“Daja” nga Kosova ose shtetasi Ragip Hajdini, i arrestuari i 6-të për grabitjen e parave në Rinas, ka dalë sot para drejtësisë. Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë “Arrest me burg”, ashtu si 5 të arrestuarit më herët.
Hajdini u zbulua nga dëshmitë e Alkond Bengasit, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me policinë. Hajdini ka deklaruar para trupit gjykues se nuk është “daja” që ato kërkojnë dhe ka kërkuar ballafaqim me Bengasin që e ka identifikuar. Madje ai ka thënë se ekzistojnë filmime që tregojnë se ku ndodhej në momentin e grabitjes.
Hajdini u arrestua më 26 prill në zonën e Shkëmbit të Kavajës, si një nga të dyshuarit për grabitjen e 9 Prillit në Rinas.
I arrestuari i 6-të për ngjarjen në Rinas, Ragip Hajdini nuk është një emër i panjohur për policinë e Kosovës.
50-vjeçari i arrestuar në qytetin e Kavajës, pas dëshmive të Alkond Bengasit, rezulton me precedentë penal edhe në Kosovë për grabitjen e 25 kg ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës.
Kjo ngjarje ka ndodhur në 2012 dhe bëri bujë në mediat kosovare. Në ngjarje u hetuan 6 persona mes tyre edhe Ragip Hajdini, ndërkohë që hetimet ishin bërë nga prokuroria speciale e “Eulex”-it.
Insajderi
GJASHTË TË DYSHUARIT PËR VJEDHJEN E ARIT BRENDA POLICISË
Lexo të plotë
Ndërkohë
media të ndryshme shqiptare kanë publikuar edhe imazhin e tij.
Ministri i Brendshëm ka reaguar pas arrestimit të personit të 6-të të lidhur me grabitjen në Rinas. Lleshaj tha se dara vijon të shtrëngohet deri sa drejtësia të vihet në vend.
Personi i 6-të i arrestuar ishte një shtetas nga Peja e Kosovës, 50 vjeçari, Ragip Hajdini, i njohur me nofkën “Daja”.
“I gjashti i bandës së Rinasit u mbyll prapa hekurave. Dara vijon të shtrëngohet pavarësisht pikëllimit të rrallë të dikujt. Ka vetëm një alternativë: drejtësi. Falënderim për Policinë e Shtetit!”- shkruan Lleshaj
I gjashti i bandës së Rinasit u mbyll prapa hekurave. Dara vijon të shtrëngohet pavarësisht pikëllimit të rrallë të dikujt. Ka vetëm një alternativë: drejtësi. Falënderim për Policinë e Shtetit!
Policia e Shtetit ka vijuar arrestimet lidhur me grabitjen e parave në Rinas më 9 prill 2019. Ditët e sotme është bërë i mundur arrestimi i shtetasit kosovar Ragip Hajdini, 50 vjeç, i cili njihet me nofkën “Daja”.
“Daja” nga Kosova u arrestua pas dëshmisë së Alkond Bengasit, i cili është arrestuar gjithashtu si i dyshuar për modifikimin e fugonit me mbishkrimin hetimi tatimor. Bengasi ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë duke ndihmuar policinë të zbulojë të gjithë bashkëpunëtorët.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda Tiranë, për veprën penale te “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtjes pa leje të municioneve luftarake”, “Vrasje e punonjësve të policisë, e kryer ne bashkëpunim e mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 140 e 25 dhe 333/a,” 279, 79 b dhe 278 C, të Kodit Penal.
Grabitja e parave në pistën e avionëve në Rinas më 9 prill, ka çuar qeverinë shqiptare në përplasje me koncensionarin kinez të Rinasit.
Edhe pse qeveria akuzoi pikërisht koncensionarin si fajtor kryesor të mungesës së sigurisë në një vend që pritej të ishte ndër më të sigurtit. Pas ngjarjes policia çoi forcat ushtarake për të kontrolluar sigurinë në aeroportin e Rinasit.
Mirëpo me një vendim të sotëm, të botuar në fletoren zyrtare, Shqipëria do të kërkojë asistencë ligjore nga studio avokatie të huaja për të monitoruar zbatimin e marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe TIA-s.
