Albi Xhunga: Turqia nuk është Erdogan

OPINION


Historia dashuri-urrejtje shekullore e shqiptarëve dhe turqve  dhe qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj saj janë tema ende të patrajtuara në formë shteruese dhe natyrisht që kjo krijon ambiguitet të vazhdueshëm. Historianëve dhe politikanëve tanë, të cilët nuk kanë rënë dakort as për datën e çlirimit, është e tepërt t’iu kërkosh sot të kenë një qëndrim të qartë dhe të dakortësuar ndaj historisë së djeshme dhe realitetit të sotëm shqiptaro-turk. Pasojat duken sa herë që ka ngjarje mes dy vendeve. Në asnjë rast nuk mungojnë komentatorët që i referohen asaj pjese të historisë që i volit narracionit të tyre me motivim kryesisht politik, por jo rrallë edhe fetar. Rezultati është një debat shumë dimensional, me tone të forta e me shumë pasion, por që është i destinuar të mbetet i pazgjidhur dhe të vazhdojë pafundësisht.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe pas pritjes mbretwrore të kryeministrit tonë nga njeriu i fortë i Bosforit dhe sidomos pas ndihmave gjeneroze, ku përfshihet edhe një spital i ndërtuar në më pak se tre muaj, prerja e shiritit të të cilit përkon ‘’rastësisht’’ me kulmin e fushatës elektorale. Debati nisi sërish edhe më i zjarrtë se më parë dhe do të sfumohet i pazgjidhur nga sensacioni i rradhës, për t’u rihapur më vonë.


Megjitëse oponentët politikë të kryeministrit heshtin publikisht, zëdhënësit e tyre mediatikë i nisën sulmet ende pa mbaruar vizita. Edi Rama akuzohet se po e devijon kursin e anijes shqiptare drejt Bosforit, duke dashur të braktisë destinacionin Europian.

Qindra shekuj bashkëjetesë

Historianët seriozë bien dakort se nuk ka pushtim që zgjat me shekuj. Pushtimi dhe reprezaljet janë fazat e para, të cilat me kalimin e kohës ia lenë vendin bashkëjetesës nën ombrellën e një perandorie. Pra me gjithë rezistencën e lavdishme të Kastriotit, e cila u bë gur themeli i rilindasve në formëzimin e identitetit kombëtar e më pas në shtetndërtimin shqiptar, pesë shekuj nën Perandorinë Osmane nuk mund të quhen thjesht dhe vetëm pushtim.

Aq e vërtetë është kjo, saqë nëse i referohemi historisë, shqiptarët nuk do të kishin shkëlqyer më shumë nën flamurin osman edhe sikur perandoria të drejtohej nga sulltanë shqiptarë. Historianët flasin për 37 kryeministra (kryevezirë) shqiptarë në Perandorinë Osmane, shtatë prej të cilëve nga e njëjta familje. Ministrat (vezirët), guvernatorët, gjeneralët, pashallarët, komandantët etj, nuk mund të numërohen. Eqrem bej Vlora flet në kujtimet e tij për shqiptarë që komandonin e drejtonin ushtri e popuj mijëra kilometra larg Stambollit vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Duke marrë parasysh këtë protagonizëm të shqiptarëve, një studiues turk thotë se osmanët iu vërsulën trojeve shqiptare me zjarr e me hekur vetëm e vetëm për t’iu ‘’dhuruar’’ atyre perandorinë. Ende sot një nga lagjet historike të Stambollit (distrikti i Beshiktashit) quhet ‘’Fshati i shqiptarëve’’ (Arnavvutköy). Në Turqinë e sotme jetojnë miliona njerëz me origjinë shqiptare, numri i të cilëve mund të jetë më i madh se banorët e Shqipërisë dhe Kosovës të marra së bashku. Një nga lagjet më të mëdha të Stambollit, Bajram Pasha, është e populluar masivisht nga shqiptarë. Klubi i Gallatasarait do të themelohej nga i biri i Sami Frashërit (Ali Sami Yen) dhe stadiumi ku ekipi i Gallatasarait luante mbante emrin e tij. Qyteti i Bursës, i cili ka qenë edhe kryeqytet i Perandorisë osmane para Stambollit, ka një shumicë dërrmuese banorësh me origjinë shqiptare. I konsiderojmë me origjinë shqiptare, jo vetëm sepse ata sot kanë vetëm nënshtetësi turke, por edhe sepse shumica e tyre nuk flasin më shqip.

