Analiza në Real Story: SHBA-BE duan Reformën Zgjedhore. Kështu zgjidhet kriza

#NËRADAR


Emisioni “Real Story” i gazetarit Sokol Balla në News 24, u fokusua te mesazhi pozitiv i dhënë nga Gjermania për hapjen e negociatave, ndërsa debati rrodhi drejt asaj që është tema e ditës prej gati një viti, kriza politike. Të ftuarit në studio, Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, analisti dhe avokati Spartak Ngjela dhe analisti Agron Gjekmarkaj, ranë dakord në një pikë të përbashkët; “kriza do të zgjidhet nga Reforma Zgjedhore”. Pavarësisht diskutimeve, Fatmir Mediu pranoi se “presioni ndërkombëar”, ka bërë që opozita të afrohet për dialog me mazhorancën, ndërsa pika e tyre e takimit, duket se do të jetë Reforma Zgjedhore.

Reforma Zgjedhore, Mediu në Real Story: Kemi propozuar 10 pika


Reforma Zgjedhore, duket se do të jetë një tjetër investim ndërkombëtar. Por këtë herë, ndryshe nga e kaluara, ky investim do të jetë aq serioz sa për Reformën në Drejtësi. I pyetur nga gazetari Sokol Balla, në lidhje me këtë reformë, kreu i  PR, Fatmir Mediu u shpreh se duhet një sistem konkurrues. “Qëndrimin tim për sistemin e kam bërë të qartë. Kam qenë kundër këtij sistemi, kam qenë për garë të hapur. Duhet konkurrim. Unë nuk mendoj se duhet ta reduktojmë diskutimin tonë me ndërkombëtarët për Reformën Zgjedhore. Çështja është te vullneti politik dhe vullnet legjislativ. Prandaj duhet të bëjmë një analizë”, tha Mediu.

Më tej, në studion e “Real Story”, ai u shpreh se opozita kërkon zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa u shpreh se opozita ka gati propozimet për Reformën Zgjedhore. “Këtë po themi, zbatimi sa më shpejt i Reformës në Drejtësi. Për të shkuar te një parlament përfaqësues. Ne kemi rënë dakord para disa ditësh në një takim, një nga pikat ishte Reforma Zgjedhore. Unë e kam bërë gati atë që mendoj. Nëse flasim sot për kushtetueshmëri është sa kushtetues është parlamenti. Nuk duhet kthyer parlamenti në kuadër të një partie politike. Secili ka të drejtë të jetë në garë”, tha Mediu.

Ndërsa shtoi më tej, se sipas tij, sistemi më i mirë është ai “proporcional kombëtar” me lista të hapura. “Sistemi më i mirë është proporcional kombëtar me lista të hapura. Kjo është një çështje që kërkon shumë ndryshime. Ndërkombëtarët duan një Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse me opozitën reale. Kjo është një realitet që do të mbyll problemin e krizave nga pikëpamja zgjedhore. Të gjitha janë në tavolinë, kemi paraqitur prej kohësh 10 pika. Ndërkombëtarët e duan opozitën brenda procesit. Ne kërkojmë një proces që të zgjidh përfundimisht garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ndërkombëtarët kërkojnë ndëshkimin e krimit zgjedhor”, tha Mediu.

Ngjela: S`ka krizë politike. SHBA kundër bojkotit të Parlamentit

Avokat Spartk Ngjela, i ftuar në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News 24, është shprehur se PD gaboi me djegien e mandateve, pasi nuk kuptoi se SHBA dhe Gjermania nuk do e pranonin këtë vendim. Sipas tij, largimi nga Parlamenti është koncept anti-perëndimor. “Duhet të përcaktojmë se krizë nuk ka. Për mua kriza është në parlament. Pushteti luhet atje. Opozita iku, tani ka bërë dy gabime të rënda opozita në funksion të vetvetes. E para, nuk kuptoi që SHBA dhe Gjermania nuk do e pranonte bojkotin e parlamentit. Bojkoti është koncept anti-perëndimor. E bën dhe doli fitimtar Saliu dhe Basha. Nuk ka rëndësi se çfarë ka pasur në mendje. Ikën nga parlamenti, nuk ta pranon perëndimi. Sepse e kupton që je i paaftë”, tha Ngjela.

Më tej, ai shtoi se PD bëri gabim që u largua nga Kuvendi. Sipas tij, kriza mund të shkaktohej në Parlament duke bllokuar mazhorancën me vota. Ndërkohë, Ngjela tha se opozita nuk ka rrugëdalje tjetër veç dialogut me Kryeministrin Edi Rama.  “Përse të duhet më shumë? Rregullo sistemin zgjedhor, kërko ndihmë nga perëndimi. Një rast ka në historinë botërore; socialistët e Italisë, ikën nga parlamenti, ua mori vendet Partia Komuniste. Ata kishin arsye shumë të madhe. Momenti duket, opozita e pa që nuk ka rrugëdalje. Mirëpo nuk është në parlament. Rama më mirë do të bashkëpunojë me këta, se sa nuk di se kush drejton opozitën parlamentare”, tha Ngjela.

