“Partia imponon, këto lista nuk janë të hapura”, Skënder Minxhozi: Zona e kuqe, sfidë titanike

Analistët kanë diskutuar sonte në emisionin “Real Story” në Neës24 për ndryshimet kushtetuese dhe listat e hapura të ndarë në qëndrime. Analisti Skënder Minxhozi deklaron se këto lista nuk janë të hapura duke shpjeguar si ndahen zona e gjelbër me renditjen e partisë, subjektit dhe zona e kuqe që do të zgjidhet nga qytetarët.

DEBATI

Skënder Minxhozi: Të thuash që janë 100% të hapura do të thuash një gjë që nuk qëndron. Me këtë lloj drafti të gjithë jemi informuar këto ditë pasi ka dalë ky propozim për ta kuptuar se çfarë ishte dhe kemi marrë dhe mendim nga ekspertë. Të gjithë konvergojnë në një pikë që këto nuk janë lista të hapura, duken sikur janë por fakti që pranohet se ka një zonë të gjelbër dhe një zonë të kuqe që i duhet të bëjë një sfidë titanike kjo nuk shkon.

Kur ti ke 18 vetë të sigurt në Tiranë është teorikisht e pamundur që të sfidosh dhe katet e fundit të kësaj liste ndërkohë që pjesa tjetër është krejtësisht e mbyllur. Të bësh këto lloj listash me këto zona të gjelbra kaq të blinduara, se realisht veç sugjestionim vote, partia që ka bërë listën, mendon këtë renditje, patjetër është imponim.

Unë jam i 25-ti dhe ti i 3-i unë duhet të kap ty.

Adrian Thano: 25 në rast se është një personalitet me zë në opinionin publik mund të marrë 7 mijë vota, nuk e kap mesataren. Ndërkohë ai i listës së gjelbër me 2 mijë vota merr mandatin.

Skënder Minxhozi: Me 7 mijë vota kap të fundit, ose të parafundit nëse është grua.

Sokol Balla: Domethënë vetëm të jesh gjeni.

Skënder Minxhozi: Listat janë të hapura veç për zonën e kuqe. Aty ku ngushtohet gara është e pamundur, Kukës etj. Pyetja 1 milion dollarëshe është ti thua ua hapa 100% listat por ama merrni dhe këtë listën time.

Sokol Balla: Është dhe një casus belli, se për këtë u bë lufta me palën tjetër.

Skënder Minxhozi: Pse e dekurajoi opozitën me këtë kthehet dhe e ribën indirekt atë që e prishe. Duke i dhënë në dorë Bashës, krerët e partive të tjera të opozitës.

Vasjari: Sakos iu bë presion. Balla: Nuk e besoj, ta thotë publikisht

Analisti Arian Vasjari dha një informacion në “Real Story”, që sipas tij mbetej për t`u konfirmuar, ku bëhet fjalë se ish-kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako dha dorëheqjen për shkak të presionit. Sipas tij, Sakos i është bërë presion pasi kërkoi që Prokuroria të hetojë dëmtimet e banesave në Durrës dhe lejet e ndërtimit. Vasjari nuk dha detaje për burimin, por sipas tij burimi është i sigurt.

“Unë kam një informacion, që mbetet për t`u verifikuar. Kryebashkiakja e Durrësit iku sepse i është bërë presion. Ajo ka kërkuar hetim”, tha ndër të tjera Vasjari. Ndërkohë, drejtuesi i emisionit “Real Story”, Sokol Balla replikoi në lidhje me këtë pohim të analistit Vasjari. Gazetari Balla tha se nuk e beson këtë informacion, pasi sipas tij, nëse do të qëndronte, Valbona Sako duhet të dilte ta thoshte publikisht.

“Unë nuk e besoj këtë. Nuk e besoj sepse nëse do ishte kështu, kryebashkiakja duhet të dilte dhe ta thoshte publikisht; unë po iki, se më është bërë presion”, tha ndër të tjera gazetari Balla. Ndërkohë, ai shtoi se një informacion i tillë merret me rezervë, ndërsa e ftoi kryebashkiaken e dorëhequr të Durrësit të fliste publikisht, nëse i është bërë një presion i tillë. /Realstory.al/

Sokol Balla: Ilir Meta themeloi sonte Hamasin e tij

Nga Sokol Balla

Sonte ishte i qetë. Bipolarizmi i Ilir Metës sot prodhoi versionin e tij të qartë, ose më saktë tregoi se klithmat e tij të javëve të shkuara, ishin të kalkuluara. E kam shkruar që në nëntë korrik se çfarë do të ndodhë me të (lexoje shkrimin këtu). Ilir Meta po kthehet në politikë. Sonte ai shpalli krijimin e partisë së Referendumeve. Dhe kush mendon se unë po bëj lojëra fjalësh, e ka gabim. Që kur Ilir Meta takoi Erdogan në korrik sivjet, diçka ndryshoi tek ai. U bë sovranist, nacionalist, radikal. Sonte ai kërkoi që populli të vendoste dhe jo Gjykata Kushtetuese, nëse dekretet e tija janë kushtetuese. Pra Ilir Meta u bë edhe populist.

Dhe nuk e ka gabim. Ai tha se sistemi i partive ka vdekur. Në rastin më të largët, sigurisht ai është vjetëruar. E ka humbur kontaktin me njerëzit dhe ndofta dhe fjalimet tre orëshe të Kryeministrit e tregojnë këtë. Ndërsa Ilir Meta sonte s’foli as 30 minuta. Si për të treguar diferencën mes tij dhe të “vjetërve”. Përfshirë edhe ish-partinë e tij, që tani ja ka lënë familjes, fiks si një shtëpi e vogël, plazhi në Lalëz (jo tamam vilën që ai realisht ka atje). Ilir Meta po realizon atë që tha dy vjet e gjysëm më parë, në takimin e lamtumirës me LSI. Kur paralajmëroi se nëse do ta keqpërdornin, ai si Ariel Sharon do krijonte një parti të re dhe do rikthehej fuqishëm në politikë. Gjithsesi lajmi sot ishte se edhe Ilir Meta vetë është i bindur, se Presidenti Ilir Meta e ka tashmë kohën të limituar. Dhe i duhet të lëvizë.

Ashtu siç po lëvizin dhe të tjerë. Albin Kurti zbarkon në Tiranë në ditën e Pavarësisë dhe ka thirrur tubimin e parë politik në Shqipëri. Ralfi i vogël i LSI po mbështet dhe ai një nisëm referendare për momentin, por që mund të kthehet në lëvizje politike. Në vend ka një pritshmëri se SPAK e BKH do spastrojnë politikën nga të korruptuarit dhe kjo mund të sjellë bashkë me ndryshimin e sistemit zgjedhor, edhe reformizëm radikal të partive politike në vend. Ilir Meta shpalli sonte, krijimin e Partisë Radikale. Dhe dha përshtypjen më të plotë se përse e paska dashur Presidencën. Një lavanderi politike, për t’u rikthyer pas rënies së Republikës së Parë. Ndaj evokoi dhjetorin e dytë dhe u paraqit si shpresa e vetme e Rilindjes së vendit. Një rilindje pa të huaj, por me sovranistë, pa Europë, por me nacionalistë, pa institucione, por me radikalistë. Një Turqi, Një Hungari. AKP apo Firdezs. Një vend me mure për jashtë, por pa mure Brenda. Dhe një zot: Ilir Metën. Por a është kjo një risi politike dhe morale?