Natyrisht që historia nuk është kaq rozë. Shumë herë përgjatë historisë shqiptarët janë ngritur për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për këtë janë vrarë, syrgjynosur, dëbuar në ekzil me pasuri të sekuestruar. Periudha e xhonturqve është ndoshta më e errëta për shqiptarët në perandori. Atyre iu mohoeshin edhe të drejtat elemntare, si gjuha. Prapambetja e perandorisë në dekadencën e saj nuk dëmtoi asnjë popull tjetër sa dëmtoi shqiptarët. Kur ajo u largua shqiptarët u gjendën në një errësirë të thellë, të plotë e të gjithanshme. Këta faktorë ndikuan tek ata mendjendritur të këtij kombi për t’u kthyer drejt orientimit kombëtar.

Mirëpo megjithë këtë marrëdhënie me shumë dritë-hije e me shumë dashuri-urrejtje, një gjë është shumë e vërtetë. Shpallja e pavarësisë së shtetit të ri shqiptar nuk u bë kundra Perandorisë, por kundrë fqinjve që donin të na pushtonin e që pjesërisht ia dolën. Ata burra që shpallën pavarësinë, duke ditur brishtësinë e popullit shqiptar, të pa organizuar, të pa armatosur dhe në një prapambetje e varfëri të skajshme, nuk donin pavarësi, por autonomi. Pavarësinë e shpallën vetëm kur e panë se perandoria nuk ishte në gjëndje t’i mbronte më.

Kohët moderne

Turqia moderne ka qenë dashamirëse ndaj Shqipërisë edhe kur ky shtet nuk drejtohej nga Erdogan, i cili sipas shumë analistëve shqiptar dhe të huaj ka tendencën për të rritur influencën e Turqisë në rajon, e cila duhet thënë se ka një fuqi të konsiderueshme ekonomike e ushtarake. Shqipëria është ndihmuar nga Turqia ekonomikisht, ushtarakisht (këtu nuk flasim për luftë, por për ndihmat ndaj ushtrisë shqiptare, trajnimeve, shkollimit të kuadrove etj.) dhe politikisht. Turqia ishte nga të parat shtete që njohën Kosovën. Turqia me kryeministren Tansu Çiller do të ngrinte zërin dhe do të ofronte mbrojtje ndaj Shqipërisë në vitin e mbrapshtë 1997 ku qarqet nacionaliste greke do të shpallnin se kishte ardhur momenti hisorik për të marrë atë që ata e quajn Vorio-Epir.

Erdogan është padyshim një lider autokrat. Burgosja e gazetarëve dhe opozitarëve me procese gjyqësore të montuara fund e krye është ana më e errët e një pushteti represiv. Megjithatë institucionet ndërkombëtare nuk e konsiderojnë Turqinë një diktaturë por një demokraci të pjesshme. Kjo ndodh sepse autokrati Erdogan nuk ka vënë dorë mbi procesin zgjedhor. Fakti që ai i fiton zgjedhjet me rezultat gjithnjë e më të ngushtë dhe humbja e Stambollit dhe Ankarasë në zgjedhjet e fundit lokale nga partia e tij vërteton se në Turqi funksionon ende institucioni votë. Ky paradoks i një lideri autokrat e pothuajse diktator që gjithsesi respekton votën nuk është rasti i parë në histori. Hitleri është akuzuar për krimet e monstruozitetet më të llahtarshme, por askush nuk e ka akuzuar për manipulim zgjedhjesh. Gjermanët e zgjodhën dhe e donin Hitlerin, siç turqit e zgjodhën dhe e duan presidentin Erdogan.

Kjo bën që ky lider kontrovers të jetë megjithatë i pranuar për perëndimin. Natyrisht këtu luan një rol të dorës së parë edhe fuqia e shtetit turk, i i cili posedon ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s dhe falë pozicionit strategjik luan një rol të dorës së parë në frenimin e Rusisë në zonën përreth detit të Zi.

Edhe konflikti greko-turk tregoi se Turqia nuk mund të impresionohet as nga patrullimi i anijeve luftarake franceze përkrah atyre greke e as nga kërcënimet për sanksione nga Bashkimi Europian. Këtu vlen të theksohet se këto sanskione janë kundërshuar në heshtje nga Gjermania, e cila shkëmbimin tregtar me Turqinë e ka rreth 40 miliardë euro në vit. Mirëpo akoma më interesant duket të jetë pozicioni i Francës, e cila përveç shkëmbimeve të rëndësishme tregtare me Turqinë, në rast sanksionesh do të penalizonte edhe shumë kompani franceze që prodhojnë në Turqi, si për shembull Renault. Sanksioneve eventuale të BE-së Turqia iu përgjigjet duke kërcënuar Europën se do të hapë portat për miliona rrefugjatë sirianë etj që sot gjenden në Turqi. Pra në një botë globaliste dhe me interesa të ndërlidhura  është shumë e komplikuar të përpiqesh t’i imponohesh një fuqie të konsiderueshme si Turqia.

