Rama ik dakort, por Berisha prapë nuk durohet – Nga Fatos Tarifa

Në rrethana të tjera nuk do të kisha marrë mundimin t’i shkruaja këto radhë. Por ja që, krejt rastësisht, dy a tri ditë më parë, në një studio televizive pashë z. Sali Berisha dhe, nuk e di pse, bëra durim ta dëgjoj për disa minuta. Jo deri në fund.

Ta dëgjosh të flasë për një kohë të gjatë këtë njeri duhet të jesh ose patologjikisht naiv—siç është ai vetë një gënjeshtar patalologjik—ose një njeri trushpëlarë, që nuk e vë në punë aftësinë e vet për të arsyetuar.

Nuk mbaj mend se kur e kisha dëgjuar të fliste për herë të fundit zotin Berisha, por duhet të ketë qenë shumë kohë më parë. Ndoshta një vit e gjysmë më parë, në revoltat e dhunshme të opozitës pasi ajo u largua nga parlamenti, në fillimin e vitit që shkoi.

Aq pak sa e dëgjova të fliste këtë herë, në atë studio televizive, z. Berisha më bindi edhe një herë për ato çka unë i kam ditur përgjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit—se ky njeri është një demagog i pandreqshëm, se ky njeri është shumë i paditur, se ky njeri është i paaftë që të arsyetojë në mënyrë racionale dhe prandaj përdor sofizma (nënteksti i të cilave lexohet lehtësisht) dhe se ky njeri është një politikan mëkatar dhe ende i rrezikshëm.

Në ato pak minuta që e dëgjova z. Berisha në kokë kisha vetëm një mendim ose, më mirë të them, i bëja vetes këto pyetje:

Si është e mundur që e kemi “zgjedhur” këtë njeri të jetë kreu i shtetit tonë dhe kreu i qeverisë që e ka drejtuar vendin tonë për një kohë kaq të gjatë—plot 13 vite? Si është e mundur që e kemi lejuar këtë njeri të bëjë çfarë dhe si ka dashur me këtë vend? Si është e mundur që e lejuam këtë njeri të kthehej në politikë dhe të merrte frenat e qeverisë edhe pas tragjedisë që ai i shkaktoi këtij vendi dhe këtij populli 23 vite më parë, më 1997? Si është e mundur që ka ende njerëz që i besojnë këtij njeriu, i shkojnë pas dhe e duan sërish në politikë?

Ka vërtet diçka që nuk shkon në tërë këtë histori, e cila flet për një psikozë gjerësisht të përhapur në një popullatë kaq shumë të fragmentarizuar e të përçarë—deri tridhjetë vite më parë nga një sistem komunist, i cili instigoi “luftën e klasave” dhe deri vonë nga vetë politikat e ndjekura nga z. Berisha—sa e bëjnë të vështirë të kuptuarit e një dukurie të tillë.

Sa kohë që politika shqiptare dhe vullneti i qytetarëve të këtij vendi janë treguar tërësisht të paaftë ta nxjerrin jashtë loje një individ si z. Berisha, të cilin unë me kohë e kam cilësuar si një “fatkeqësi kombëtare”, mbetet vetëm të presim që, atë çka deri më sot nuk e kanë bërë dot një politikë demokratike konsekuente dhe ligjet e një sistemi drejtësie të korruptuar, ta bëjë ligji biologjik, njëlloj i hekurt për të gjithë njerëzit.

* * *

Përmendja e ish-kryeministrit Berisha më jep rast të them dy fjalë edhe për kryeministrin aktuar të vendit, z. Edi Rama. Unë nuk i kam fshehur asnjëherë simpatitë e mia politike për të majtën shqiptare dhe për Partinë Socialiste që e përfaqëson atë.

Nuk i kam mohuar madje as arritjet e mëdha të z. Rama në dy mandatet e tij të parë si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si kryeministër në mandatin e parë të qeverisjes.

Por kam pasur dhe vazhdoj të kem vërejtje dhe pakënaqësi sa i përket metodës autokratike dhe here-herë laissez-faire të qeverisjes së vendit prej tij në mandatin e dytë si kryeministër, mungesës së ndjeshme të transparencës me publikun dhe punës së një pjesë të anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar dhe këto vërejtje i kam bërë publike nga koha në kohë.

Më lejoni të pohoj qysh në fillim atë që unë nuk them. Unë në asnjë mënyrë nuk e krahasoj z. Rama me paraardhësin e tij, z. Berisha. Mes tyre nuk mund të bëhet asnjë lloj krahasimi. Kurrsesi.

Edhe pse si njëri, dhe tjetri janë produkte të së njëjtës shoqëri, ata janë gatuar prej një brumi që i dallon shumë prej njëri-tjetrit, jo vetëm si dy gjenerata të ndryshme dhe jo vetëm politikisht por, në radhë të parë, kulturalisht.

Megjithatë, druaj se z. Berisha “pashmangësisht” ka qenë një shembull i keq për z. Rama si kryeministër dhe këtë e shoh te zelli i këtij të fundit për të qëndruar, njëlloj si i pari, sa më gjatë në pushtet.

Unë dëshiroj që Partia Socialiste të fitojë sërish në zgjedhjet e ardhshme një mandat të tretë për të drejtuar vendin. Arsyeja dhe përvoja më thonë se nën qeverisjen e kësaj partie Shqipëria ka bërë më shumë përpara.