Avokat Spartak Ngjela shprehet gjithashtu se situata do fillojë të jetë në favor të opozitës, në momentin që një delegacion ndërkombëtar do takohet me përfaqësuesit e saj.  “Rama tani s`mund të thotë që nuk më lë opozita. Janë tre-katër grupe konfliktesh. Politika do fillojë të ndryshojë në favor të tyre, kur një delegacion i rëndësishëm që vjen këtu t`i takojë. Kriza është kur unë bllokoj qeverinë, s`ka vota për të marrë vendime. Kjo është krizë politike”, tha Ngjela.

“S`ka krizë”, Mediu debat me Ngjelën në “Real Story”

Deklaratat e bëra nga Avokati Spartak Ngjela në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se “në Shqipëri nuk ka krizë politike”, kanë shkaktuar debat në panelin e të ftuarëve. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe analisti Agron Gjekmarkaj, dolën kundër arsyetimit të Spartak Ngjelës. Mediu u shpreh se opozita nuk doli nga Parlamenti për qejf, por për shkak të vjedhjes së votës. Ndërkohë, Ngjela iu përgjigj duke i thënë që këtë çështje “çojeni në Uashington”. Ndërkohë, Spartak Ngjela ka treguar formulën se si PD mund të kthehet në pushtet.

Mediu: Ne nuk dolëm nga parlamenti për qejfin tonë. Ne dolëm për shkak të asaj që po ndodh në Shqipëri. Ky nuk ishte parlament shumice. Ishte parlament që ishte ndërtuar për shkak të vjedhjes së votës dhe bërjes bashkë me krimin, nuk ka më as Prokurori etj.

Ngjela: Mirë ore zotëri, çojeni në Uashington. T’iu pranojë Uashingtoni t’iu pranoj edhe unë.

Mediu: Sot Shqipëria është në krizë. Shqipëria po shpopullohet.

Ngjela: Kjo është ineficencë e qeverisë. Ka qenë gjithmonë.

Gjekmarkaj: Nuk mund të thuhet se Shqipëria nuk ka krizë, siç thotë avokati.

Ngjela: Kjo nuk është krizë politike, krizë por jo politike. Kriza është kur e ke në parlament. Nuk ka krizë jashtë parlamentit në të gjithë Europën.

Gjekmarkaj: Me këtë krizë, kryeministrin mund ta kesh 30 vjet në pushtet.

Ngjela: Nuk iu ka përkrahur asnjë politikë e madhe, asnjë partner i madh ndërkombëtar.  Nuk po ndihmoni opozitën. E djathta klasika ka qenë e gjitha pa shkollë, nuk i linte komunizmi në shkollë. Më kanë thënë të huajt se janë 1200 shqiptarë ekselentë në perëndim, thërrisni të djathtën klasike dhe e rrëzoni për 3 muaj, ndryshe nuk bëhet. Këtë frikë ka Rama, prandaj iu afron.

Mediu: Nuk ka as Gjykatë Kushtetuese…

Mediu: Presioni ndërkombëtar, opozita reflektoi për krizën

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediat u shpreh se reflektimi i opozitës për të ulur në tryezë me Ramën ka ardhur edhe si pasojë e presionit ndërkombëtar për të adresuar çështjet kryesore të vendit. Këto deklarata Mediu i tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24. Ndryshimi i qëndrimit të opozitës dhe presioni publik që aleatë i kanë bërë Bashës për uljen në dialog me Ramën, Mediu i cilësoi si një reflektim që erdhi pas 30 qershorit por edhe presionit ndërkombëtar. Për të marrë në vendim pozitiv për çeljen e negociatave duhet të zgjidhet kriza tha Mediu dhe në këtë pikëpamje është rritur edhe presioni ndërkombëtar.

“Unë mendoj se të gjithë arrijmë në një përfundim, Shqipëria është në krizë politike. Përgjegjshmëria e opozitës është se si duhet të dilet nga kriza. Duhet zgjidhje që i shërbejnë opozitës, jo për pushtetin, por për ta bërë shtetin funksional. Ky diskutim ka kohë që ka filluar në opozitë. Shkaktari i kësaj situate është Edi Rama. Opozita ka nevojë për të realizuar dhe aksionin politik. Aksioni politik i opozitës nuk ka dështuar. Bojkotimi i zgjedhjeve nga shqiptarët krijoi një raport tjetër me qeverinë. E dyta raporti i  OSBE/ODIHR-it ka certifikuar atë që opozita ka replikuar vazhdimisht për situatën në Shqipëri. Sot jemi para hapjes së negociatave dhe vendi ndodhet ende në krizë. Në këtë pikëpamje presionet janë më të mëdha ndaj ndërkombëtareve për të adresuar çështjet me rëndësi.” tha Mediu në Real Story.