Presidenti Erdogan, përveçse përshkruhet si një lider i fortë, është padyshim dhe një lojtar politik i nivelit të lartë. Edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai ka ditur të luajë mjeshtërisht. Blerja e sistemit mbrojtës të raketave në Rusi acaroi marrëdhëniet e tij me SHBA-të, por duke marrë parasysh rëndësinë e Turqisë, SHBA-të u mjaftuan me rrefuzimin për t’i shitur Turqisë avionët gjuajtës F35, pa vendosur sanksione të tjera.

Pra për perëndimin Turqia është në mënyrë paradoksale edhe fuqi rivale edhe partner i rëndësishëm. Kjo e bën presidentin Erdogan të pranuar për perëndimin, me gjithë akuzat e rënda në adresë të tij.

Miqësia Rama Erdogan dhe partneriteti strategjik

Me një llogjikë të thjeshtë, nëse Erdogan pranohet për pragmatizëm nga perëndimi atëherë pse shqiptarët duhet të bëhen më katolikë se papa? Përse ne duhet t’i referohemi pushtimit turk në kohën e Kastriotit dhe të harrojmë të gjithë pjesën tjetër? Ne jemi vend i vogël, i varfër dhe kemi nevojë për mbështetje. Të thuash se ky partneritet strategjik po e largon Shqipërinë nga rruga e saj europiane është jo realiste, në mos delirante. Shqipëria nuk ka luksin të ndërpresë apo të ftohë marrëdhëniet me shtete si Turqia për arësye parimore. SHBA-të mbajnë marrëdhënie të ngushta me Arabinë Saudite që është një diktaturë gjakatare në kuptimin e parë të fjalës. Erdogan ende nuk ka copëtuar ndonjë gazetar në ambasadat e Ankarasë në Botë.

Është e dukshme që Edi Rama ka një miqësi të afërt me presidentin Erdogan. Mirëpo ajo që ne duhet të shohim me kujdes janë vetëm koncesionet që kryeminisri ynë mund t’i bëjë mikut të tij Erdogan. Në Ankara u firmos një marrëveshje, e cila mes të tjerash përmbante edhe çështjen e riatdhesimit të anëtrëve të organizatës FETO, të cilën Turqia e akuzon si organizatore e grushtit të shtetit. Është apo jo kjo organizatë organizatore e grushtit të shtetit në Turqi kjo nuk është çështje që na përket. Tirana zyrtare nuk duhet kurrsesi të pranojë riatdhesimin e shtetasve turq edhe nëse Ankaraja sjell prova se ata janë fajtorë, pasi në Turqi atyre nuk mund t’iu garantohet një proces i drejtë ligjor. Vetëm ky fakt do të duhej të bënte që çdo kërkesë e tillë të rrefuzohet nga shteti shqiptar. Këtu duhet të përqëndrohet vëmendja e opinionit publik dhe e shoqërisë civile. Një koncesion i tillë është i papranueshëm dhe një turp i rëndë për Shqipërinë. Ndërsa nga pikat e tjera të marrëveshjes Shqipëria vetëm fiton.

Miqësia personale e Ramës me presidentin Erdogan nuk duket t’i sjellë ndonjë dëm shtetit shqiptar e as ta largojë Shqipërinë nga rruga e saj europiane. Ndihmat e presidentit turk, edhe në ardhshin vetëm falë miqësisë me Edi Ramën, janë të mirëseardhura. Një vend i vogël e i varfër, i shkundur nga dy tërmete e i rrënuar nga pandemia ka nevojë për miq e për ndihmë. Lidershipi i Erdogan një ditë do të mbarojë, por Shqipëria ka nevojë për miq si Turqia edhe përtej kësaj dite.

Analisti Agron Gjekmarkaj akuzoi Ramën se u përkul përpara ushtarëve turq që mbanin uniformë osmane. Gjekmarkaj e njeh historinë. Ai besoj se e di fare mirë se atë uniformë e kanë mbajtur me qindra-mijëra shqiptarë ndërshekuj për t’i shërbyer perandorisë në të cilën ishin pjesë e privilegjuar. E ka mbajtur edhe Kastrioti kur përpara rebelimit shkonte në luftë për të robëruar popuj për llogari të padishahut. Historia nuk është bardh e zi e as shkencë ekzakte. Nuk është fare çudi që edhe ndër ata ushtarë përpara të cilëve Rama u përkul disa të jenë shqiptarë.

Erdogan nuk është Turqia dhe Turqia nuk është Erdogan.




Skip to toolbar