Por i druhem një mandati të tretë të z. Rama, si individ, në krye të qeverisë socialiste, siç edhe e kam parë dhe e shoh me shqetësim “saldimin” e tij dhe të autoritetit të tij “absolut” në krye të Partisë Sociliste duke e dobësuar—në mos edhe asgjësuar—demokracinë e brendshme në atë parti.

Një mandat i tretë, madje edhe një mandat i katërt qeverisës për një lider politik në një vend demokratik nuk janë të pamundur dhe as domosdo një gjë e keqe. Franklin Delano Roosevelt vdiq në fillim të mandatit të tij të katërt si President i Shteteve të Bashkuara. Konrad Adenauer u detyrua të jepte dorëheqjen si Kancelar i Gjermanisë Federale gjatë mandatit të tij të katërt. Pierre Trudeau shërbeu si kryeminsitër i Kanadasë për më shumë se 15 vite me radhë, duke drejtuar katër kabinete qeveritarë.

Margaret Thatcher shërbeu si kryeministre e Anglisë për tre mandate radhazi. Helmut Kohl u zgjodh Kancelar i Gjermanisë Federale tri herë radhazi dhe një herë të katërt si Kancelar i Gjermanisë së bashkuar. Tony Blair hoqi dorë nga posti i kryeministrit të Anglisë në mes të mandatit të tij të tretë. Angela Merkel vazhdon të mbajë mandatin e saj të katërt (dhe të fundit sipas vetë deklaratave të saj) si Kancelare e Gjermanisë.

Por rastet e mësipërm nuk kanë dhe s’mund të kenë asnjë domethënie për një vend si Shqipëria. Z. Rama, i cili ka bërë mjaft që fytyra e Tiranës dhe e tërë Shqipërisë të ndryshojnë shumë në këta njëzet vitet e fundit, duket se nuk beson më as vetë në filozofinë e tij politike dhe i ka konsumuar vullnetin dhe aftësitë e tij për të bërë më shumë, edhe nëse ai vetë nuk e beson (dhe s’ka se si ta besojë) këtë.

Rama as është dhe as mund të bëhet një FDR, një Adenauer apo një Trudeau, një Thatcher apo një Kohl, një Blair apo një Merkel. Ata ishin të gjithë liderë të mëdhenj të demokracive më të mëdha të globit.

Ata kishin jo vetëm resurset e nevojshme për transformimin e shoqërive të tyre në shoqëritë më të avancuara që historia ka njohur ndonjëherë, por edhe dituritë, mençurinë, vullnetin, talentin, kulturën politike demokratike dhe të gjitha ato nuts and bolts që e bëjnë një demokraci të funksionojë dhe një shoqëri të shkojë përpara.

Mençuria e z. Rama, për të cilën ai edhe do të gjykohet e do vlerësohet në fund të fundit, është që, nëse Partia Socialiste i fiton zgjedhjet parlamentare në pranverën e vitit të ardhshëm, siç unë besoj se do të ndodhë, të mundësojë krijimin e një kabineti qeveritar me socialistë të rinj, me njerëz të arsimuar mirë, qytetarë të devotshëm që duan dhe kanë të gjitha aftësitë për t’i shërbyer interesit publik dhe interesave kombëtarë.

Kjo do e bënte z. Rama politikisht më pak të pushtetshëm, por moralisht shumë më tepër të tillë.

“Politikani i dekadës”, Rama kryeson sondazhin. Berisha lë pas Bashën e Metën

Prej disa javësh, në faqen e Realstory.al, është hapur një sondazh, ku ftohen qytetarët shqiptarë të votojnë dhe japin mendimin se; cili ishte politikani i dekadës?. Në garë janë katër politikanët kryesorë, që kanë dominuar skenën politike të dekadës që sapo u mbyll; Edi Rama, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ilir Meta. Deri më tani, në sondazhin në faqen e www.realstory.al, kanë votuar mbi 300 qytetarë shqiptarë, të cilët kanë zgjedhur një mes katër politikanëve në garë.

Kryeministri Edi Rama, është më i votuari në sondazh, me rreth 265 vota apo 86% të tyre. I dyti me më shumë vota është ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka 31 vota, ose 10% të tyre. Më pas janë renditur Lulzim Basha dhe Ilir Meta, me nga 2% të votave. Interesant është fakti, që ndonëse Berisha la pushtetin dhe drejtimin e Partisë Demokratike në vitin 2013, qytetarët e kanë votuar atë më shumë se kryedemokratin aktual Lulzim Basha apo dhe Ilir Meta, të dy shumë aktivë në skenën politike pas vitit 2013.

Por, veç votave të drejtpërdrejta në sondazh, mbi 1000 qytetarë kanë zgjedhur të komentojnë dhe japin opinione rreth këtyre katër personazheve të politikës shqiptare në rrjetet tona sociale. Kështu, mbi 871 qytetarë kanë komentuar në faqen Facebook të Realstory.al e mbi 220 qytetarë kanë komentuar në faqen zyrtare në facebook të drejtuesit të “Real Story”, gazetarit Sokol Balla. Sondazhi do të qëndrojë i hapur deri në datën 30 janar, ku qytetarët që ende nuk kanë votuar mund të shprehin mendimine  tyre në linkun e mëposhtëm.