Jo. Ilir Meta kërkon një vend pa gjykata të reja. Ai kërkon sërish gjykata politike (referendumet ashtu janë). Ilir Meta kërkon Sundimin e Ligjit dhe jo të ambasadave. Ai kërkon të marrë mbrapsht sovranitetin e dhënë BE, NATO dhe multinacionaleve politike ku bëjmë pjesë prej 30 vjetësh. Pra kërkon kthim prapa. Ilir Meta kërkon Dhjetor të dytë. Pra ai e quan të dështuar Dhjetorin e parë. Dhe këtu ai shfaqet regresiv, reaksionar, antihistorik dhe konservativ. Një zgjatim i mërzisë që ai pati si pjesëmarrës me “mik” dhe jo nga protestat në takimin e studentëve me Ramiz Alinë, atë natë të ftohtë dhjetori kur kalkulimet ku ai dhe ndonjë tjetër bënin pjesë, u prishën nga vrulli i studentëve të dhjetorit. Sot Ilir Meta mendon se ka ardhur koha e hakmarrjes finale ndaj Dhjetorit. Dhe këtu shfaqet sërish radikal dhe i egër. Por në fakt thjesht mbron veten e tij dhe racën e tij në politikë.

Sepse kjo është e vërteta e Ilir Metës dhe hamasit të tij politik. Paralajmërimet e tij si burrë shteti i ka marrë tashmë lumi. Ai nuk ikën më siç kishte premtuar “po t’ia përmendte shkeljet Komisioni i Venecias”. Ai kërkoi sonte mosnjohjen e këtij komisioni. Ai nuk i vë më shpatullat krizave, por nxjerr popullin përballë. Ai nuk prodhon më individë me integritet, por kamikazë si Besnik Muçi. Ai nuk do më mandate deputetësh, por kërkon njerëz në shesh. Sepse në kushtet e një vakuumi mpirës mes votuesve dhe partive, ai mendon se ka gjetur mburojën elektorale të krizës së tij. Ndoshta sepse e di, se Doktori 8 vjet rresht u mbrojt nga ndërkombëtarët me 30 përqind të zgjedhësve që votonin PD. Dhe se për këtë 3 përqind të LSI, nuk i mjaftojnë më. Ilir Meta zgjodhi të kthehet sonte në politikë, jo se ka një zgjidhje radikale për vendin, por për veten e tij. Ai nuk themeloi Partinë Radikale, por ngriti Hamasin e tij. Ai nuk kërkon paqen, por sherrin. Faudën, siç e quajnë izraelitët dhe palestinezët. Ose një nga fjalët e pakta për të cilën bien dakord të dyja palët. Dhe sherri është një fjalë e vjetër në fjalorin tonë politik. Ilir Meta shpesh në 30 vjet i ka dhënë kësaj fjale një kuptim të plotë.

Edhe në këtë pikë, Ilir Meta mbrëmë nuk tha në thelb një gjë të re. Ishte antihistorik, si në çdo gjë tjetër të tij këtë vit. Në 8 dhjetor ai pret t’i mblidhen mijëra njerëz dhe opozita me bujari mund t’ja ofrojë këtë luks. Por do jetë një zi kolektive. Sesi 29 vjet më pas, idealet e dhjetorit nuk do jenë thjesht të parealizuara. Atë ditë ata që do mblidhen, do shpresojnë të festojnë funeralin e tyre. Por idealet thonë nuk vdesin shpejt.

Viti 2020 është një vit prove. Në gjuhën e Okulistikës termi “2020” do të thotë shikim optimal. Në gjuhën tonë, do të thotë 30 vjet tranzicion. Në gjuhën e Reformës do të thotë SPAK e BKH. Ndërsa Ilir Meta nuk e ka fare në fjalorin e tij, sepse ai nuk sheh para në antihistoricizmin e tij. Për të në 8 dhjetor, fillon numërimi mbrapsht.

Në një farë mënyre, e vetmja gjë për të cilën ka të drejtë. Numërimi prapësht ka filluar. Për të gjithë. Thjesht Meta ka vënë (vetë) gurin e parë. / Real Story

Sokol Balla: Të gjithë bashkë, në një makinë

Nuk ka përkufizim më të saktë të Shqipërisë dhe të situatës së drejtësisë dhe raportit të saj të sëmurë me politikën, sesa ngjarja e të premtes në plazhin e Durrësit, kur një mjet i prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, po me pasagjer jo vetëm atë, por edhe një personazh të botës së errët, u godit me armë, në një atentat mesa duket të mirëmenduar, po ku pati vetëm të plagosur dhe shumë dilema të lëna pas. Prokurori akuzohej pak javë më parë nga qeveria për bashkëpunim me kriminelë për tjetërsim pronash, ndërsa personazhi tjetër akuzohet nga opozita, po për tjetërsim pronash, në kurriz të një biznesnmeni të madh të huaj, të dhunuar, si pasojë më pas i larguar nga Shqipëria.

Në këto kushte është thuajse e pamundur të kuptosh, nëse atentati kishte për qëllim të njëjtë sulmi të dy, secilin veç e veç apo të dy bashkë. Eshtë e pamundur shkencërisht të provosh nëse prokurori u godit pasi u ekspozua nga sulmi i kryeministrit dhe zëvendësit të tij, apo nëse u godit pasi akuzat ndaj tij janë të vërteta. Sa për bashkëudhëtarin e tij, nga mënyra sesi atentati është zhvilluar, duket se ai mund të ketë qenë objektivi i vërtetë, dhe kjo sigurisht s`ka lidhje me ekspozimin që mund t`i ketë bërë opozita, sesa me aktivitetin e tij të larmishëm në kronikën e zezë. Por e frikshme ama është të mendosh, se autorët nuk janë shqetësuar të ruajnë shënjestrën, dhe kanë goditur të gjithë. Çka të shtyn të mendosh se prokurori është quajtur në rastin më të mirë një dëm anësor i parëndësishëm, ose edhe më keq: i konsideruar me indiferencë pjesë e një larjeje hesapesh në parim, mes vjedhësve të mëdhenj të  pronave.

Ajo çka e rëndon situatën, janë veprime të tjera para kësaj ngjarjeje, që vejnë fokusin dhe njëherë në tokat e gjera të ultësirës mes Durrësit dhe Ishmit, pronësia e të cilave nuk u zgjidh kurrë dhe si e tillë u la në dorë të bandave dhe drejtësisë së korruptuar dhe përfundoi në rastin më të mirë, në toka për mbjellje hashashi dhe aeropista të sajuara për trafik kanabisi. Vetëm pak ditë para atentatit gjyqtarja e durrësit Joana Qeleshi, autorja e vendimit të gjykatës që ka ngjallur sherrin mes personazhit të errët që udhëtonte me prokurorin dhe një pale tjetër në fshatin Draç të Ishmit, dha dorëheqjen dhe u fut në punësim privat. Sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Sikur asgjë të mos ndodhte pak ditë më vonë, sigurisht edhe si pasojë e atij vendimi. A është ky shembulli më i fundit i aktivitetit kriminal më të organizuar në vend, dhe a kishte të drejtë Adriatik Llalla, kur e quante Durrësin kryeqytetin e krimit të organizuar në vend?

Mesa duket po. Dhe e pamë dhe e përjetuam të gjithë, kur u mor vesh atentati ndaj makinës së Ndojit. Krimi, Drejtësia, Politika: të gjithë në një makinë. Me emëruesin e përbashkët: Vjedhjen. Tjetërsimin. Grabitjen. Në emër të Ligjit, por edhe me forcën e Armëve. Lajmi i mirë i vetëm është së paku Vettingu do të kursejë shpenzime në shqyrtimin e Ndojit. Siç vetë e ka pranuar, me personazhin në makinë e lidhte njohje e vjetër dhe kaq mjafton, që ai të shkarkohet. Lajmi i keq është se Adriatik Llalla paska pasur të drejtë dhe se Vettingu nuk do mjaftojë për të shpleksur një lëmsh interesash, që nuk dihet akoma se ku e ka lidhur cepin e tij të parë. /Realstory.al/

Sonte në “Real Story”: Anët e errëta të atentatit ndaj prokurorit Ndoja

Emisioni “Real Story” i gazetarit Sokol Balla, trajton sonte në mbrëmje në News 24, “atentatin që tronditi opinionin në fundjavë: në makinë një prokuror i kontestuar nga Kryeministri dhe një individi i akuzuar nga opozita”. Sulmi ndaj Prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja që udhëtonte në makinë me një personazh të botës së errët të krimit, do të diskutohet nga gazetarët e kronikës në “Real Story”. Të ftuar në studio janë gazetarët e kronikës në vend, Roland Qafoku, Klodiana Lala, Basir Çollaku, Alfred Peza dhe ish-prokurori Shkëlqim Hajdari. Shumë pikëpyetje janë ngritur mbi këtë atentat.

