pak orë para fillimit të protestës.

Ndonëse është raportuar se nuk do të ketë akte dhune, Kryeministria është e rrethur me gardh metalik që prej tre ditësh. Ndërsa ditën e sotme janë vendosur dhe tre makina ujëhedhëse pas Kryeministrisë, për të qenë në gadishmëri për çdo situatë.

Rruga nga RTSH në drejtim të piramidës është bllokuar pas mesditës, ndërkohë që postblloqe policie janë vendosur në akse kyçe, kryesisht në rrugë që të çojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku do të zhvillohet protesta.

Ndërkohë, policia ka nisur dhe bllokimin e bulevardit përpara Kryeministrisë, aty ku prej paradites janë vendosur mjetet e transmetimit direkt të mediave në vend.

Ashtu si në protestat e kaluara, nuk do të ketë skena të mëdha, por vetëm një podium disa centimetër të lart, ku pritet të flasë kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

RealStory.al ka mësuar se Partia Demokratike ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës për të marshuar, pas grumbullimit të protestuesve para Kryeministrisë, megjithëse, intenerari i marshimit ende nuk bëhet i ditur.

Në krahun tjetër, Policia e Tiranës ka dhënë leje për zhvillimin e protestës nga ora 19:00-21:00, ndërsa PD nuk ka përcaktuar një orar për përfundimin e protestës. Sakaq, në terren do të jenë më shumë se 1500 efektivë policie të angazhuar për mbarvjatjen e protestës.

Basha si Dostoyevski, Rama si Tolstoy

Pak orë para protestës së opozitës kryeministri Rama provokon me një mesazh në Twitter. Ai ka zgjedhur një citim të shkrimtarit rus të “Lufta dhe Paqa” Leon Tolstoi, për t’i thënë kryedemokratit se nuk po rri duarkryq por po pret me durim një përgjigje prej tij.

“Durimi nuk është pritje. S’është të presësh duarkryq. Kjo është përtaci. Durimi është të vazhdosh kur vazhdimi është i vështirë dhe i ngadaltë. Dy luftëtarët më të fuqishëm janë koha dhe durimi”, shkruan Rama në Twitter.

Vetëm pak orë më parë ai postoi letrën e katërt publike drejtuar Bashës, të cilin e ftoi sërish të ulej në Tryezën e Dialogut për të mos i shkaktuar më shumë dëme Shqipërisë.

Por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga kampi blu. Nëse Rama ka zgjedhur simbolikën e autorit rus të Luftës dhe Paqes, Basha duket i palëkundur në pozicionin e tij: Ai e ka ftuar Ramën në një duel, nga i cili një nga të dy, ose duhet të tërhiqet, ose duhet të “vdesë”. Dihet nga historia sesi ka ndodhur. Dostoyevsky vdiq në duelin që thirri vetë, ndërsa Leon Tolstoy vdiq nga shkaqe natyrale.

Borschardt nuk “zë mend”. Paralajmëron sërish opozitën

Pak orë para protestës së opozitës, ka reaguar prezenca e OSBE-së në Tiranë, e cila i bën thirrje opozitës për të mos lejuar aktet e dhunës. Në reagimin e saj, OSBE thekson se është i papranueshëm dhe i paligjshme përdorimi i kokjeteve të molotovit, të shashkave dhe gurëve ndaj policisë, sikurse bën thirrje që edhe policia të jetë e kujdeshme dhe të mos tekalojë me përdorimin e forcës.

“E tërë familja e OSBE-së – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Kryetari i Radhës i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm e për Evropën i Sllovakisë, Miroslav Lajčak, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella — e dënuan fuqishëm përdorimin e dhunës, nga ana e protestuesve, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, më 11 maj 2019. Ata theksuan të drejtën për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore, por nënvizuan se dhuna është e papranueshme dhe se trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik. E sjellim në vëmendje këtë deklaratë përpara protestës së 25 majit 2019. Deklarata mbetet po aq e vlefshme sa edhe dy javë më parë. Koktejet e molotovit, hedhja e gurëve dhe e shashkave janë të paligjshme; reagimi i tepruar i forcave të rendit nuk mund të pranohet. I nxitim pjesëmarrësit dhe drejtuesit e protestës së sotme të jenë të përmbajtur”, shkruhet në reagimin e OSBE-së.

