Kërcënon Irani: Do rrisim nivelin e pasurimit të uraniumit

AKTUALITET


Irani po e rrit nivelin e pasurimit të uraniumit përtej niveleve të lejuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që vendosi kufizime ndaj programit bërthamor të vendit.

Teherani e njoftoi këtë ndryshim të dielën. Agjencia Reuters tha se Irani mund ta rrisë nivelin e pasurimit në 5% për të prodhuar karburant për termocentralet.

Javën e kaluar, Irani njoftoi se e kishte tejkaluar kufirin e uraniumit të pasuruar prej 300 kilogramësh, por zyrtarët, përfshirë Ministrin e Jashtëm Mohammad Javad Zarif, thanë se Teherani ishte gati t’i respektonte përsëri kufizimet e vendosura nga marrëveshja, nëse do të merrte ndihmën ekonomike nga vendet e tjera të përfshira në marrëveshje.

Presidenti iranian Hassan Rouhani kohët e fundit tha se vendi i tij do të fillojë pasurimin e uraniumit në nivele më të larta, nëse nuk lehtësohen sanksionet nga nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes së vitit 2015.

Marrëveshja e ndalon Iranin të prodhojë uranium të pasuruar mbi nivelin 3.67% dhe e lejon të mbajë vetëm 300 kilogramë nga ky lloj materiali në rezervat e vendit./VOA/



Skip to toolbar