Kush ishte porositësi i atentatit ndaj prokurorit të Durrësit, që më herët ishte akuzuar publikisht nga Kryeministri Edi Rama për lidhje me botën e errët të bandave?  Pse një zyrtar i lartë i shtetit,  udhëtonte në makinë me një personazh, që mund të ishte subjekt i punës së tij, dhe për më tepër i akuzuar? A lidhet atentati ndaj prokurorit me hetimin e dosjes së pronave në Durrës? Si u organizua atentati ndaj prokurorit?

A ishte ai shënjestra e atentatit, apo Landi Muharremi, personazhi i botës së krimit i akuzuar për shumë vepra penale në Durrës? Cilat janë zhvillimet e fundit nga grupi hetimor? Pistat ku po hetohet? Personat e shoqëruar? Këto dhe shumë pyetje do të trajtohen dhe marin përgjigje mbrëmjen e të hënës në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, sonte në orën 21:00 në News 24. Emisioni, veç ekranit të News 24, transmentohet live edhe në faqen zyrtare të Realstory.al në Facebook dhe www.realstory.al në web. /Realstory.al/

Sokol Balla: Letër nga një europian i frustruar

Nga Sokol Balla

E fus këtë letër në një shishe dhe po e hedh në detin Adriatik. Eshtë kufiri ynë detar me Europën por s`ka asnjë pengesë dhe kjo shishe me gjasë do ecë larg përmes Mesdheut. Më pas nga rryma e ngrohtë që del jashtë në Atlantik nga Gjilbraltari, ndoshta rrëmbehet nga turbullira e rrymave të Golfstrimit dhe shkon në gjirin e Biskajës, e prej andej ndoshta ndalon o në brigjet e Bretanjës, o në portin e Roterdamit, o ndoshta më larg e i kalon afër Hamburgut e më pas ndalon në Kopenhagen. Në të gjitha këto vende sot ka shqiptarë, nga ata udhëtarët e pasigurt të Tranzicionit, që lanë pas një vend pa shpresë, për tu ngulur e ngritur kasollet e tyre të vockla në brigjet e pasura europiane. Shumë prej tyre sot janë më mirë sesa ishin dje. Dikush jeton me djersën e ballit, dikush në qeli, si pjesë e atij 0.4 përqindshit të famshëm kriminal që na thonë se kemi në Holandë.

Por këtë shishe mund ta marrë edhe ndonjë spanjoll, francez, gjerman, danez apo holandez fluturues. Ata duhet ta kuptojnë se sot humbën një aleat të vogël. Më saktë është akti i fundit i një dashurie të refuzuar prej shekujsh nga një kontinent që i duket se Ballkanin nuk e ka pjesë të tijën, porse i është ngjitur atij si një çamçakëz bezdisës në çizme dhe që mezi pret ta heqë. Dhe për ta bërë këtë, ka shkaktuar luftra. Tani kur fjala luftë është më e rrezikshme sesa 100 vjet më parë, vëllëzerit tanë europianë që s’na duan, zgjodhën të na luftojnë me armën më moderne të kohës: Gënjeshtrën.

Sepse duhet t’i qëndrojmë të vërtetës në sy: Për ne shumicën e shqiptarëve, Europa është ajo ku ikim e udhëtojmë pa viza. Ca për pushime, ca për biznes, ca nga halli e varfëria, e ca të tjerë sigurisht për të abuzuar. Me një fjalë si gjithë të tjerët. Si Italianët drejt Amerikës, si Grekët drejt Anglisë, si Turqit drejt Gjermanisë, si Kosovarët dikur drejt Zvicrës. Për ne integrimi europian duket vetëm kaq, por sigurisht nuk është. Eshtë edhe para, investime, qindra miliona euro për Bujqësinë, Infrastrukturën, Demokracinë. Por këto i dinë më shumë politikanët. Ne dimë që e kemi vendin në Europë. Kush ka dyshim, të shohë Ermonela Jahon, Saimir Pirgun, Rame Lahajn, Granit Xhakën e gjithë plejadën dje dhe sot të artistëvë, sportistëve, e më pak shkencëtarëve, që çanë me mbiemrat e tyre paganë e shqiptarë, me emra zogjsh, pemësh, lulesh e malesh, të barabartë, në mos më të mirë se europianët “doc”. Vjet dy eventet më të mëdha sportive të botës, u hapën nga artistë shqiptarë, Dua Lipa finalen e Champions dhe Era Istrefi finalen e Botërorit. Ndoshta vëllezërit tanë mohues nuk e dinë, por të gjithë këta janë shqiptarë.

E megjithatë ka dhe një të vërtetë të madhe për arsyen e suksesit të shumicës absolute të këtyre yjeve botërore të parametrave të Rita Orës, Bebe Rexhës, Shkodran Mustafit apo Ermal Metës: Shumica e tyre janë refugjatë ose kanë lindur nga familje emigrantësh e pas shumicës prej tyre fshihet një tragjedi. Familjare, personale apo kombëtare. Nëse nuk do të kishin ikur në Europë, shumë prej tyre ndoshta nuk do t’ia kishin dalë. Vijnë nga një komb i copëtuar, i torturuar, i keqtrajtuar, i vendosur gjithmonë në Ligën B të krenarisë së kombeve dhe talentet e kushedi se sa Duave, Ermalëve e Muradëve vdiqën në kampe lufte, përqëndrimi, ose në muret e betonta të pallateve të ndyra shqiptare të komunizmit. Shiftari, na quajnë serbët, po pak vetë e dinë se me këtë kanë parasysh karrocierët. Ne, kombin e Kalorësit të Krishtërimit, Skënderbeut, prej shekujsh tentojnë të na mbysin, nëse jo asgjësojnë. Siç e bënë turqit 500 vjet dhe s’na lanë as të hapim një shkollë, as të kemi një kishë ku të shkruanim shqip. Siç e bënë grekët më vonë, kur tentuan të helenizojnë atë numër jo të vogël shqiptarësh të vjetër, por nuk mundën. Sot edhe kur hyn në Athinë, shkelqëjnë në shqip emrat e trevave arvanitase, ku plakat flasin akoma shqip. Plaka, si lagjia më e famshme e Athinës, aty ku gjendet Partenoni, origjina e Artit, Historisë e Demokracisë, pasuria botërore që bën të famshëm grekët e rinj, që sot as anglishten nuk e flasin aq mirë dhe që nuk e kuptojnë greqishten e vjetër që në sintaksën e saj ngjan me shumë me shqipen sesa me gjuhën që ata vetë flasin sot.

Por ne s’patëm dot shkolla dhe fakti që mbijetuam ishte pak për t’u konsideruar pjesë e familjes Europiane. Prandaj e deshëm dhe e duam Europën. Prandaj nxituam 30 vjet shpesh duke thyer kokën, por duke u ngritur sërish në këmbë e ecur para. E derisa kuptuam sot, se e ardhmja europiane ishte vërtet një horizont: një vijë e gjatë në infinit, që sa “sa më shumë i afrohesh, aq më shumë ajo largohet”. Fiks siç lexonim në librat e shkollës, kur ishim të vegjël në Gjeografi.

Por në vitin 2006 në Luksemburg, kur po prisnim nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, horizonti europian u shfaq në formën e trashë dhe rondokope të ministrit të jashtëm të Qipros, i cili u vonua të vinte 40 minuta, pasi mesa duket kishte edhe ca dilema të fundit para se të vinte firmën në një copë letër. Pastaj erdhi arrogant dhe i avashtë, vuri firmën si me bezdi e u largua edhe pa bërë foto. Përse? Ndoshta ai e dinte më mirë se të tjerët, se horizonti europian i Ballkanit dhe i shqiptarëve, o ishte larg, o duhet të vonohej me çdo kosto e mënyrë. Mënyra e tij për të “kontribuuar” ishin 40 minutat e vonesës. Po sa vonesa të tilla na janë bërë nga Europa ku deshëm aq shumë të futemi?

Shumë, dhe disa prej tyre janë tonat. Europa e pas Perdes së Hekurt na deshi shumë, por na deshi demokratikë. Ne i ofruam Berishën dhe referendumin për kushtetutën, që donte ta bënte atë mbret të pashpallur. Europa na donte të ndershëm, Por ne i dhuruam 26 majin e 1996. Europa na donte të paqtë, por ne i bëmë dhuratë vetes, dhunën dhe histerinë kolektive të 1997. Europa tentoi të na pajtonte, por ne vazhduam hasmërinë e gjakun, këtë herë brenda në parlament e para dyerve të partive si në 1998 dhe para dyerve të qeverisë si në 2011. Ne ngelëm adoleshentët e kontinentit, ndërsa Europa plakej e plakej, e ndërsa plakej, si një plakë gërnjare, edhe dhimbjen e eshtrave dhe vështirësinë e shurrës, do ta gjente tek çamçakëzi bezdisës në çizme: Ballkani dhe shqiptarët. Europa na donte të rrinim në shtëpi, e ndaj na shkeli syrin e qeshi, kur në 2015 e lamë atë dhe u kthyem e mbollëm cannabis.

E prapë e them por tani pyes veten: Përse na gënjyen? Përse thanë (e thonë akoma me atë lojën e pisët polic i mirë/polic i keq) se integrimi është e ardhmja jonë? Jo nuk është dhe të paktën për këtë t’i themi faleminderit Macron. Ai ishte i vetmi që nuk na gënjeu. Nuk na duan dhe tani duhet të fillojmë të mësohemi me këtë. Të fillojnë partitë politike me hipokrizirat e tyre programore integriste të parat. Tani që busullës tonë gjeopolitike do t’i mungojë kushedi sa kohë Veriu i saj magnetik, bëjnë mirë të orientohet aty ku duhet. Ndonjëherë gjërat i kemi para syve, por si lakmitarë të hallit që s’ngopin dot barkun e vuajtur nga uria shekullore, sado që te kenë tryezën plot sot, nuk arrijmë të shohim se në fakt ne kemi të njëjtin drejtim, por në vektor më të largët. Aty ku ndoshta nuk na duan, por as na urrejnë, s’na e kanë lakminë por as edhe mërzinë, ku s’na shohin si emigrantë se të tillë janë vetë. Janë ata që prej 100 vjetësh, fillimisht na shpëtuan ne këtej kufirit të Morinës, nga asgjësimi ku donin të na fusnin nipat direktë të Bonapartit, e që dekada më vonë, shpëtuan edhe Kosovën. Dhe atëherë ju kujtohet? Ca gjeneralë francezë në NATO, ishin ata që dhanë informacionet “krahut tjetër”, për fluturimet e avionëve të Natos, mbi qiejt e Millosheviçit që aq shumë e donte Handke, sa për këtë u “vlerësua” fiks 20 vjet më vonë me çmimin Nobel?

Mjaftojnë kaq pak shembuj për të kuptuar sesa gabim jemi sjellë ne me Europën. Një gabim që nuk e bënë vendet e ashtuquajtura të Vishegradit, që u bënë grup bashkë dhe iu imponuan asaj dje dhe sot kur i janë futur në gji. Por një gabim që nuk e bënë as vendet baltike, ku e ku me më shumë probleme se ne, me rusë në popullsi e me Moskën ushtarake te pragu i derës. Ata zgjodhën të futen në Nato e më pas në Europë, duke hyrë nga dera e Uashingtonit. Po. Andej nga duhet të kishim hyrë edhe ne. E vetmja derë që është hapur sa herë kemi pasur nevojë. E vetmja dorë që na është zgjatur kur zhyteshim në baltën e historisë, të shkelur, nëpërkëmbur, gjymtuar e plagosur. Ky vend që me pompozitet nga kostumet blu e gri të parlamentit jo rrallë quhej me hipokrizi si shteti i 52-të i Amerikës, kurrrë nuk i dha Amerikës vendin e saj të merituar, në investime, prona, përparësi absolute në ekonomi. Përkundrazi, mezi i morrëm 3000 refugjatë lufte, kostot e të cilëve i paguajnë ata vetë dhe iu hodhëm në fyt të gjithë, kur na ofronin integrim, para dhe mbështetje, për të çmontuar ca epruveta të qelbura me kimikate lufte të Sirisë. Por nuk arritëm kurrë të çmontonim armën moderne të Europës plakë: gënjeshtrën. Se na gënjyen. Na gënjyen në 2013, kur na kërkuan tre ligje. Na gënjyen në 2014, e më pas në 2015. Na gënjyen ne 2016 kur na thanë se duhet reforma në Drejtësi, të cilën e bëmë me kosto të larta që i paguam edhe në 2019. Gënjyen Kosovën kur çfarë nuk i kërkuan për t’i dhënë një të drejtë që ata e kishin pasur dhe ushtruar dikur në Jugosllavi, lëvizjen e lirë. Por të paktën duhet të ngushëllohemi. Kësaj radhe pati edhe më keq. Gënjyen një vend të tërë, i grisën historinë e 30 vjetëve, i grisën flamurin, emrat e rrugëve, i hoqën sheshe e statuja, i deprimuan si komb “në emër të integrimit”, që nuk erdhi kurrë. 

Sot të jesh shqiptar, apo më pak maqedonas për shumë europianë është një shprehje e thjeshtë që nesër do harrohet. Jemi thjesht simboli i fundit i supremacisë mikroborgjeze dhe aristokratike europiane, të mbetur akoma me nostalgjinë kolonialiste, që sheh një maroken, më pak të rrezikshëm se një shqiptar, një djalë Surinami më të talentuar sesa një vlonjat, dhe një vajzë nga Kongo belge (më falni, Zaire (uh më falni Democratic Republic of Kongo) më pak prostitutë se një hallexheshë nga Tirana.

Sot kemi Macron, më në fund zërin e vërtetë të Europës dhe jo supremacinë në zbehje të Merkel, që na e tha në sy se tashmë koncepti politik i të qenit europian, ka ndryshuar. Sot të qenit europian, nuk është më një ide e bukur, si në kohën kur ajo lindi. Tashmë është thjesht një nocion racist.

Sigurisht dielli do të lindë sërish nesër, dhe për fat tek ne dielli ka lindur gjithmonë. Dielli lind, andej nga perëndon.

Dhe perëndon larg, andej nga Amerika. Amerika e Nolit, Konicës e vëllezërve Qiriazi. Amerikani e Uillson, Clinton Bush e pse jo dhe Trump. Na duan apo iu duhemi kjo s’ka më asnjë rëndësi. Rëndësi ka që kjo nuk ndryshon. Siç nuk do ndryshojnë kurrë francezët, pavarësisht nëse quhen Sarkozy apo Macron. Ndryshojnë vetëm gratë e tyre.

Po ne, kemi dobësitë tona dhe s’na duhen edhe ato të francezëve. Sot, 30 vjet gati pas asaj nate të ftohtë dimri kur Perdja e Komunizmit në Tiranë u ça nga thirrjet “E Duam Shqipërinë si gjithë Europa, 26 vjet pas udhëtimit tim të parë jashtë shtetit që nuk ndryshoi shumë nga ai i fundit sa i përket pyetjeve “Ku, si, sa dhe pse” edhe 26 vjet më vonë, unë mendoj se shqiptarët duhet të fillojnë të reflektojnë dhe administrojnë me qetësi, frustrimin e tyre si unë sot, ndaj këtij refuzimi të ri dhe të vjetër të Bashkimit Europian. Ky është një realitet i ri. Ngushëllimi është se nuk jemi vetëm dhe se për fat, vendi i vërtetë i lirive dhe i barazisë, është akoma me ne dhe duket se do jetë për një kohë të gjatë.

Ndaj në fund të kësaj letre të futur në shishe e hedhur gjithë pezm e frustrim ujërave të Adriatikut, pak shprese (por le ta them, edhe më pak dëshirë kam) që kjo letër të lexohet nga ndonjë prej vëllezërve tanë europianë që nuk na deshën e nuk na kuptuan dot. Thjesht desha të them ca fjalë, në emër të shqiptarëve, europianëve të frustruar që enden në ujëra të turbullta e paqarta tashmë jo vetëm për fajet e tyre. Unë sot nuk e dua Shqipërinë si kjo Europë e verbët dhe e dobët. Ndoshta Macron ka të drejtë: Europa nuk është akoma gati për ne.

Kur të jetë, të na e thotë. Ne këtu jemi. Kushedi, ndoshta atëherë, edhe mund ta pranojmë.

Sokol Balla: Berisha po mendon për pasuesin e Bashës në krye të PD-së

Gazetari i njohur Sokol Balla të martën mori pjesë në Forumet e UET, në kuadrin e një bashkëpunimi 10 vjeçar me shtëpinë botuese të Universitetit Europian të Tiranës, UET Press. Para të pranishmëve, pedagogë dhe studentë, Balla foli për mundësinë e një pasuesi të Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij para të pranishmëve, me nota ironike, ai theksoi se shoqëria shqiptare ka një fat të madh për të kuptuar rrjedhën e ngjarjeve në PD, pasi kur nuk flet z.Basha, flet z.Berisha.

“Kemi një fat të madh që kur nuk flet Basha, flet Berisha dhe ne i kuptojmë gjërat. Siç foli para një jave dhe na tha që ndryshe nga çfarë tha z.Basha, djegia e mandateve nuk ishte fare punë e tij por ishte një punë e nisur prej ish-Kryeministrit”, tha Balla.

Sipas tij, tek vetë promotorët e Basha kanë filluar të lindin jo thjesht zhgënjimet e para, sepse këto Berisha duhet t’i ketë të vjetra me të, ndoshta nga 2007, por prej këtij viti e mbrapa po punohet edhe në kokën e doktorit të partisë ideja që duhet të ketë edhe një pasues të Basha në PD.

Balla thekson se kjo është normale për logjikën e një partie të madhe, historike, tradicionale, konservatore dhe ideologjike siç është PD, e cila ka një “ADN” që është e Sali Berishës dhe që mendohet të ketë edhe një pasues të Lulzim Bashës, për të cilin nuk do të mendojë vetëm ky i fundit, por edhe “babai” i partisë: Sali Berisha.

“Pavarësisht shumë pamundësive që Lulëzim Basha ka në partinë e tij për të shprehur profilin e tij të vërtetë politik, mendoj që beteja është ende e hapur. Nuk mund të thuhet me siguri, edhe nga dashakeqësi i tij më i madh, se ai ka dështuar përfundimisht, por ju them me siguri, nga një person që është relativisht në nivel edhe personal dashamirës ndaj zotit Basha, që jam unë, që po, Partia Demokratike dhe pronari i “ADN”-së së saj, patjetër po mendon për një pasues tjetër, nëse Basha nuk do të arrijë dot të realizojë misionin e tij”, tha Balla./Liberale/

Sokol Balla: Ilir bëhu burrë e mbaje llafin!

Nga Sokol Balla

Ilir Meta është burrë në politikë. Në karrierën e tij spektakolare ka përjetuar gjithçka, për keq e për mirë. Po nuk di nëse është kujdesur që t’i shkojnë punët keq pikërisht atëherë kur ato i shkonin fjollë, apo kështu ja ka sjellë rastësia. Kështu u bë Kryeministër, duke ri bërë Nanon kryetar Partie në 1999, por nuk i mjaftoi. E harroi përse u bë Kryeministër dhe po si Pandi tentoi t’i merrte Nanos dhe partinë. Iku pasi u telendis me të për gati një vit rresht. Pastaj Ja futi sërish Pandit dhe e bëri ministër mbrojtjeje dhe si kryeministër e ministër i jashtëm qëndroi me Nanon një vit, e më pas iku. Arsyeja? Sepse Nano nuk “ja varte” dhe nuk i tregonte atij se çfarë bënte në zyrë dhe në fundjavë. 

15 vjet më vonë realizoi ëndrrën e tij. U bë president që kështu të përfundonte Katarsisin e tij që ia ndolli Nano në 2001 e që iu “shpif” sërish fiks një dekadë më vonë nga shoku e miku I tij më I ngushtë, njeriu që e hipi në majat e pushtetit, ndërsa po I drejtohej vrimave të fundit, Dritan Prifti. Por të bëhej president nuk I mjaftoi as dy muaj. Hipi në varkën e Kushtetutës, e pshurri atë dhe e futi Presidentin e sapozgjedhur të Republikës në fushatë elektorale në qershor 2017. Si gjithmonë luajti gjithçka për gjithçka dhe përballë debolesës intelektuale dhe sociale të ish partnerit të tij të fundit politik, shkeli dhe kushtetutën dhe limitin e fundit të paprekur mes tij dhe Edi Ramës.

Por askush s’mund të thotë se në çmendurinë e tij më të madhe, Ilir Metës i ka mungu burrnia. As kur iku në 2001, as kur iku në 2003 e as kur iku në 2011. Okay, shumë veta menduan diçka tjetër kur ai iku në 2017 në Presidencë, pasi kafazi I kreut të shtetit është në çdo rast një kafaz “floriri”, siç do t’ia kishte quajtur edhe Sali Berisha nëse s’do të kishte çimentuar me Ilirin një vëllazëri të hekurt në themelet e Gjykatës së Lartë.

Por lëvizjet e Metës dhe në Presidencë treguan burrëri, përballë përgjumjes së kreut të PD për t’i bërë opozitën një qeverie dy vite e hutuar nga rasti “Tahiri”, “Babale” and co., e që nuk arriti që më të ashtuquajturin Skandali Astir, të “mundte” në garën e protestave të dhjetorit të shkuar disa mijëra studentë të mërzitur nga kostot dy dollarëshe të provimeve të vjeshtës.

Dhe ia nisi: fillimisht me Sandër Lleshajn. E vonoi dy javë. Kur e pa se ia doli, pasi u kap me “fakirin” Cakaj. Kur e pa se ia doli dhe aty (Rama me bezdinë e një çuni bordurash,  i çoi dekret tjetër për firmë dhe I mbylli derën e qeverisë fytyrës Ilirit, por në kampin e Metës kjo u interpretua si fitore burrërore), Iliri vazhdoi edhe më tej. Kësaj radhe i hapi Luftë Ramës, pasi ky i fundit në një nga intervistat në Real Story tha se nuk kishte ndërmend ta shkarkonte pavarësisht shkeljeve, porse nuk do ta zgjidhte më president në mandatin tjetër.