Disa nga komentet e fundit të qytetarëve në rrjetet sociale lidhur me sondazhin:

“Në sensin negativ, Sala është kampion”, thotë Besnik Kapri, një komentues.

“Edi Rama është ai që jep shpresë, emjrat e tjerë kurrë mos ardhshin në pushtet”, thotë Zhaneta Çuni, një tjetër komentuese në sondazh.

 Por ka dhe qytetarë që zgjedhin emrin e Fatos Nanons, ndonëse ai është shkëputur nga politika prej shumë vitesh.

Gjithashtu, shumë qytetarë komentojnë vetëm emrin e politikanit, pa dhënë opinione, ku kryesisht kryeministri aktual Edi Rama ka marrë më shumë vota.

Mbi shfaqjen e fantazmës së Sali Berishës në Presidencë

Nga Mero Baze

Vizita e Sali Berishës në Presidencë ishte e panevojshme për Ilir Metën. Ai ka më shumë se një vit që e ka atë këshilltar të krizës që ka prodhuar dhe bashkëluftëtar të betejës kundër reformës në drejtësi.  Ai është ideatori dhe mbështetësi i djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve, mbështetës i dhunës në rrugë dhe teorisë së revolucionit që do të tojë me dhunë. Ai është mbështetës i përpjekjes për puç kushtetues të Ilir Metës dhe inkurajuesi i fundit i klithmave për vetëflijim të tij. Ka një jetë të tërë që fuqinë politike e mbështet tek përgjakja dhe viktimat.

Ndaj Ilir Meta mund ta kursente lodhjen e tij fizike deri në Presidencë, se është dhe moshë e thyer, vetëm që të na tregojë se u këshillua me një ish- president. Për herë të fundit, kur ai ka dalë nga dera e asaj godine, Shqipëria ishte e zhytur në gjak dhe me tre mijë të vrarë, dhe pas 22 vjetësh, ende nuk e ka marrë veten. Nga ana tjetër, ky takim është i panevojshëm dhe për Partinë Demokratike, pasi i krijon një hutim dhe çoroditje, se kë ka kalë beteje Sali Berisha në këtë histori. Kryetari formal i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po i qëndron larg kësaj historie.

Ai po merret kryesisht me të ardhmen e bujqësisë dhe blegtorisë në vend dhe mundësinë e bujqësisë digitale, kur të vijnë në pushtet. Niveli i angazhimit të tij politik, qetësia me të cilën organizon takime nëpër fshatra dhe njëlloj ngopje me gjumë që i vërehet në fytyrë, është në kontrast të thellë me nervat e shkatërruara të Ilir Metës dhe Sali Berishës, me retorikën e tyre staliniste kundër faktorit perëndimor në Shqipëri dhe thirrjet për rrëmbim armësh, nën fantazmën e fundit të Allendes. Kjo në një farë mënyre e çorodit Partinë Demokratike, pasi tani është më e paqartë se kurrë, se nga duhet shkuar, nga pushka ku e thërret Berisha e Meta, apo kazma e lopata, ku e thërret Basha.

Për ata që duan luftë, Berisha duket se u ka gjetur një kryetar të ri opozitarëve, dhe ai është Ilir Meta, por nuk ka njoftim që Basha ka ikur. Ai vazhdon të jetë kryetar dhe po merret me reformën zgjedhore dhe reformën në bujqësi. Pastaj do të hyjë në zgjedhje. Së fundmi, shfaqja e fantazmës së Berishës në Presidencë e bën dhe më të vendosur faktorin perëndimor t’i rezistojë retorikës agresive të tyre.

Nën thirrjet  e sotme për të mbrojtur Presidencën me trupat e tyre dhe me gjak po qe nevoja, Berisha nuk është se mund të prishë ndonjë punë më shumë se sa ka prishur, me SHBA dhe vendet e tjera perëndimore, ndërsa Ilir Meta thjesht do t’i përgjigjet ndonjë telefonate të vështirë, për t’i treguar se Perëndimi nuk ka axhendën e tij.

Fantazma e Sali Berishës nuk tremb dot më askënd në Presidencë. Ajo mund t’i kujtojë shumëkujt luftën, por ngjall neveri ndaj luftënxitësit, mund të kujtojë të vrarët e tij, por zgjon urrejtje ndaj tij, mund të kujtojë që dikur një president dogji Shqipërinë për të shpëtuar vetë, por nuk na bind dot, se tani do djegë Ilir Metën për të shëptuar vetë përsëri. Bashkë do ikin.

Berisha sulm frontal ambasadorit të OSBE

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Bernd Bochardt, si njeri “të njëanshëm me Edi Ramën”. “Ndërkombëtarët nuk kanë refuzuar. Bochardt është jashtëzakonisht i njëanësuar me Ramën, por unë nuk besoj se mund të refuzojë angazhimin e ODIHR në reformë. ODIHR nuk pranon të vijë në reformë nëse njëra palë kundërshton”, tha Berisha. 