Qeveria shqiptare kërkon konsulenca mbi kontratën dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të saj apo jo. Nëse konkluzionet janë të faror të qeverisë shqiptare, pritet vendimi për ta depozituar këtë konflikt në arbitrazhin ndërkombëtar.
Një nga të arrestuarit për grabitjen në Rinas, ka ankimuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Kjo masë ishte caktuar më herët nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por duket se i arrestuari Oltion Veseli nuk e pranon duke thënë se arrestimi i tij është bërë në mungesë të provave dhe fakteve.
Veseli dyshohet se është grabitësi i veshur si komando në pistën e Rinasit që ndodhet pranë Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
Veseli ishte vetëshpallur imam i xhamisë në Krujë, ndërsa në 2005 është arrestuar nga trupat amerikane për terrorizëm gjatë luftimit të tij përkrah talebanëve në Afganistan.
I arrestuari i pestë për grabitjen në Rinas, Elton Pikli, 32 vjeç, do të vijojë të qëndrojë në burg. Gjykata e Krimeve të Rënda , gjatë seancës së sotme, dha masën arrest me burg edhe për Piklin, njësoj si me katër të arrestuarit e tjerë më herët.
32 vjeçari njihet si një besimtar i devotshëm dhe në 2011 kishte qenë kandidat për këshilltar bashkiak në Krujë.
Pikli është lënë në burg me akuzat për veprat penale ‘Vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim’ në kuadër të ‘Grupit të Strukturuar Kriminal’, ‘Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake’; ‘Vrasje e Punonjësve të Policisë’ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”.
Në burg qëndrojnë edhe 4 të arrestuarit e tjerë, Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Cela.
Ministri i Brendshëm, Sandër LLeshaj ka paralajmëruar
arrestime të tjera për grabitjen e parave në Rinas. LLeshaj ka qenë i pranishëm
sot në Kukës për të marrë pjesë në nismën “Ministri një ditë në
qark”, ku ka folur për grabitjen e parave në Rinas, ndërsa ka thënë se
policia është në kërkim të personave të tjerë, përveç atyre që tashmë janë
arrestuar.
“Kjo çështje është ende nën hetim.
Megjithëse ka ecur shumë, unë nuk mund të ekspozoj detaje të shumta. Unë them
se grupi tashmë i shkatërruar tashmë ka një arkiv të pasur të aktiviteteve negative kriminale jo vetëm në Shqipëri por
edhe në Kosovë. Procedurat e hetimit vazhdojnë në funksion të zbardhjes dhe
kapjes së autorëve. Do të ketë arrestime të tjera. Disa nga krerët e grupit
janë arrestuar por ka edhe të tjerë”, tha ministri.
I pyetur në lidhur me protestat e opozitës që
tashmë i janë rikthyer bllokimit të rrugëve, Lleshaj tha se është një degradim
politik.
“Është e drejta e të gjithëve për të
protestuar. Por bllokimi i rrugëve është degradim politik në të gjitha
aspektet. Nuk është bllokimi i rrugëve zgjidhje politike. Nuk mund ta mbysësh
qeverinë duke bllokuar rrugët, qeverinë e mbyt duke fituar zgjedhjet. Duke
bllokuar rrugët mbyten qytetarët. I bëj thirrje opozitës nga Hasi, të
kthjellohen e ti thërrasin arsyes dhe të kthehen në rrugët normale të
politikës.”, tha ministri Sandër Lleshaj.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, përmes një statusi në Twitter, ka përgëzuar punën e policisë për zbardhjen e ngjarjes në Rinas dhe arrestimin e 5 personave të përfshirë në të.
“Goditja ndaj grupit të grabitësve në Rinas vazhdon. I pesti u mbyll prapa hekurave, duke e shtrënguar darën afër maksimumit. Respekt për punën e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë!” – shkruan Lleshaj
Gjatë pasdites së sotme, policia njoftoi arrestimin e bashkëpunëtorit të 5-të me iniciale E.P., nga Kruja.
Goditja ndaj grupit të grabitësve në Rinas vazhdon. I pesti u mbyll prapa hekurave, duke e shtrënguar darën afër maksimumit. Respekt për punën e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë!