Vuçiç: Hiqni taksën.Thaçi: Nuk mund të vendosni kushte për dialog

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mban shpresa tek Samiti i Parisit për krijimin e një klime më të favorshme për rifillimin e dialogut me Serbinë. Thaçi tha se Serbia duhet të heq dorë nga vendosja e kushteve dhe të mos bëhet pengesë për rinisjen e dialogut. Më herët presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se “nëse hiqet taksa e rifillojmë njëherë dialogun. Ky është qëndrimi jonë”.

Nuk mund të ketë dialog, nëse vendosim kushte për dialog, ashtu siç po bën Serbia aktualisht. Dhe nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë, në përpjekjet e saj penguese për anëtarësim në UNESCO e Interpol. Por unë besoj se në javët e ardhshme do të krijohet një klimë për vazhdim të dialogut dhe Samiti i Parisit do të ishte një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkret për vazhdim të dialogut dhe për arritje të marrëveshjes.”- tha Thaçi

Këto deklarata dy presidentët i bënë gjatë forumin “Globsec” që u mbajt në Sllovaki, në qendër të së cilit ishte dialogu mes Serbisë dhe Kosovës.

Sot, takimi Haradinaj-Merkel. Në fokus marrëdhëniet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj do të zhvillojë të enjten një takim me kancelarin gjermane Angela Merkel, gjatë vizitës së tij të Berlin.

Në fokus të bisedimeve mendohet të jetë vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa vetë Haradinaj është shprehur se do të bisedohet edhe për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të Kosovës.

“Bashkëpunimi i bazuar në besim është i domosdoshëm në rrugëtimin e Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime evropiane dhe në fushën e sigurisë.

Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave tona të përbashkëta”, tha Haradinaj.

Kosova dhe Serbia ka disa muaj që kanë ndërprerë dialogun pas vendosjes së tarifës 100% nga qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë.

Kjo masë sipas udhëheqësve politik kosovar është vendosur për shkak të siç thonë “agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës. Liderët e Kosovës janë të vendosur të mos heqin dorë nga taksa derisa Serbia të njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Palmer: Nuk ka vijë të kuqe për bisedimet Kosovë-Serbi

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë një afat të caktuar për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por do të dëshironin një rifillim sa më të shpejtë të bisedimeve.

Në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk vendosin vija të kuqe në procesin e bisedimeve, por kjo nuk nënkupton se të gjithë mundësitë janë të hapura.

Zëri i Amerikës: Zoti Palmer, a prisni që Serbia dhe Kosova të nënshkruajnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre në Shtëpinë e Bardhë këtë vit?

Matthew Palmer: Ne nuk po kërkojmë ndonjë kuadër kohor të caktuar. Ne mbështesim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ne duam të shohim që dialogu për arritjen e këtij synimi të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në kohë. Në se kjo do të ndodh apo jo deri në fund të vitit, nuk jam në gjendje ta parashikoj.

Zëri i Amerikës: Presidenti Trump ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur. Prandaj ju pyeta, a besoni se ajo do të ndodh këtë vit?

Matthew Palmer: Në këtë moment jam më i interesuar që palët të ulen përsëri në tryezën e bisedimeve, të rifillojnë dialogun, të përparojnë hap pas hapi drejt një marrëveshjeje. Nuk mendojmë se vendosja e një kufiri artificial kohor do të ndihmonte arritjen e një marrëveshjeje apo të lehtësonte procesin. Por, duam që palët të rifillojnë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur dhe urgjentisht.

Zëri i Amerikës: Presidenti Vuçiç foli në parlament për një kompromis për çështjen e Kosovës dhe paralajmëroi se mund të ketë sulme nga shqiptarët nëse nuk arrihet një kompromis. A e shikoni këtë si një sinjal se ai është më i gatshëm të arrijë një kompromis nga sa ç’ka qenë më parë?

Matthew Palmer: Mendoj se presidenti Vuçiç e ka bërë të qartë se është i përgatitur të kthehet tek negociatat kur tarifat të hiqen dhe të punojë me Kosovën drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ne besojmë se ai është i sinqertë për këtë, ne besojmë se pala e Kosovës është gjithashtu e sinqertë në dëshirën për të siguruar marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Por këto janë çështje të ndërlikuara. Ato janë të ndërlikuara politikisht, emocionalisht dhe psikologjikisht. Pra do të duhet kohë për t’i zgjidhur. Hapi i parë sigurisht është që palët të ulen përsëri në bisedime për negociata dhe të ecin në drejtimin e duhur.

Zëri i Amerikës: Përse besoni se Vuçiç do ta arrijë këtë. Ai ka qenë në pushtet për shtatë vjet dhe asgjë s’ka ndryshuar?

Matthew Palmer: Ne besojmë se presidenti Vuçiç është i vendosur për një të ardhme evropiane për Serbinë dhe besoj se ka një kuptim të qartë tek të gjithë që janë të përfshirë në këtë proces se e ardhmja evropiane si për Serbinë edhe për Kosovën, do të kërkonte një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Pra shpresa jonë është që palët të takohen, të negociojnë, të arrijnë marrëveshje, ta zbatojnë atë dhe të hapin një rrugë të qartë evropiane si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Beogradi nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve para se Prishtina të heq tarifat. Prishtina e refuzon një gjë të tillë edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë bërë thirrje disa herë për ta bërë një gjë të tillë. Edhe ju e keni kërkuar këtë. Presidenti Vuçiç tha javën e kaluar se Prishtina do të heq tarifat kur “mentorët e saj perëndimorë të vendosin një gjë të tillë”. Cili është komenti juaj?

Matthew Palmer: Mendoj se është shumë e rëndësishme që Serbia, udhëheqja politike në Beograd të pranojë se Kosova ka agjenci të pavarura. Kosova nuk është thjesht një instrument i Shteteve të Bashkuara. Kosova është një vend i pavarur, një shoqëri e pavarur që ka politikat e veta dhe këto politika duhet të zbatohen. Çështja e negociatave, çështja e tarifave është çështje e ngarkuar politikisht në kontekstin e politikës në Kosovë. Ne do të mbështesnim pezullimin apo heqjen e tarifave si një mjet për t’u kthyer në dialog. Ne mendojmë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm përpara. Por, gjithashtu mendojmë se është e rëndësishme që vetë palët të gjejnë një rrugë për të manovruar sfidat në të dyja anët për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve, për të gjetur një rrugë përpara për të arritur një zgjidhje të negociuar.

Zëri i Amerikës: Pra ju thoni se Uashingtoni nuk mund të bëjë asgjë për të inkurajuar Prishtinën për të pezulluar tarifat?

Matthew Palmer: Jo, nuk është ajo që po them. Mendoj se ka gjëra që mund të bëjmë për të mbështetur dhe lehtësuar përparimin që përfshin inkurajimin e partnerëve tanë në Kosovë të mendojnë thellë dhe me kujdes nëse tarifat në fakt avancojnë interesat e Kosovës. Ne besojmë se interesat e Kosovës shërbehen më mirë me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Beogradin dhe për të arritur atë marrëveshje, ata duhet të kthehen tek dialogu dhe për të arritur tek dialogu, është e rëndësishme që tarifat të eliminohen si një pengesë për përparim.

Zëri i Amerikës: Kur do të ndodh kjo?

Matthew Palmer: Nuk mund t’u japë një datë për këtë por shpresoj që të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur.

Zëri i Amerikës: Do të ndodh këtë vit? A mendoni se dialogu mund të vazhdojë këtë vit?

Matthew Palmer: Po, mendoj se është absolutisht e mundur.

Zëri i Amerikës: Nëse flasim për modelin e zgjidhjes, duket sikur Gjermania dhe Franca e hoqën nga tryeza idenë e shkëmbimit të territoreve, pas samitit në Berlin.

Matthew Palmer: Ne mendojmë se është e rëndësishme që vetë palët të vendosin parametrat e marrëveshjes. Ajo çfarë ne do të dëshironim të shikonim është një marrëveshje me autorësi lokale, një marrëveshje të qëndrueshme, një marrëveshje të drejtë, një marrëveshje të zbatueshme dhe që mund të pranohet nga publiku i të dyja palëve, që mund të zbatohet drejt dhe plotësisht, dhe një marrëveshje që mund të çelë rrugëtimin drejt të ardhmes evropiane.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se SHBA-ja nuk e ka hequr nga tavolina idenë e shkëmbimit të territoreve? Pra, në kundërshtim me Gjermaninë dhe Francën?