Më tej, ish-kryeministri, akuzoi dhe kreun aktual të qeverisë, Edi Rama, duke u shprehur se ai kundërshton ardhjen e ODIHR, për të bllokuar negociatat. “Edi Rama e kundërshton ardhjen e ODIHR se dëshiron me çdo kusht të bllokojë negociatat. Nuk pyet për asgjë tjetër përveç karriges së pushtetit ekzekutiv dhe parave të tij. Nëse do të ishte serioz ky, Gjykatat Kushtetuese do të ishte ngritur me kohë, Gjykata e Lartë, SPAK, BKH”, është shprehur Berisha.

Berisha mendon se Reforma Zgjedhore, duhet të jetë lëshimi i parë i Edi Ramës. “Është kusht nga më kryesorët reforma elektorale. Nuk ka kryeministër që do hapjen e negociatave që nuk i thotë opozitës shkruaje vetë dhe hajde ta votoj, mjafton të ruash standardet. Ky i thotë opozitës karroca e trenit, lësho rrugën. Lëshimi i parë në këtë krizë që duhet të bënte kryeministri ishte kjo që ai nuk e bën. Po çfarë humbet ti me reformën elektorale?”, deklaroi Berisha, në një intervistë në Ora News.

Valdrin Pjetri drejtor që në kohën e Berishës, PD u kujtua tani (për të shpëtuar Voltanën)

Të martën Partia Demokratike publikoi disa dokumente, që sipas Selisë Blu, tregojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali. Kryebashkiaku i ri i Shkodrës, zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste në 30 qershor, i ka mohuar akuzat. Për rastin në fjalë ka reaguar dhe Kryeministri Edi Rama, i cili është distancuar duke u shprehur se “Valdrin Pjetri dhe PS i kanë rrugët e ndara derisa të zbulohet e vërteta”.

Por, megjithëse PD i publikoi vetëm këtë 13 gusht dokumentet që akuzojnë Valdrin Pjetrin se ka fshehur të dhënat për të shkuarën e tij, Selia Blu nuk e njeh sot kryebashkiakun e ri të Shkodrës. Valdrin Pjetri është bërë pjesë e politikës në vitin 2010, kohë kur në qeveri ishte PD e drejtuar nga Berisha.

Sipas jetëshkrimit të tij, publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Pronave, mësohet se Pjetri në vitin 2010 mori detyrën e Administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi). Këtë fakt e citonte dhe Zëri i Amerikës në një shkrim të publikuar gjatë pasdites të së martës.

Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë më PS një emër nese zgjedhjet përsëriten?

Më pas, në vitin 2014-2015, Valdrin Pjetri ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Pronave në Ministrinë e Mbrojtjes. 2014-2017, Kryetar i Komisionit të Demontimit të Municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes. 2015-2018 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Minitrinë e Mbrojtjes. Janar 2018 – maj 2018 Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.

Pra, Valdrin Pjetri nuk është rastësisht në politikë, madje ai ka mbajtur poste të larta drejtuese, si në administratën e qeverisë Berisha dhe të Ramës. Por publikimi i dokumenteve për dënimin e tij nga PD, vijnë në një moment kur Selia Blu është futur dhe më thellë në krizën që krijoi vetë, duke refuzuar çdo mundësi dialogu me qeverinë, dhe humbur çdo pushtet pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

PD duket i “shpëtoi” përkohësisht zyrën Voltana Ademit në Shkodër, pasi është shtyrë konstituimi i këshillit bashkiak deri në zbardhjen zyrtare të vërtetës për Valdrin Pjetrin. Por njëkohësisht, në media, lëvizja e PD po shihet edhe si një mundësi për zgjidhjen e krizës, duke përsëritur zgjedhjet në Shkodër dhe jo vetëm.

Mediu kundër Bashës: Duhet dialog me Ramën

Një nga aleatët historik të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës, Fatmir Mediu, ka dalë kundër qëndrimeve të Partisë Demokratike, që nuk pranon 13 tetorin si datë zgjedhjesh lokale, pa mbajtur njëkohësisht dhe zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Në një intervistë për A2 CNN, Fatmir Mediu ka dekluar se Partia Republikane do të rregjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit.

“Padyshim që do të regjistrohemi në zgjedhjet e 13 tetorit. Unë mendoj se detyra e një force politike është dhe në mënyrë të veçantë i opozitës është respektimi i Kushtetutës. Unë nuk jam as euforik, por as naiv për të moskuptuar realitetin politik që ka Shqipëria. Por ajo që është e rëndësishme për një forcë politike, ndryshe nga institucionet e tjera që merren me diskutime të ideve politike, është që një forcë politike të ndërmarrë të gjitha hapat për të ndërtuar një raport të drejtë me qytetarët dhe për të ndryshuar një realitet që është i papranueshëm për ta”, u shpreh Fatmir Mediu.

Megjithatë, 13 tetori ka rënë si dekret, pasi Kolegji Zgjedhor ka njohur 30 qershorin si datë të ligjshme të zgjedhjeve, të cilat tashmë janë certifikuar në çdo shkallë institucionale, dhe ka nisur betimi i kryetarëve të rinj që do të drejtojnë bashkitë në katër vitet e ardhshme. Gjithsesi, Fatmir Mediu, edhe pse e di, se në kushte të tjera do të duhej që brenda datës 4 gusht të regjistrohet si garues, pasi Kodi Zgjedhor parashikon 70 ditë para datës së zgjedhjeve, shprehet se Lulzim Basha duhet të negociojë për zgjidhjen e krizës. Ndërkohë, vetë Mediu pranon se është gati të ulet në tryezë dhe me Edi Ramën.

“Kundërshtarin politik t’i nuk e zgjedh dot, ai është zgjedhur nga dikush tjetër. Mendoj se ndonjëherë është më mirë të merresh me atë që ke kundërshtar të drejtpërdrejt politik se sa me vegla të kundërshtarit politik. Kjo e kthen pastaj dialogun në mënyrë qesharake. Është shumë e rëndësishme që ne të arrijmë në një mirëkuptim, nëpërmjet negociatave që ne të zgjidhim këto probleme për të garantuar që të kemi një qeverisje tranzitore, e cila nuk do të jetë më një qeverisje e Ramës, por një qeverisje e një vullneti politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por pa Ramën Kryeministër”, tha Mediu.

Megjithatë, ndonëse Mediu shprehet se “duhen garantuar zgjedhje të lira dhe ndershme, pa Ramën Kryeministër”, deklaratat e tij për t`u ulur në tavolinë me Edi Ramën dhe për të pranuar 13 tetorin si datë për zgjedhjet lokale, tregon se brenda koalicionit opozitar nuk ka më unitet për qëndrimet në lidhje me zgjidhjen e krizës dhe dialogun me Edi Ramën.

Më herët, ka qenë Monika Kryemadhi, e cila fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit, deklaroi se “të isha unë në vend të Lulzim Bashës do të futesha në zgjedhje me Edi Ramën”, ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga LSI gjatë kësaj periudhe. Madje dhe vetë Basha e pranoi në një moment 13 tetorin “si një mundësi e mirë për zgjidhjen e krizës”, pas një takimi që pati me Ilir Metën. Por qëndrimin e kryedemokratit ndryshuan menjëherë duke “refuzuar” 13 tetorin si datë për zgjedhjet lokale, pa bashkuar me to edhe ato parlamentare.

Premtimet e kandidatëve për kryeministër…

Nga Eduard Zaloshnja

Në qershorin e vitit 1997, Fatos Nano u premtonte shqiptarëve në çdo takim elektoral se do t’u kthente 100% të parave të humbura në skemat piramidale, sapo të bëhej kryeministër. Pasi u bë kryeministër, për të realizuar premtimin e tij, krijoi një komision të posaçëm, i cili, pas shumë vitesh, u ktheu shqiptarëve vetëm 1% të parave të humbura…

Në majin e vitit 2005, si kalorës i “duarve të pastra”, Sali Berisha u premtonte shqiptarëve se do të fuste në burg kryehajdutin Nano, si dhe të gjithë “dukët e krimit” e “mamuthët e korrupsionit” rreth tij, sapo të bëhej kryeministër. Pasi u bë kryeminstër, i deklaroi Dojçe Veles se “nuk mund të fuste në burg kryetarin e opozitës”, pavarsisht se Nano kishte dhënë dorëheqjen nga kryesimi i PS-së… Dhe më vonë, disa nga “dukët” e disa nga “mamuthët” i mori në koalicionin e tij…

Në qershorin e vitit 2013, Edi Rama premtoi se do t’i çonte drejtësisë dosjet që do të siguronin futjen në burg të përgjegjësve për vrasjet e 21 janarit në bulevard dhe për vrasjet e Gërdecit. Kanë kaluar 6 vjet dhe asnjë dosje e tillë nuk ka shkuar në zyrat e drejtësisë…

Sot Lulzim Basha premtoi se, kur të bëhet kryeministër, do të hetojë të gjitha koncesionet e dhëna nga qeveria Rama, duke nisur që nga juristi më i thjeshtë e deri te kryeministri, ministrat dhe ish ministrat. Kushdo që ka firmosur një koncesion do të jetë objekt i një hetimi që do të ndërmarrë Basha, kur të bëhet kryeministër. “Për qeverisjen e PD-së dhe të opozitës, që ditën e parë të qeverisjes, para çdo gjëje dhe mbi çdo gjë tjetër, ne do të ndërrmarim një operacion të gjerë, të paparë ndonjëherë, me shtrirje nga Shqipëria në vendet e tjera për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e të gjithë vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë,” deklaroi kandidati për kryeministër.

Në qoftë se Basha e fillon hetimin e “paparë ndonjëherë” me 220 milionë eurot e mbipagesës së autostradës Rrëshen-Kalimash, duhet besuar se, ndryshe nga paraardhësit, do t’i mbajë premtimet parakryeministrore… 

Klosi: Akuzat e Berishës janë sajesa, në ’97 u kërcënua Kristaq Kume

Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi ka folur për sulmet reale që janë bërë ndaj kryetarit të KQZ në 1997 Kristaq Kume. Klosi tha se në atë periudhë, ndaj Kumes janë bërë dy atentate për ta përplasur me makina të mëdha. “Sigurisht që qëllimi nuk ishte ta vrisnin, por ta frikësonin” – tha Klosi, i cili në atë periudhë ka qenë ish-nënkryetari i KQZ. Këto atentate tha Klosi, bën që Kume të kërkoj pasaporta diplomatike për familjarët e tij për shkak se ndihej i kërcënuar me jetë. Klosi madje shtoi se e dinte shumë mirë se nga vinin këto kërcënime.

Dy herë i kanë bërë atentat Kristaq Kumes, si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve të 1997-s, e kanë përplasur dy herë me makinë. Më pas Kristaqi u detyrua të kërkojë pasaportë diplomatike për fëmijët dhe familjen. Unë në atë kohë kam qenë nënkryetar i KQZ-së dhe e di shumë mirë këtë punë se nga i vinin kërcënimet. Kam shkuar unë te Bashkim Fino, ku i kemi kërkuar pasaportë diplomatike për familjen e Kumes. U aksidentua dy herë, me fuoristrada të mëdha, goditën makinën e kryetarit të KQZ-së me makina të rënda. I prisnin rrugën natën, kur ai shkonte për në shtëpi. Kuptohet se nuk ishte qëllimi për ta vrarë, por për ta trembur, sepse ishte ideja se Kristaqi nuk ishte shumë konsekuent në luftën që po bënte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por Kristaqi nuk kishte se çfarë të bënte, zbatonte ligjin, por ne kishim shumicën dhe ai nuk ndikonte dot në vendimmarrje.” –  tha Klosi në një intervistë për Panoramën.

Akuzat e ish-kryeministri Berisha se ai kishte urdhëruar  të sulmonin banesën e tij me bombë, Klosi i quajti sajesa absurde. Ish kreu i SHISH tha se kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë dhe se nuk mban mend që Berisha të jetë kërcënuar ndonjëherë, përveç një rasti gjatë fushatës zgjedhore në Sukth të Durrësit. Klosi tha se kjo ka ndodhur gjatë fushatës zgjedhore të 1996, dhe është një rast publik që dihet nga të gjithë.

Të gjithë e dinë se gjatë fushatës elektorale të 1996-s, kur Berisha ishte President, në kohën që ai ishte duke folur në një miting elektoral në një fshat të Sukthit, dikush që ishte prezent iu afrua dhe hodhi një bombë, e cila nuk shpërtheu. U bë një gjurulldi e vogël, personin e kapën. Këtë rast mbaj mend t’i ketë ndodhur Berishës, jo ndonjë rast tjetër.”- tha Klosi, i cili shtoi se çdo kërcënim tjetër që Berisha nxjerr nga goja i ka sajesa të çmendura që nuk meritojnë as përgjigje.

Ky njeri nuk heq dorë nga çmenduritë e tij. Nuk meriton asnjë përgjigje, janë absurde këto që nxjerr nga goja. Kjo që thotë ai, se unë kam vënë një njeri që t’i hidhnin atij bombë, më bën vetëm të qesh me çmendurinë e tij. Nuk hoqi dorë nga këto sajesa. Unë kisha detyrë të mbroja Berishën gjatë kohës që kam qenë në krye të SHISH-it dhe pse ai ishte kryetar i opozitës. Pastaj, Berisha kishte roje të panumërta dhe s’bënte vaki të ndodhte një sulm i tillë. Nuk i afroheshe dot Berishës si President.” – tha Klosi

Klosi foli edhe për masën e marrë ndaj kreu të KQZ, Klement Zgurit duke e cilësuar atë si të nevojshme, pasi ka njerëz të çekuilibruar që kërkojnë të bëjnë protagonistin duke përmendur edhe rastin e Fatos Lubonjës. “Fatosi për mua duhet të kërkojë ndihmë në Polici, sepse Fatos Lubonja është dikush, është person publik dhe nëse kërkon mbrojtje, Policia duhet t’ia japë mbrojtjen.”

Meta nuhat fundin politik me not, si Berisha dikur!

Ilir Meta po ndjek rrugën e Doktorit (pikës së tij të dobët). Në gjithçka që po bën Presidenti (aktet politke dhe ato sociale), duket si kopje e Berishës. Nëse ju kujtohet, Berisha e ktheu në traditë para disa vitesh publikimin e videove duke notuar nga brigjet e jugut të Shqipërisë, ishte koha kur doktori po i afrohej fundit të pushtetit dhe shijonte në maksimum gjithçka.

Madje, aso kohe, Berisha nisi të bëhej dhe më aktiv në rrjetet sociale, kryesisht pasi la pushtetin, “Qytetari Dixhital” u shndërrua në burim informacioni, në shumicën e rasteve “fake neës”. Të njëjtën gjë po bën dhe Meta. Këtë të diel ka publikuar brenda disa orësh dy herë në rrjetet sociale. Diçka me rëndësi për vendin do thoni?! Jo, një foto montazh “meme”, ku shfaqet ai i transformuar nga mjeshtratat e rrjeteve sociale, dhe së dyti, një video disa sekonda, ku shfaqet duke notuar.

Videon, Ilir Meta e shoqëron edhe me një koment: Motto of the day. Më mirë në det, se në pishinë”, shkruan Meta, duke dashur të thumboj ndoshta Kryeministrin Edi Rama. Por, këto sjellje të kreut të shtetit, të lën të kuptosh se Meta e ka kuptuar fundin e afërt të largimit nga presidenca, dhe ashtu si Doktori (pika e tij e dobët), po përgatitet për rrjetet sociale.

Në këtë rrugë duket kreu i shtetit, pasi provoi gjithçka për të qenë protagnosit në krizën politike, që e thelloi më shumë vetë, tani po përgatitet për një “jetë të re”, atë pas politike. Fundja modelin e ka, e ka nisur me “not”, si Doktori.

MOTTO OF THE DAY!Më mirë në det, se në pishinë!

Gepostet von Ilir Meta am Sonntag, 7. Juli 2019

Një demokrat President, pas Ilir Metës?

Mes një zhurme të madhe në ditën e heshtjes zgjedhore, gjithsesi ulëret fort një heshtje e paprecedentë. Sali Berisha njoftohet prej disa kohësh se gjendet në kurim jashtë shtetit në një klinikë mjekësore. Prej dy javësh lideri historik i së djathtës, hesht. Lider? Kështu e quajti të premten në darkë në Real Story edhe Edi Rama. Njeriu që hoqi picirin prej Doktorit nga 1997 kur e rrahu, në 2011 kur desh e vrau para Kryeministrisë e pak muaj më vonë i vodhi pa e vrarë mendjen bashkinë në tavolinë, njeriu që s’e njohu kurrë për tetë vjet si kundërshtar zyrtar, befas është “lider” për Edi Ramën???

Ajo që të habit është edhe teatraliteti i gjoja përballjeve të dy ditëve të fundit. Për shembull rasti i Zef Hilës. Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës sipas qeverisë është shkarkuar dhe mediat raportuan gjatë ditës ndalimin e tij. Por vetë Hila në liri të plotë në një intervistë tha se ishte pyetur si qytetar në polici për ngjarjet, por ndërkohë vazhdonte të ishte në detyrë.

Që përpjekjet ndërkombëtare për negociata kanë nisur, realstory. al e ka raportuar prej disa ditësh. Burime diplomatike thonë se kushti i Bashës për të mos u ulur me Ramën si kryeministër mund të zgjidhet me një teknikalitet: takim fillimisht i Bashës me një socialist të një niveli të lartë e ndoshta pastaj me Ramën. Por po sikur në këtë skemë, të ketë diçka gabim? Po sikur në të vërtetë të jetë fillimisht një takim i Ramës me një zyrtar të lartë demokrat?

I vetmi që mund të kishte këtë staturë është Sali Berisha, por ai dihet se me Edi Ramën funksionon më mirë në distancë. Ashtu si në prill 2008 kur për 48 orë ndryshuan kushtetutën me dy korrierë: Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin. Por thirrja e pak ditëve më parë për Doktorin e Ilir Metës në letrën e koduar që i çoi Ramës, kishte dhe fjalinë: “Edhe ti e ke pikë të dobët Doktorin, pavarësisht se ndryshe nga unë, nuk e thua me zë të larte”. Mos vallë Ilir Meta ka marrë vesh diçka? Mos mes Ramës dhe Berishës ka nisur një komunikim në distancë, që përjashton për momentin Bashën, dhe (sigurisht) edhe Ilir Metën? Mos vallë këtu bazohet shqetësimi i Presidentit për heshtjen e Doktorit, shprehur hapur në daljet e tij publike të herëve të fundit?

Gjithsesi gjithçka duket lidhet me atë se çfarë do të ishte objekti i marrëveshjes PD PS? PD pas 1 korrikut është totalisht në rrugë, jashtë çdo pushteti, dhe përfaqësohet në institucione vetëm me një figurë groteske, Erinda Ballancën, në postin e avokatit të popullit. Pra marrëveshja e mundshme duhet t’i japë diçka PD. Diçka të madhe dhe me vlerë, që të garantojë çbalancimin e pushteteve pas 30 qershorit dhe të jetë fletë garancia e rikthimit të saj në institucione. Për momentin e vetmja gjë në tavolinë, është koka e Ilir Metës. Ose më saktë, karrikja që ai do të lerë bosh shumë shpejt.

Maxhoranca tashmë është në rrugën pa kthim të shkarkimit të tij, që mund të ndodhë mes korrikut dhe shtatorit 2019. Ilir Meta sot është pothuajse i shkarkuar, sa kohë maxhoranca, gjyqësori dhe ndërkombëtarët nuk i njohin si të ligjshme dekretet e tij. Por befas të enjten atë nuk e “njohu” as Lulzim Basha. A ishte edhe ky një sinjal i koduar në distancë se Basha ishte game on, në skemën që duket ka edhe mbështetjen Amerikane?

Per këtë, le t’i rikthehemi fushatës. Rama nuk ka kursyer Ironinë ndaj liderit të PD, por kurrë nuk e ka quajtur me tone fyese. Edhe retorika ndaj Berishës është zbutur dy javët e fundit, përjashto kur Rama i është referuar reformës në drejtësi. Por ka një tjetër personazh që është sulmuar këtë fushatë: Ilir Meta. Ashtu si vjet më parë si Tepsi, sot si Haxhi Qamil. Dhe në këtë diskurs, në fjalorin e Ramës është përsëritur disa herë dhe fort, një Mea Culpa Ndaj Bujar Nishanit. Ai është krahasuar, sigurisht me Ironi me Xhefersonin, krahasuar me Metën, gjë që ka një të vërtetë në mes. Se pavarësisht Vokacionit të djathtë, Nishani nuk bëri kurrë lojëra me Kushtetutën. Bile në 2017, i dha leksion paraprak Metës sesi nuk duhet të luajë me dekretin e zgjedhjeve.