Në lidhjet me krizën që shkaktoi opozita me daljen nga parlamenti dhe protestat e dhunshme, Mediu nuk pranoi të quante opozitën shkaktare të saj, por për të kjo krizë erdhi si pasojë e shkatërrimit të kushtetutës nga ana e Ramës. “Opozita nuk ishte shkaktare e krizës, por shkatërrimi i sistemit kushtues në mënyrë të qëllimshme nga Rama dhe krijimi i një parlamenti që nuk funksiononte nga asnjë lloj pikëpamje detyroi opozitën të dilte jashtë. Në këtë pikëpamje ka reflektime, siç ka pasur dhe vërejtje për aksionin e opozitës. Prandaj e rëndësishme është që të dilet nga kjo krizë duke reflektuar mbi raporte ndërkombëtare.”- tha Mediu.

Ngjela: Në Real Story: Nuk kemi shtet, po na e bëjnë aleatët

Për avokatin Spartak Ngjela, Shqipëria nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë shtet, por ajo po krijohet nga ndërkombëtarët falë Reformës në Drejtësi. Gjatë replikave të tij të ashpra me kreun e PR-së, Fatmir Mediu në emisionin Real Story, Ngjela u shpreh se reforma në drejtësi është e vetmja shpresë që ky vend do të bëhet. Sipas avokat Ngjelës me këtë drejtësi të re nuk ka më rëndësi se kush është gjyqtari, por kush është ligji dhe kushtetuta, pasi atë do të zbatojnë.

“Reforma në Drejtësi është e vetmja shpresë, shtetin tonë po e bëjnë aleatët, pasi ne nuk mundemi dot ta bëjmë. Drejtësia është e vetmja shpresë e jona që do të eliminojë korrupsionin në nivele të larta qeverisëse. Nuk ka rëndësi se kush janë gjyqtarët, por kush është ligji dhe kushtetuta dhe për fatin tonë ky ligj po bëhet nga aleatët. Nuk ka zgjedhje të lira pas pushtet gjyqësor dhe asnjë sektor tjetër.” tha Ngjela.

Reforma në Drejtësi është një nga reformat më të vlerësuara dhe të rëndësishme nga ndërkombëtarët dhe ajo është vazhdimisht nën monitorimin e SHBA që të krijohet siç duhet. Kjo drejtësi e re që pritet të vendoset sa më parë në zbatim me krijimin e strukturave të reja do të luftojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeverisës. Falë kësaj reforme të thellë, Shqipëria ka shpresa që t’i hapen negociata më 18 tetor, por dhe ka tmerruar kreun e shtetin dhe disa opozitarë dukë vënë në zbatim planin e tyre “për djegien e vendi’ dhe sulmimin e saj në mënyrë të vazhdueshme.

Ngjela: Me ndryshimin e sistemit zgjedhor humb si Rama dhe Basha

Avokati Spartak Ngjela ka bërë një deklaratë të fortë nga studio e emisionit “Real Story” në lidhje me reformën zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit elektoral duke thënë se këtë as Rama dhe as Basha nuk e dëshiron, pasi dalin të dy të humbur. Një ndryshim i sistemit zgjedhor nuk nxjerr dot as Ramën dhe as Bashën deputet, prandaj për avokatin Ngjela ato zvarrisin çështjen sikur nuk duan të ulen në tryezën e dialogut.

‘Me ndryshimin e sistemit zgjedhor as Basha dhe as Rama nuk dalin dot deputet deh e pësojnë si Ramiz Alia. Këtë ta garantoj unë. Dy të mëdhenjtë nuk e ndryshojnë sistemin dhe e vetmja shpresë që ajo të bëhet është opozita parlamentare. Edhe të mos duan më ato, nuk i lë opozita parlamentare. Opozita në parlament e ka vënë kusht ndryshimin e sistemit dhe prandaj shpresa e perëndimorëve është tek opozita e re” tha Ngjela në Real Story. Gjatë emisionit Real Story, Ngjela tha se vetë ndërkombëtarët duan ndryshimin e sistemit dhe prandaj po bëjnë presion për një tryezë për diskutimin e saj.

Opozita e re është shprehur e qartë se kërkon ndryshim të sistemit dhe nuk do të lejojë asnjë marrëveshje të re Rama –Basha në lidhje me të. Madje ata kanë shprehur veton se nuk do të lejojnë të kalojë asnjë marrëveshje në kuvend që nuk parashikon ndryshimin tërësor të sistemit elektoral. Kjo është mbështetur edhe nga ndërkombëtarët, të cilët përveçse e kanë njohur zyrtarisht si legjitime këtë opozitë, e cilësojnë edhe si një faktor real për ndryshimin e sistemit. Kjo vërehet dhe në vizitat që zyrtarët e huaj zhvillojnë në Tiranë, gjithmonë kanë përfshirë takime me Rudina Hajdarin, që duket se është ‘e preferuara’ e re e tyre. /RealStory.al/




Skip to toolbar