Mattthew Palmer: Ne nuk po vendosim vija të kuqe në procesin e negocimit, për gjëra që palët nuk duhet të diskutojnë. Është në dorën e vetë palëve që të gjejnë rrugën për të lëvizur përpara, me mbështetjen tonë. Por, kjo gjithashtu nuk është një “çek i bardhë”. Do të dëshironim t’i shohim palët të negociojnë marrëveshjen më të mirë të mundshme; të na e paraqesin, nëse do të kërkojnë mbështetjen tonë. Nëse do të kemi shqetësime, do t’i shprehim ato dhe do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjen me palët për të arritur diçka që mund ta mbështesim dhe me të cilën mund të punojmë për zbatimin e saj. Por, ky nuk është procesi ynë. Ky është procesi i tyre. Ne i mbështesim.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni se do të ndodh në Paris?

Matthew Palmer: Nuk kam ndonjë pritshmëri specifike për atë takim

Zëri i Amerikës: A keni biseduar me partnerët francezë dhe gjermanë

Matthew Palmer: Absolutisht. Mendoj se synimi i takimeve, në Berlin në prill dhe në Paris në korrik, të ndihmojnë të krijojnë kushte që do të lejonte palët të ktheheshin në negociata përmes procesit të udhëhequr nga BE-ja që ka sjell marrëveshjen e Brukselit dhe ka prodhuar disa lëvizje përparuese për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Zëri i Amerikës: A do të marrin Shtetet e Bashkuara një rol më të rëndësishëm apo më të dukshëm në dialog tani që Komisioni Evropian po ristrukturohet?

Matthew Palmer: Ne kemi qenë partnerë me Evropën për këtë proces, e kemi mbështetur këtë proces dhe BE-ja e ka udhëhequr këtë proces. Nuk shoh ndonjë arsye specifike përse kjo duhet të ndryshojë në këtë moment.

Zëri i Amerikës: Shumë palë kanë bërë thirrje për një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara

Matthew Palmer: Në se do të ketë një rol për ne, që të jetë konstruktiv dhe mbështetës për këtë proces, një rol që partnerët evropianë dhe vetë palët do të donin që ne të luanim, ne jemi të hapur për çdo gjë që mund të bëjmë në mbështetje të këtij procesi.

Mogherini: Kosova të heqë taksën dhe të ulet me Serbinë. Ndryshe… konflikt

Në konferencën për mediat, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Frederica Mogjerini u pyet nga gazetari i Koha Ditore për operacionin policor të së martës në Kosovë dhe retorikën e presidentit Vuçiç, i cili tha se ushtria është në gatishmëri.

Mogherini tha se ajo çka ndodhi në Kosovë tregon qartë se statuskuoja në Kosovë nuk është e qëndrueshme, ndaj dhe Kosova dhe Serbia duhet të rikthehen në tryezën e dialogut. Ajo tha se nëse nuk dialogohet mes dy vendeve, konflikti i së kaluarës është gati të lindë.

“Ajo çka ndodhi në Veri të Kosovës na tregon se statuskuoja nuk është e qëndrueshme dhe Prishtina e Beogradi duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të ecin drejt një marrëveshje të qëndrueshme dhe të normalizohen marrëdhëniet. Ajo na kujton nevojën se gjithë rajoni ka për normalizimi e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të ishte mënyra më e mirë se gjithë rajoni përfiton nga pajtimi. Çdo ditë na kujtohet faktin se ka tendenca të së kaluarës, për konfrontime dhe për retorikë jo bashkëpunuese. Konfrontimi mund të lindë në çdo moment, ndaj themi se jemi në udhëkryq. Nëse na humbet kjo mundësi shikoj rrezik të forcave të rrezikshme të së kaluarës dhe konfrontime. Do përmendja që Kosova duhet të heqë taksën për mallrat serbe pasi pengon kushtet për dialog dhe marrëveshje. Ne jemi të gatshëm që të flasim me ta n çdo moment për të nisur bisedimet”, tha Mogherini.