Por Bujar Nishani ka deklaruar se nuk synon më poste, pasi arriti të bëhej President i Republikës, por ai për shumë demokratë sot, shihet si kandidati më i mirë për të zëvendësuar kryetarin aktual, nëse nis një lëvizje Basha IK. Shenjat për këtë janë të forta, dhe Doktori e di shumë mirë se një çarje e re, do ta shkatërronte PD. Nishani si kryetar i PD do të ruante kohezionin e partisë, legacinë e Berishës, por edhe rregullonte raportet me amerikanët.

Por Berisha nuk mund të lërë Bashën në mes të rrugëve, pavarësisht dështimeve të shumta të tij. Vetëm kafshët i ngordhin vetë këlyshët e dobët, që të mbijetojnë më të fortët. NJerëzit funksionojnë ndryshe, qoftë edhe nëse quhen Sali Berisha: ruajnë fëmijën më të dobët. Berisha do që Basha të shpëtojë nga mali i dështimeve të veta.

Dhe sot politikisht Basha është më i dobët se kurrë. Më keq se kurrë me amerikanët që kontrollojnë BKH dhe SPAK. Dhe për më keq, ka futur gjithë PD në paralistën e zezë të tyre. Bujar Nishani jo. Ai kishte dhe ka raporte te shkëlqyera me amerikanët. Ai mund të ishte një element i besueshëm per ta. Nishani, ose “Xhefersoni” sic e quan Rama, do të kthente edhe PD në oborrin e ambasadës amerikane, (aty dhe e meriton të jetë). Berisha i heshtur prej takimit me amerikanët pak javë më parë, me siguri do të dëshironte pa fund rikuperimin me SHBA, para ngritjes së SPAk dhe të BKH.

Por për këtë, duhet të jetë dakort sigurisht Edi Rama. Dhe për këtë s’mjaftojnë vetëm “komplimentat” ironikë për Bujar Nishanin. Por të enjten në darkë ai bëri deklaratën që kaloi pa u vënë re nga shtypi. Skender Minxhozi duke folur për shkarkimin e Metës, i tha Kryeministrit se tashmë pas shkarkimit të Metës, socialistët do merrnin edhe presidencën. Një e drejtë morale sipas Taulant Ballës që në Real Story pak muaj më pare, kishte deklaruar se “presidenti i ardhshëm do të ishte një socialist”. Dhe sigurisht nuk e kishte për Ilir Metën, i cili hyri dy vjet më parë me fanfarën e një feste europiane, dhe po e del jashtë me shpejtësi nga zyra, sikur të ishte një element i rrezikshëm kamikaz i Boko Haram. Por Reagimi i Ramës ishte befasues të enjten në Real Story: “Kush tha se Presidenti i ardhshëm do jetë socialist?”

A është ky sinjali më i qartë i një marrëveshjeje të mundshme që do qetësonte vendin, Partinë Demokratike, por dhe Sali Berishën e Lulzim Bashën? Fundja Luli do kishte atë që kishte ëndërruar. një post të lartë pa u lodhur ta fitojë me garë. Vendin kështu në tetor do ta priste një skenar krejt tjetër nga ai i dekretit te Metës në datën 13 (ters), dy ditë para vendimit për hapjen e negociatave.

Dhe ja ku kthehemi te skenari amerikan për nisjen e negociatave: takimi i Ramës me një funksionar të lartë demokrat. Në këtë rast me Kryetarin Këshillit Kombëtar Bujar Nishani. Negocimi i tij direkt me Ramën si kryetar i ardhshëm i PD, do ta shpëtonte dhe Bashën nga sikleti i shtrengimit të dorës me një person që i tha “IK” pa sukses për gjashtë muaj rresht.

Kjo skemë do të ishte PINI dhe PUKU i kartës së bllokuar të krizës politike në vend dhe pikënisja e re jo thjesht e rikthimit të PD në sistem, por dhe ai i një klime të re të një vendi me tashmë një datë për hapjen e negociatave.

Kjo skemë sigurisht do të ketë edhe të humbur. Por Ilir Meta nuk mund të fitojë gjithmonë, megjithëse i ka patur të gjitha. Ai nuk mund të luajë me Ramën sa ai ta bëjë president e më pas të futet në fushatë për ta nxjerrë atë në opozitë. Ai nuk mund të luajë me Bashën e ta fusë në çadër, e më pas të hajë darkë me Ramën të restoranti i Pazarit. Ai nuk mund të përdorë Berishën për të fituar gjyqe, e të nesërmen të shkojë e të hajë ngjala me kundërshtarin e tij. Ai s’mund të bëjë gjithmonë negociatorin, se në fund dy të mëdhenjtë e kuptuan që në 2017, se janë në gjendje të bëjnë marrëveshje edhe pa nevojën e tij.

Dy të mëdhenjtë PD e PS, duket po e kuptojnë se i kanë ata, njëri PIN dhe tjetri PUK për zgjidhjen e krizës. Me koston që Ilir Meta do mbetet PAK i mërzitur. Po Iliri le të mërzitet S(PAK).

Kësaj radhe siç thotë Doktori: “E ka meritue”.

/Realstory.al/

Skip to toolbar