Ajo thekson më tej se “përmendja e derdhjes së gjakut, pak ditë përpara një proteste publike, është e papërputhshme me demokracinë moderne dhe me protestat demokratike”.

Ashtu si SHBA, edhe Ambasada italiane thirrje qytetarëve: Kujdes nga protesta!

Edhe ambasasa italiane i ka bërë thirrje sot qytetarëve të saj që të kenë kujdes në Tiranë gjatë mbrëmjes së sotme kur do të zhvillohet protesta e opozitës.

Ambasada ka shpërndarë një njoftim përms të cilës këshillon shtetasit e saj që të shmangin grumbullimet dhe turmat e njerëzve gjatë protestës së opozitës.

 “E shtunë, më 25 maj 2019, duke filluar nga ora 19.00, do të ketë një protestë politike që do të përfshijë qendrën e Tiranës, në veçanti Bulevardin Dëshmorët e Kombit, pranë zyrës së Kryeministrit”, thotë ambasada Italiane në Tiranë.

Gjithashtu, Ambasada thotë se ngjarja mund të ketë pasoja në trafik dhe në rrugët kryesore të hyrjes në qytet.

Një ditë më parë ishte ambasada amerikane që bëri një thirrje të ngjashme për shtetasit e saj ndërsa theksoi se në protestat e kaluara të opozitës ka pasur dhunë.

https://realstory.al/ambasada-amerikane-paralajmeron-qytetaret-kujdes-ne-protesten-e-kaluar-ka-pasur-dhune/

PD mban të fshehtë skenarin e protestës, por Berisha njofton cunam

Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë detaj se si do të jetë skenari i protestës së sotme në Tiranë. Basha dje postoi një video nga protestat e kaluara, ku shihej tym e zjarr, ndërsa ftonte shqiptarët në protestë. Por deri tani nuk dihet nëse do të ketë marshim, apo fjalime dhe se cilët do të jenë personazhet që do të flasin, nëse do të ketë të tilla.

E vetmja gjë që dihet është se protesta do të zhvillohet në mbrëmje në orën 19.00. Ndërsa Berisha ka shkruar në Facebook se sot e gjithë Shqipëria vërshon drejt Tiranës.

“Sot Cunami i historisë. Shqipëria vërshon drejt Tiranës! Rama ik! Fitore!” – shkruan Berisha në Facebook.

Sot Cunami i historise. Shqiperia vershon drejt Tiranes! Rama ik! Fitore! sb

Gepostet von Sali Berisha am Samstag, 25. Mai 2019

Tirana nën rrethim, palët larg dialogut. Basha: “Protestë e madhe”. Por pritet paqësore.

Opozita dhe mazhoranca mbeten larg dialogut, ku edhe pas tre letrave publike të Kryeministrit Rama, kryeopozitari Basha është i vendosur në kauzën e tij. Sot pasdite, opozita zhvillon protestën e radhës, ku vetë Basha e ka cilësuar protestë kombëtare. Edhe pse aleatja kryesore e PD, liderja e LSI, Kryemadhi bëri thirrje 24 orë para protestës që protestuesit të distancohen nga dhuna, Basha nuk ka bërë thirrje kundër dhunës.

E kjo duket se i ka frikësuar forcat e rendit, pasi që të premten, në institucionet kryesore, Kryeministria, Parlamenti dhe Ministria e Brendshme janë vendosur barrierat metalike. Shtyllat e ndriçimit janë lyer me graso në mënyrë që protestuesit mos të hipin në to, ndërsa Policia dhe Garda e Republikës kanë kaluar në gatishmëri.