Zëdhënësja e Mogherinit reagon për arrestimet në Kosovë: Palët të përmbahen

Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç, i bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të përmbahen në lidhje me deklaratat për operacionin policor të zhvilluar sot në veri të Kosovës.

Koçijançiç është shprehur se BE mbështet sundimin e ligjit dhe prezumimin pafajësisë. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se BE është në kontakt të vazhdueshëm me lidershipin e Prishtinës dhe Beogradit.

 “Sigurimi i sundimit të ligjit, përfshirë edhe presupozimin e pafajësisë, është një objektivë që BE-ja fuqishëm e mbështetë. Operacionet e policisë duhet të sjellin besim në sundimin e ligjit për të gjitha komunitetet. Operacionet e tilla duhet të riforcojnë e jo të dobësojnë përpjekjet për normalizim. Fuqishëm besojnë se më shumë bashkëpunim policor dhe gjyqësor është i nevojshëm për të gjithë aktorët duke respektuar në tërësi marrëveshjen e Brukselit”, është shprehur Koçijançiç.

“Operacioni policor në Mitrovicë i drejtuar ndaj të dyshuarve individualë nga i tërë rajoni dhe nga pjesët tjera të Kosovës, duke ndjekur urdhrat e Gjykatës, duhet të zbatohet në përputhje me ligjin dhe të komunikohet në mënyrë të duhur. Ne jemi në kontakt me lidershipin në Prishtinë dhe Beograd dhe kemi bërë thirrje për përmbajtje maksimale”, thuhet në reagimin e BE-së.

Policia e Kosovës ndërmori mëngjesin e së martës një operacion të gjerë për të goditur krimin e organizuar dhe kontrabandën duke arrestuar disa zyrtarë serbë, shqiptarë dhe boshnjakë, por edhe një rus.

Vuçiç, në Kuvendin e Serbisë për Kosovën. Jep dy zgjidhje

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka prezantuar sot në Parlament një raport mbi Kosovën. Por pak para hyrjes së tij në parlament, ai u prit nga disa anëtarë të Dverit me thirrjet “Tradhti-tradhti”. Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët nga mediat serbe, në seancë morën pjesë edhe kryeministrja Ana Brnabiç, ministrat e qeverisë së Serbisë, si dhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç.

Një pjesë e mirë e anëtarëve të shumicës qeverisëse dhe disa anëtarë të opozitës morën pjesë në punën e seancës, ndërsa një pjesë e mirë e opozitës e bojkotoi duke zgjedhur të mungojë në seancë.  Vuçiç foli edhe për zgjidhjen e problemit të Kosovës ndërsa tha i bindur se ekzistojnë dy skenarë, ai i një situate normale ose të një konflikti të ngrirë. “Kjo do të ishte katastrofale”, tha ai, duke shtuar se do të vazhdojë luftën për serbët në Kosovë.

Limaj: Askush në Kosovë s’ka mandat për negociata që cënojnë Kushtetutën!

Zëvendës Kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i ftuar në emisionin “Real Story”, i pyetur nga gazetarët, ka komentuar çështjen e “korigjimit të kufirit” me Serbinë. Limaj shtoi se në Kosovë askush nuk ka tagrin për të diskutuar çështje që shkelin Kushtetutën e vendit.

“Askush në Kosovë nuk ka mandatin për të diskutuar çështje që janë në shkelje të Kushtetutës së vendit. Është votuar një dokument dhe duhet ti përmbahemi”, tha Limaj.

Më tej, Limaj shtoi se procesi i Dialogut midis Kosovës dhe Serbisë i zhvilluar në Bruksel, ka dëmtuar itegrimin e serbëve të Kosovës.

“Unë dhe shumë njerëz në Kosovë mendojmë që procesi i Dialogut në Bruksel, ka dëmtuar dhe atë integrim që kishin serbët e Kosovës”, shtoi Fatmir Limaj.