Gjithsesi Lufta e Fundit që hapi Meta në fakt nuk ishte burrërore, pasi në fakt I hapi luftë kushtetutës dhe atij palo shteti që mezi rri në këmbë prej 30 vjetësh. i nisur nga parimi i çmendur se Presidenti është I papërgjegjshëm për veprimet që kryen, (sidomos kur nuk ka një Gjykatë Kushtetuese), ai nxiti një betejë mes Bashës së kapur përgjumësh dhe një Rame të sapozgjuar nga gjumi, e cila desh përfundoi në luftë civile. Tezat e betejës që përpunoheshin në mbrëmje në shtëpinë e tij dhe në mëngjes shkonin në SHQUP pas një verifikimi me Doktorin, çuan opozitën jashtë kuvendit, në rrugë, në protesta që psikologjikisht citonin dhe nxisnin vetëm dhunë dhe në përplasje totale me ndërkombëtarët. Dhe pikërisht kur u duk se ndërkombëtarët së paku po ia dilnin të çonin Bashën larg nga tymi i molotovëve dhe gazit lotsjellës, në protestën më paqësore të opozitës, Ilir Meta anuloi dekretin e zgjedhjeve që vetë kishte shpallur në 30 qershor. Duke e rindezur edhe njëherë motorin e protestave, në maksimum. Më pas shpalli pa pyetur njeri një datë tjetër zgjedhjesh në 13 tetor dhe rishkëleu për shalësh kushtetutën.

Ndoshta e bëri këtë në shenjë hakmarrjeje. Ajo nuk është Kushtetuta e tij. Ilir Meta nuk e deshi kurrë, por nuk mundi kurrë ta ndalonte ardhjen e saj. Me reformën në drejtësi Brenda dhe dorëzimin e sovranitetit të saj amerikanëve. Ndoshta ai ka të drejtë. Nuk ka gjë për t’u mburrur në atë kushtetutë nga pikëpamja shtetërore dhe sovraniste. Po s’duhet ta kërkojë shumë larg një prej fajtorëve madhorë përse ajo u ndryshua me “grabitje” nga partnerët tanë strategjikë.

Tani Ilir Meta ka zyrtarisht një problem me kushtetutën dhe burrnisht një problem me veten e tij. Komisioni I Venecias dha vlerësimin për veprimet e tij dhjetë mujore si President. E gjeti atë së paku tre herë në shkelje të Kushtetutës. Por, si njerëz që pavarësisht nga emri I komisionit, janë jurist me këmbë në tokë dhe jo në det, thanë se shkarkimin e Metës si President vërtet e ka në dorë parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese, por “për hir të ruajtjes së raportit të balancës institucionale”, edhe mund të mos ta bëjnë këtë.

Me gjasë kështu do të kompleksojë socialistët. Ata tremben nga çdo telefon që nuk fillon me 00355. Por Iliri është burrë. Te Çim Peka para nja ca javësh, bëri një deklaratë që nesër mund të dalë heroike, ose qesharake. Këtë në dorë e ka vetë Iliri. I cili atë mbrëmje tek Syri, I shkeli syrin dorëheqjes: “Të thotë Komisioni I Venecias që Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe unë të rri president? Kurrë në botë! … Nëse shikoj se Komisioni I Venecias lobohet, do të iki përsëri. Unë I qëndroj deklaratave që kam thënë më përpara… Ia kam thënë këtë edhe Edi Ramës të parit…”

Mu kujtuan këto fjalë, ndërsa lexoja opinionin e Venecias që ia fuste atij këmbët në det dhe shikoja televizionet e lajmeve që citonin Tedi Blushin, që kishte ikur nga deti, kishte hequr rrobat e banjos, kishte veshur kostumin e zëdhënësit dhe bënte Ilir Metën. Dhe befas mendova me ankth: “Mos vallë Iliri ka frikë?”

Gjithsesi si një mik I tij I vjetër siç më quajti publikisht ca muaj më parë, thash t’ia kujtoj çfarë ai ka thënë dhe për veten e tij ca javë më herët. Dhe të ikë.

Të ikë e të lirojë një vend që as nuk I takon dhe as nuk e deshi. Të ndajë mendjen ose të qëndrojë kokëkulur deri në 2022, ose të ikë kokëlartë aty ku ai e meriton. Mes kullave të dy Berishëve, atij të LSI dhe atij të PD. Të nisë betejën e tij politike sovraniste e “patriote”, me një parti të re apo të vjetër dhe ndërsa Lufton, të presë. Të presë me ankth e paranojë se çfarë kusuresh ia kanë mbajtur shënim, “grabitësit” e kushtetutës, ata që s’ja varin më as kur çojnë në Tiranë nëpunës të shkallës së tretë që e zevendësojnë në takime me ish-Ralfin e tij.

Por të paktën të ikë si burrë, që mban llafin dhe gjërave që thotë më parë. Ok, e di që e ka thënë te Syri dhe ka dhe një mundësi t’ia mveshë edhe këtë Çimit për “fake news”. Por Çimi ka fakt emisionin e tij. E ka online, facebook, youtube e kudo. Ato fjalë nuk I thotë Çimi, por Iliri.

Dhe Iliri është burrë, unë e di. Ndaj ik Ilir! Të gjithë ne, jemi kapur tani pas fjalës tënde. Të paktën këtu, mos na zhgënje!

Analiza në Real Story: Prokuroria, pa fakte për Tahirin

Çështja Saimir Tahiri, ishte tema e mbrëmjes e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24. Pesë të ftuarit në panel, analistët: Skënder Minxhozi, Alfred Lela, Fatos Lubonja, Alfred Peza dhe Robert Rakipllari, kanë dhënë mendime të ndryshme në lidhje me dënimin ose jo të Saimir Tahirit. Megjithatë, mendimi i përbashkët, ka qenë fakti që sipas tyre, “prokuroria nuk ka pasur prova të mjaftueshme për dënimin e  Saimir Tahirit”.

“Për mendimin tim, nuk ka prova të mjaftueshme për Saimir Tahirin. Ai duhet të hetohej në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e Saimir Tahirit si ministër. Nga të gjitha ato që kam dëgjuar unë, gjëja më skandaloze, për mua ka qenë, trajtimi i Zaganit. Ai ishte njeriu që po hetonte mbi këta njerëz. Unë nuk di që Prokuroria ta ketë marrë në pyetje. Kjo është çështje…”, tha Lubonja.

Ndërkohë, analisti Skënder Minxhozi u shpreh, si para ashtu dhe pas dhënies së vendimit për dënimin e Saimir Tahirit, se për shkak se nuk e kishin kaluar Vettingun, “gjykatësit nuk kanë qenë të lumtur në marrjen e vendimit”. Ndërkohë, pas dhënies së vendimit, analisti Alfred Lela, u shpreh se vendimi i Gjykatës së Krimeve të rënda ishte i ngjashëm me qëndrimin e “OSBE/ODIHR dhe SHBA”. Pra, sipas analistit Lela, SHBA është e qartë dhe e prerë kur jep një vendim, ndërsa OSBE jep një vendim të paqartë. “Shpresoja që të ishte një vendim Amerikan, por në fakt ishte vendim i OSBE/ODIHR, që në fund nuk thotë asgjë”, tha Lela.

 Ndërkohë, analisti Robert Rakipllari u shpreh se “vendimi ndaj Tahirit është një kompromis i gjetur nga gjyqtarët për ta dënuar”. Ndërkohë, Alfred Peza u shpreh se ky vendim për Saimir Tahirin, nuk e ngarkon atë me përgjegjësi penale në “dëshminë e penalitetit”, pasi të ketë përfunduar shërbimin e provës. Megjithatë, ai u shpreh se “vendimi Gjykatës së Krimeve të Rënda, është i pabesueshëm”.

“Të gjitha akuzat e rënda në drejtim të Saimir Tahirit ranë. Leximi ësht që të gjitha akuzat kryesore ranë. Pra, akuzat e prokurorisë nuk ekzistojnë. Shpërdorimi i detyrës është për kanabizim. Tani gjykata ku i gjeti këto prova që gjeti këtë akuzë? Kjo nuk ishte fare në dosje. Tahirit i është ngritur një akuzë, që nuk ishte fare në dosje. Për mua, ky vendim nuk është i besueshëm. Dënimi nuk bazohet në prova, por në perceptim. Nuk ka prova. Me këtë vendim Saimir Tahiri merr shërbim prove nuk i shënohet në dëshminë e penalitetit dhe tre vjet kjo e pengon. Gjykata rrëzoi të gjitha akuzat që ishin ngritur dhe gjykata ngriti një akuzë të re mbi asnjë provë. Penalisht Tahiri është i pastër, sepse ky lloj dënimi nuk i quhet se ka bërë ndonjë shkelje penale”, tha Peza. /Realstory.al/

Analiza në Real Story: SHBA-BE duan Reformën Zgjedhore. Kështu zgjidhet kriza

Emisioni “Real Story” i gazetarit Sokol Balla në News 24, u fokusua te mesazhi pozitiv i dhënë nga Gjermania për hapjen e negociatave, ndërsa debati rrodhi drejt asaj që është tema e ditës prej gati një viti, kriza politike. Të ftuarit në studio, Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, analisti dhe avokati Spartak Ngjela dhe analisti Agron Gjekmarkaj, ranë dakord në një pikë të përbashkët; “kriza do të zgjidhet nga Reforma Zgjedhore”. Pavarësisht diskutimeve, Fatmir Mediu pranoi se “presioni ndërkombëar”, ka bërë që opozita të afrohet për dialog me mazhorancën, ndërsa pika e tyre e takimit, duket se do të jetë Reforma Zgjedhore.

Reforma Zgjedhore, Mediu në Real Story: Kemi propozuar 10 pika

Reforma Zgjedhore, duket se do të jetë një tjetër investim ndërkombëtar. Por këtë herë, ndryshe nga e kaluara, ky investim do të jetë aq serioz sa për Reformën në Drejtësi. I pyetur nga gazetari Sokol Balla, në lidhje me këtë reformë, kreu i  PR, Fatmir Mediu u shpreh se duhet një sistem konkurrues. “Qëndrimin tim për sistemin e kam bërë të qartë. Kam qenë kundër këtij sistemi, kam qenë për garë të hapur. Duhet konkurrim. Unë nuk mendoj se duhet ta reduktojmë diskutimin tonë me ndërkombëtarët për Reformën Zgjedhore. Çështja është te vullneti politik dhe vullnet legjislativ. Prandaj duhet të bëjmë një analizë”, tha Mediu.

Më tej, në studion e “Real Story”, ai u shpreh se opozita kërkon zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa u shpreh se opozita ka gati propozimet për Reformën Zgjedhore. “Këtë po themi, zbatimi sa më shpejt i Reformës në Drejtësi. Për të shkuar te një parlament përfaqësues. Ne kemi rënë dakord para disa ditësh në një takim, një nga pikat ishte Reforma Zgjedhore. Unë e kam bërë gati atë që mendoj. Nëse flasim sot për kushtetueshmëri është sa kushtetues është parlamenti. Nuk duhet kthyer parlamenti në kuadër të një partie politike. Secili ka të drejtë të jetë në garë”, tha Mediu.

Ndërsa shtoi më tej, se sipas tij, sistemi më i mirë është ai “proporcional kombëtar” me lista të hapura. “Sistemi më i mirë është proporcional kombëtar me lista të hapura. Kjo është një çështje që kërkon shumë ndryshime. Ndërkombëtarët duan një Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse me opozitën reale. Kjo është një realitet që do të mbyll problemin e krizave nga pikëpamja zgjedhore. Të gjitha janë në tavolinë, kemi paraqitur prej kohësh 10 pika. Ndërkombëtarët e duan opozitën brenda procesit. Ne kërkojmë një proces që të zgjidh përfundimisht garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ndërkombëtarët kërkojnë ndëshkimin e krimit zgjedhor”, tha Mediu.

Ngjela: S`ka krizë politike. SHBA kundër bojkotit të Parlamentit

Avokat Spartk Ngjela, i ftuar në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News 24, është shprehur se PD gaboi me djegien e mandateve, pasi nuk kuptoi se SHBA dhe Gjermania nuk do e pranonin këtë vendim. Sipas tij, largimi nga Parlamenti është koncept anti-perëndimor. “Duhet të përcaktojmë se krizë nuk ka. Për mua kriza është në parlament. Pushteti luhet atje. Opozita iku, tani ka bërë dy gabime të rënda opozita në funksion të vetvetes. E para, nuk kuptoi që SHBA dhe Gjermania nuk do e pranonte bojkotin e parlamentit. Bojkoti është koncept anti-perëndimor. E bën dhe doli fitimtar Saliu dhe Basha. Nuk ka rëndësi se çfarë ka pasur në mendje. Ikën nga parlamenti, nuk ta pranon perëndimi. Sepse e kupton që je i paaftë”, tha Ngjela.

Më tej, ai shtoi se PD bëri gabim që u largua nga Kuvendi. Sipas tij, kriza mund të shkaktohej në Parlament duke bllokuar mazhorancën me vota. Ndërkohë, Ngjela tha se opozita nuk ka rrugëdalje tjetër veç dialogut me Kryeministrin Edi Rama.  “Përse të duhet më shumë? Rregullo sistemin zgjedhor, kërko ndihmë nga perëndimi. Një rast ka në historinë botërore; socialistët e Italisë, ikën nga parlamenti, ua mori vendet Partia Komuniste. Ata kishin arsye shumë të madhe. Momenti duket, opozita e pa që nuk ka rrugëdalje. Mirëpo nuk është në parlament. Rama më mirë do të bashkëpunojë me këta, se sa nuk di se kush drejton opozitën parlamentare”, tha Ngjela.

Avokat Spartak Ngjela shprehet gjithashtu se situata do fillojë të jetë në favor të opozitës, në momentin që një delegacion ndërkombëtar do takohet me përfaqësuesit e saj.  “Rama tani s`mund të thotë që nuk më lë opozita. Janë tre-katër grupe konfliktesh. Politika do fillojë të ndryshojë në favor të tyre, kur një delegacion i rëndësishëm që vjen këtu t`i takojë. Kriza është kur unë bllokoj qeverinë, s`ka vota për të marrë vendime. Kjo është krizë politike”, tha Ngjela.

“S`ka krizë”, Mediu debat me Ngjelën në “Real Story”

Deklaratat e bëra nga Avokati Spartak Ngjela në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se “në Shqipëri nuk ka krizë politike”, kanë shkaktuar debat në panelin e të ftuarëve. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe analisti Agron Gjekmarkaj, dolën kundër arsyetimit të Spartak Ngjelës. Mediu u shpreh se opozita nuk doli nga Parlamenti për qejf, por për shkak të vjedhjes së votës. Ndërkohë, Ngjela iu përgjigj duke i thënë që këtë çështje “çojeni në Uashington”. Ndërkohë, Spartak Ngjela ka treguar formulën se si PD mund të kthehet në pushtet.

Mediu: Ne nuk dolëm nga parlamenti për qejfin tonë. Ne dolëm për shkak të asaj që po ndodh në Shqipëri. Ky nuk ishte parlament shumice. Ishte parlament që ishte ndërtuar për shkak të vjedhjes së votës dhe bërjes bashkë me krimin, nuk ka më as Prokurori etj.

Ngjela: Mirë ore zotëri, çojeni në Uashington. T’iu pranojë Uashingtoni t’iu pranoj edhe unë.

Mediu: Sot Shqipëria është në krizë. Shqipëria po shpopullohet.

Ngjela: Kjo është ineficencë e qeverisë. Ka qenë gjithmonë.

Gjekmarkaj: Nuk mund të thuhet se Shqipëria nuk ka krizë, siç thotë avokati.

Ngjela: Kjo nuk është krizë politike, krizë por jo politike. Kriza është kur e ke në parlament. Nuk ka krizë jashtë parlamentit në të gjithë Europën.

Gjekmarkaj: Me këtë krizë, kryeministrin mund ta kesh 30 vjet në pushtet.

Ngjela: Nuk iu ka përkrahur asnjë politikë e madhe, asnjë partner i madh ndërkombëtar.  Nuk po ndihmoni opozitën. E djathta klasika ka qenë e gjitha pa shkollë, nuk i linte komunizmi në shkollë. Më kanë thënë të huajt se janë 1200 shqiptarë ekselentë në perëndim, thërrisni të djathtën klasike dhe e rrëzoni për 3 muaj, ndryshe nuk bëhet. Këtë frikë ka Rama, prandaj iu afron.

Mediu: Nuk ka as Gjykatë Kushtetuese…

Mediu: Presioni ndërkombëtar, opozita reflektoi për krizën

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediat u shpreh se reflektimi i opozitës për të ulur në tryezë me Ramën ka ardhur edhe si pasojë e presionit ndërkombëtar për të adresuar çështjet kryesore të vendit. Këto deklarata Mediu i tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24. Ndryshimi i qëndrimit të opozitës dhe presioni publik që aleatë i kanë bërë Bashës për uljen në dialog me Ramën, Mediu i cilësoi si një reflektim që erdhi pas 30 qershorit por edhe presionit ndërkombëtar. Për të marrë në vendim pozitiv për çeljen e negociatave duhet të zgjidhet kriza tha Mediu dhe në këtë pikëpamje është rritur edhe presioni ndërkombëtar.

“Unë mendoj se të gjithë arrijmë në një përfundim, Shqipëria është në krizë politike. Përgjegjshmëria e opozitës është se si duhet të dilet nga kriza. Duhet zgjidhje që i shërbejnë opozitës, jo për pushtetin, por për ta bërë shtetin funksional. Ky diskutim ka kohë që ka filluar në opozitë. Shkaktari i kësaj situate është Edi Rama. Opozita ka nevojë për të realizuar dhe aksionin politik. Aksioni politik i opozitës nuk ka dështuar. Bojkotimi i zgjedhjeve nga shqiptarët krijoi një raport tjetër me qeverinë. E dyta raporti i  OSBE/ODIHR-it ka certifikuar atë që opozita ka replikuar vazhdimisht për situatën në Shqipëri. Sot jemi para hapjes së negociatave dhe vendi ndodhet ende në krizë. Në këtë pikëpamje presionet janë më të mëdha ndaj ndërkombëtareve për të adresuar çështjet me rëndësi.” tha Mediu në Real Story.

Në lidhjet me krizën që shkaktoi opozita me daljen nga parlamenti dhe protestat e dhunshme, Mediu nuk pranoi të quante opozitën shkaktare të saj, por për të kjo krizë erdhi si pasojë e shkatërrimit të kushtetutës nga ana e Ramës. “Opozita nuk ishte shkaktare e krizës, por shkatërrimi i sistemit kushtues në mënyrë të qëllimshme nga Rama dhe krijimi i një parlamenti që nuk funksiononte nga asnjë lloj pikëpamje detyroi opozitën të dilte jashtë. Në këtë pikëpamje ka reflektime, siç ka pasur dhe vërejtje për aksionin e opozitës. Prandaj e rëndësishme është që të dilet nga kjo krizë duke reflektuar mbi raporte ndërkombëtare.”- tha Mediu.

Ngjela: Në Real Story: Nuk kemi shtet, po na e bëjnë aleatët

Për avokatin Spartak Ngjela, Shqipëria nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë shtet, por ajo po krijohet nga ndërkombëtarët falë Reformës në Drejtësi. Gjatë replikave të tij të ashpra me kreun e PR-së, Fatmir Mediu në emisionin Real Story, Ngjela u shpreh se reforma në drejtësi është e vetmja shpresë që ky vend do të bëhet. Sipas avokat Ngjelës me këtë drejtësi të re nuk ka më rëndësi se kush është gjyqtari, por kush është ligji dhe kushtetuta, pasi atë do të zbatojnë.

“Reforma në Drejtësi është e vetmja shpresë, shtetin tonë po e bëjnë aleatët, pasi ne nuk mundemi dot ta bëjmë. Drejtësia është e vetmja shpresë e jona që do të eliminojë korrupsionin në nivele të larta qeverisëse. Nuk ka rëndësi se kush janë gjyqtarët, por kush është ligji dhe kushtetuta dhe për fatin tonë ky ligj po bëhet nga aleatët. Nuk ka zgjedhje të lira pas pushtet gjyqësor dhe asnjë sektor tjetër.” tha Ngjela.

Reforma në Drejtësi është një nga reformat më të vlerësuara dhe të rëndësishme nga ndërkombëtarët dhe ajo është vazhdimisht nën monitorimin e SHBA që të krijohet siç duhet. Kjo drejtësi e re që pritet të vendoset sa më parë në zbatim me krijimin e strukturave të reja do të luftojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeverisës. Falë kësaj reforme të thellë, Shqipëria ka shpresa që t’i hapen negociata më 18 tetor, por dhe ka tmerruar kreun e shtetin dhe disa opozitarë dukë vënë në zbatim planin e tyre “për djegien e vendi’ dhe sulmimin e saj në mënyrë të vazhdueshme.

Ngjela: Me ndryshimin e sistemit zgjedhor humb si Rama dhe Basha

Avokati Spartak Ngjela ka bërë një deklaratë të fortë nga studio e emisionit “Real Story” në lidhje me reformën zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit elektoral duke thënë se këtë as Rama dhe as Basha nuk e dëshiron, pasi dalin të dy të humbur. Një ndryshim i sistemit zgjedhor nuk nxjerr dot as Ramën dhe as Bashën deputet, prandaj për avokatin Ngjela ato zvarrisin çështjen sikur nuk duan të ulen në tryezën e dialogut.

‘Me ndryshimin e sistemit zgjedhor as Basha dhe as Rama nuk dalin dot deputet deh e pësojnë si Ramiz Alia. Këtë ta garantoj unë. Dy të mëdhenjtë nuk e ndryshojnë sistemin dhe e vetmja shpresë që ajo të bëhet është opozita parlamentare. Edhe të mos duan më ato, nuk i lë opozita parlamentare. Opozita në parlament e ka vënë kusht ndryshimin e sistemit dhe prandaj shpresa e perëndimorëve është tek opozita e re” tha Ngjela në Real Story. Gjatë emisionit Real Story, Ngjela tha se vetë ndërkombëtarët duan ndryshimin e sistemit dhe prandaj po bëjnë presion për një tryezë për diskutimin e saj.

Opozita e re është shprehur e qartë se kërkon ndryshim të sistemit dhe nuk do të lejojë asnjë marrëveshje të re Rama –Basha në lidhje me të. Madje ata kanë shprehur veton se nuk do të lejojnë të kalojë asnjë marrëveshje në kuvend që nuk parashikon ndryshimin tërësor të sistemit elektoral. Kjo është mbështetur edhe nga ndërkombëtarët, të cilët përveçse e kanë njohur zyrtarisht si legjitime këtë opozitë, e cilësojnë edhe si një faktor real për ndryshimin e sistemit. Kjo vërehet dhe në vizitat që zyrtarët e huaj zhvillojnë në Tiranë, gjithmonë kanë përfshirë takime me Rudina Hajdarin, që duket se është ‘e preferuara’ e re e tyre. /RealStory.al/

Skip to toolbar