Mitsotakis: Së shpejti njohim patentat shqiptare

AKTUALITET


Zbardhet takimi i Kryeministrit Edi Rama me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Në një deklaratë të zyrës për shtyp të  Kryeministrisë, thuhet se “Kryeministri Edi Rama është pritur në një takim me frymë pozitive nga Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis. Në këtë takim u diskutuan të gjitha çështjet e përbashkëta. Kryeministri i Shqipërisë theksoi se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri”.

Sipas informacionit zyrtar dhënë nga zyra për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, mësohet se “Kyriakos Mitsotakis theksoi se Greqia mbështet prespektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa kohë këto vende përmbushën të gjitha kërkesat për anëtarësim”. Ndërkohë, kreu i ekzekutivit shqiptar, deklaroi gjatë takimit se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, “Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri”.

Në takimin mes dy kryeministrave, një vëmendje e veçantë i është kushtuar diskutimit për çështjet ende të pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pasi shprehi mbështetjen e Greqisë ndaj Shqipërisë për perspektivën evropiane, Kyriakos Mitsotakis “mirëpriti angazhimin e palës shqiptare për të vazhduar punën me çështjet e pronave dhe të vetëdeklarimit/censusit, të cilat janë shqetësime për minoritetin grek në Shqipëri. Veç kësaj, Kryeministri grek theksoi se marrëveshja bilaterale për njohjen e ndërsjelltë të patentave do të kalojë së shpejti për miratim në parlamentin grek”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë. Në fund, thuhet se “Kryeministri i Shqipërisë ftoi Kryeministrin e Greqisë për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën ai e pranoi”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë.



Skip to toolbar