“Taksa hiqet vetëm pas njohjes”

Në një intervistë ekskluzive për gazetarin Thimi Samarxhiu, kryeministri i Kosovës ka folur lidhur me përplasjet me kryeministrin Rama dhe presidenti Thaçi, akuzat e bëra ndaj tyre dhe se çfarë ndodhi në samitin e Berlinit. Gjatë intervistë Haradinaj foli edhe për taksën e vendosur për produktet serbe që ka çuar edhe në ngecjen e negociatave me Serbinë. Haradinaj tha se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia të njoh Kosovën dhe se kërkoi që qeveria Shqiptare të mbështes Kosovën dhe ta besojë në vendimet që merr.

Gazetari: A mendoni që Shqipëria duhet të hyjë kaq shumë në interesin e Taksës?

Haradinaj: Unë nuk mendoj që Shqipëria duhet të mbetet indiferente në çështjet e interesit nacional, as në Kosovë e as në ndonjë vend që ka shqiptarë. por duhet gjithashtu të respektojë qëndrimet e përfaqësuesve të atij vendi. Nëse unë duhet të mbaj një qëndrim për shqiptarët, duhet të kem në konsideratë qëndrimet e atyre që janë në terren. Kur ishte rasti I taksës, amerikanët thanë me pezull taksën. Unë thash që jam ushtar në frontin e parë të Amerikës kundër rusit. Vija mes Kosovës e Serbisë është vija mes Amerikës e Rusit. Unë thash që jam në vijë të parë e ti je eprori im, ti po më thua dorëzohu te armiku. unë me kushtetutë të Amerikës kam të drejtë të them jo. Shqipëria ka te drejtë të interesohet, por gjithashtu duhet të respektohet integriteti I atij që mban vijën e frontit. pra nuk më pengon kurrë interesimi I çdo bashkëkombësi tim, qoftë edhe pa detyre zyrtare për çështjet e interesit kombëtar. Përkundrazi e marr pozitivisht. por nëse jam ne vijë të frontit, e di unë çfarë drejtimi mbaj, jo ai që rri atje larg. Sepse në raste të caktuara ata nuk i kuptojnë proceset.

Gazetari: Po flisni këtu për kryeministrin Edi Rama?

Jo, por ka raste që ata që bëjnë politikat nga larg, nuk e kuptojnë gjendjen reale. Si mund dikush në Tiranë të më tregojë sa e kontrolloj unë Veriun? Unë s’mundem të vij dhe të tregoj ty si e kontrollon ti një gjë Shqipëri. Jo sepse ti që je aty e di më mirë. Ne nuk jetojmë të gjithë në parametra të njëjtë. Vijmë të gjithë nga përvoja të ndryshme. Unë nuk kam kryer akademinë apo shkollën e arteve. Por kam kryer një shkollë të vështirë jetësore. që fëmijë jam përball të mbroj familjen, jetën e familjes prej një pushuesi shumë të egër. Unë çdo dy tre ditë jam në përvjetor të masakrave. Le të vijnë udhëheqësit e Shqipërisë të tre, edhe presidenti Meta dhe zoti Ruci edhe Zoti Rama, e ti përjetojnë një javë këto masakra, pas një jave ata do të jenë shumë më të ndryshëm. Kjo është ajo që dua unë të shpjegoj, lërja atij që po përballet të veprojë.

Gazetari: Kur do te hiqet taksa?

Haradinaj: Kur të na njohë Serbia. kjo është e vërteta. Kur të na njohë Serbia do hiqet taksa.

Gazetari: Një mesazh për klasën politike në Shqipëri kur Kosova është në presion të madh nga gjithë palët për të hequr taksën?

Haradinaj: Shumicën e angazhimit Shqipëria e ka të mirë për Kosovën, por duhet të na besojnë edhe kur mendojnë se ne e kemi gabim ndonjëherë. Duhet të bëjmë kujdes që kur marrim qëndrim për çështje të interesit të Kosovës, është me rëndësi të kuptojnë që duhet të bëjnë kujdes.

Deklarata e fortë e Vuçiç: S’do ta njoh Kosovën edhe sikur të vritem

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një intervistë për agjencinë e lajmeve Tanjug, ka deklaruar se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës edhe sikur të vritet.

 “Mund të më vrisni, por ajo nuk do të ndodhë. Ju them, anglezëve dhe gjermanëve se nuk do ta bëjë atë. Më goditni, por unë s’do ta bëj. Mund të jem president edhe për 15 vjet, por nuk e njoh Kosovën” deklaroi ai.

