Rama i përgjigjet në shqip Iranit: Çdo sulm ndaj nesh, është sulm ndaj NATO

#NËRADAR


Pas përfundimit të konferencës së marrjes së kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria, Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të kësaj organizate, doli në një konferencë për shtyp. Gjatë konferencës, gazetarët e pyetën Kryeministrin Edi Rama në lidhje me rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga një sulm i mundshëm nga Irani. Rama tha se fakti që në Shqipëri janë strehuar përfaqësuesit e opozitës iraniane është një risk për vendin. Por ai shtoi, se çdo sulm nda Shqipërisë është sulm ndaj NATO-s. Fillimisht, Kryeministri kërkoi që të fliste në gjuhën shqipe, pasi sipas tij është hera e parë që në zyrat e OSBE flitet shqip. “Dua mundësinë të flas shqip në këtë sallë pasi nuk është folur kurrë shqip më përpara në këtë sallë. Sfida jonë është të fokusohemi tek parimet elementare”, tha Rama.

Ndërsa më pas iu përgjigj edhe liderit supreme të Iranit, Ali Khamenei, që e quajti Shqipërinë “vend  djallëzor”. “Kemi marrë përsipër një risk që të strehojmë 3 mijë muxhahedinë. Jam shumë krenar që ky risk është marrë në mënyrë bipartizane. Në këtë drejtim politika shqiptare ka bërë këtë hap me një bindje të unifikuar në funksion të një aleance strategjike të padiskutueshme me SHBA. Dua të nënvizoj se ne jemi anëtare të NATO-s dhe çdo sulm mbi vendin tonë është sulm mbi NATO-n. Pra kush e ka menduar përfshirjen në NATO si një moment celebrimi, ne jemi vend i saj dhe ne kemi detyrime në NATO. Jemi në një botë ku përballemi me rreziqe dhe armiq të demokracisë dhe jemi shumë krenarë që jemi të dobishëm në mbështetje të një aleance që lufton për një botë më të mire”, tha Rama ndër të tjera.

Gjithashtu, kryeministri Rama e përmendi këtë çështje edhe gjatë fjalës përmbyllëse në konferencën ku Shqipëria mori zyrtarisht drejtimin e OSBE. Rama tha se duhet një platformë dialogu me vendet e Azisë, pasi situata është përkeqësuar, ndërsa tha se “këtë po e them në emër të një vendi që u cilësua djallëzor”. “Së fundi duke qënë se shumë prej mundësive tona vijnë përtej shtrirjes së OSBE, na duhet të forcojmë platformat e dialogut me vendet aziatike për bashkëpunim. Situata aktuale në brigjet jugore është se sa ngushtë e ndërlidhur është siguria e vendeve tona, dhe meqë ra fjala por flas në emër të një vendi që dje u përcaktua si një vend djallëzor në mes të Europës nga autoriteti më i lartë i regjimit totalitar të Iranit”, tha Rama.

Ai u pyet dhe për angazhimin e tij si kryesues i OSBE për situatën në Ukrainë. Kryeministri Rama tha se vizita e parë e tij do të jetë në Ukrainë, ndërsa shtoi se do të punojë që konflikti me Rusinë të mos përkeqësohet. “Dëshiroj të theksoj se si Kryesuesi i OSBE unë nuk duhet të largohem dhe të shpreh qëndrime apo pikëpamje, që mund të jenë të natyrshme kur flas si kryeministër i Shqipërisë, por në këtë pozitë që jam, kjo s`do të jetë e mundur. Si kryesues i OSBE detyra ime është të nxisë dialog dhe të ecim përpara. Kriza në Ukrainë dhe siguria në Europë është një sfidë e madhe. Do mundohemi të jemi sa më të dobishëm të jetë e mundur që të dyja palët të afrohen drejt një kohezioni pozitiv. Nuk është pa arsye që unë kam vendosur që vizitën time të parë ta bëj në Ukrainë. Jam i angazhuar të bëj më të mirën time, në mënyrë që kjo krizë të mos shkallëzohet më tutje”, tha Rama.



Skip to toolbar