Nga drejtuesit e policisë mësohet se rreth 1500 policisë do të angazhohen për ruajtjen e sigurisë, ndërkohë që masat janë të dukshme që mëngjesin e së shtunës, ku postblloqe janë ngritur në të gjitha rrugët hyrëse të Tiranës, ndërkohë që protesta pritet të fillojë në orën 19:00 dhe leja është marrë deri në mesnatë.

Protesta e opozitës të shtunën
Barriera te vendosura për ndalimin e qarkullimit të automjeteve në rrugën pas Piramidës

Postblloqe nuk janë ngritur vetëm në Tiranë, por edhe në rrugët kryesore, që bashkojnë Jugun, Veriun dhe Juglindjen me Tiranën. Kontrolle ushtrohen kryesisht në autobusë, ose në makina personale të mbushura me të rinj. Megjithatë, gjatë zhvillimit të protestës, forcat më shumta të policisë pritet të përqendrohen pranë kryeministrisë, ku do të dislokohen forcat speciale RENEA dhe Garda e Republikës. Sipas policisë, grumbullimet mendojnë të fillojnë pas orës 16:00, ndërsa sipas drejtueseve të partive opozitare, do të jetë protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë gjatë historisë së pluralizmit politik në Shqipëri.

Por këto masa mund të rezultojnë të panevojshme. Të paktën këtë radhë. Një burim i lartë demokrat i konfirmoi me siguri Realstory.al se protesta e të shtunës do të jetë paqësore. Mund të jetë efekti ndërkombëtar, mund të jetë një sinjal që përtej retorikës së ashpër, edhe Basha është dëshpërimisht në kërkim të një pikënisje dialogu. Por kjo së paku pritet të prodhojë një të shtunë pa incidente, ose së paku “molotov free” në rrugët e kryeqytetit.

Nga plani i organizatorëve ka pak detaje sesi do të vijojë protesta, por mësohet se Lulzim Basha do të mbajë një fjalim para Kryeministrisë dhe qëllimi kryesor i tyre, ashtu siç është deklaruar nga kryeopozitari Basha, është largimi i Kryeministrit Rama, si kusht që nuk negociohet.

Gjithsesi burimi i lartë nga Kryesia e PD i tha faqes sonë, se nëse protesta e të shtunës do jetë paqësore, krejt ndryshe pritet të jetë ajo e radhës në qershor. Me gjasë fushata do ketë filluar dhe me PD e aleatët jashtë zgjedhjeve, protesta e qershorit, data e së cilës nuk është përcaktuar akoma, pritet të jetë e ashpër dhe agresive. Megjithëse nuk konfirmohet një datë e mundshme është 29 qershori.

Kryemadhi ndryshon qëndrim 24 orë para protestës: Distancohemi nga dhuna

“Protestat tona paqësore janë protestat që do sjellin ndryshimin. Ju bëj thirrje të distancoheni nga dhuna edhe pse njerëzve ju ka ardhur aty ku nuk mban më.” – ka thënë Kryemadhi gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në njësinë bashkiake nr. 11.

Një ditë para protestës Kryemadhi ka zbutur tonet duke i kërkuar qytetarëve të shmangin dhunë dhe të mblidhen ditën e shtunë të protestojnë për të sjellë ndryshimin që kërkojnë. Detyra jonë është të rrëzojmë sistemin dhe jo të merremi me godinat.

“Nesër t’i themi boll regjimit diktatorial. Është një nga protestat më të mëdha. Edhe pse është muaji i Ramazanit dhe shumë shqiptarët agjërojnë ua bëftë dritë dhe të na i falë mëkatet. Do tregojmë çdo gjë që ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve tanë, do jemi në ballë të çdo proteste. Beteja jonë është e ardhmja e fëmijëve shqiptarë, që të hapim negociatat me BE. Nesër mos ndaloni, i bëj thirrje gjithë Shqipërisë, protestat tona paqësore janë protestat që do sjellin ndryshimin. Ju bëj thirrje të distancoheni nga dhuna edhe pse njerëzve ju ka ardhur aty ku nuk mban më. Detyra jonë është të rrëzojmë sistemin, jo të sulmojmë godinat.” – tha Kryemadhi

Skip to toolbar