Një deklaratë e tillë e Vuçiçit vjen pikërisht sot kur ai pritet të vijë në Tiranë për të marrë pjesë në samitin Brdo-Brione, ku marrin pjesë liderët e Rajonit.

Samiti i Berlinit, çfarë do të ndodh me bisedimet Kosovë-Serbi?

Takimi i Berlinit i organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kroacinë e Slloveninë, shënon edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, që nga nëntori i vitit të kaluar.

Bisedimet ndërmjet tyre u pezulluan për shkak të reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Që atëherë Serbia ka ngulur këmbë se nuk do të vazhdojë bisedimet pa u hequr tarifat, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi të bindë qeverinë e Kosovës për pezullimin e tyre.

Organizatorët janë treguar të kursyer në paralajmërimet se çfarë mund të pritet nga takimi i së hënës, duke nënvizuar se do të diskutohet për “qëndrueshmërinë e rajonit, me përqendrim të posaçëm në gjetjen e rrugës për të rifilluar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Por, që nga paralajmërimi i takimit, janë ngritur shumë pikëpyetje se çfarë mund të sjellë ai në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Në qendër të të gjitha diskutimeve e analizave ishte ideja që ky takim do t’u japë fund ideve për ndryshime kufijsh, që ishin hedhur që në verën e vitit të kaluar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Më e zëshmja kundër ideve të tilla ishte Gjermania e cila i ka parë për të madhe dhe shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, faktin që lejoi të diskutohen ide të tilla në bisedimet e ndërmjetësuara prej saj.

Zonja Mogherini po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në takim, por duke zëvendësuar presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili ishte ftuar fillimisht nga organizatorët e takimit.

Mediat spekuluan gjatë javëve të fundit se Berlini do të mund të propozojë një “status të posaçëm” për veriun e Kosovës, mbështetur në marrëveshjen e pazbatuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, madje pati edhe ide për një sovranitet të dyfishtë në veriun e Kosovës.

Para së të nisej për në Berlin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk pret që “aty të ndodhë dialog mes Kosovës e Serbisë, apo negociata, por vazhdoj të ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do ishte me interes mbështetja e së drejtës së shqiptarëve të Luginës (së Preshevës) për bashkim me Kosovën. Por, gjithmonë do të jem kundër shkëmbimit të territoreve. Është pazar e këtë s’e lejojmë, por s’do të lejojmë në asnjë rrethanë, as edhe një lloj sovraniteti të dyfishtë, as model gjermano-gjerman, sepse është i kaluar e as Republikë Serbe, e as asociacion”, tha ai.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha para takimit se në Berlin Serbia është e vetmuar meqë “të gjithë do të thonë se Kosova është e pavarur” dhe nuk mund të kërkojë asgjë më shumë.

“Prandaj kam folur për vënien e kufirit (ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve), që të fitojmë ndonjë gjë… Tash e di që nuk mund të luftojmë për atë ide”, u tha ai medieve serbe.

Nisma e kancelares Merkel dhe presidentit Macron në radhë të parë duket një përpjekje për të tejkaluar bllokadën e krijuar në bisedime, por edhe një kritikë e rreptë ndaj Brukselit, që dështoi jo vetëm të gjejë një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por, madje edhe për t’i bindur palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Një pjesë e analistëve perëndimorë besojnë se takimi do të varrosë idetë e ndryshimit të kufijve, madje bëjnë thirrje që kjo të ndodhë. Nisma Evropiane për Stabilitet në një analizë para takimit të së hënës tha se “Bashkimi Evropian duhet të mbyllë menjëherë ‘kutinë e Pandorës” me bisedimet e mëtejme për rivizatim kufijsh ne Ballkan”.

Nuk ka pasur ndonjë reagim më të vëmendshëm nga pala amerikane rreth takimit të së hënës, por ish zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Yee, tha gjatë një debati në Washington se takimi i Berlinit nuk është vendimtar por është një mundësi e mirë për bisedimet.

Ai tërhoqi vërejtjen se duhet një strategji më e mirë dhe më e efektshme për Ballkanin Perëndimor, i cili “nuk është atje ku duhet të jetë”. /Marrë nga VOA

Skip to toolbar