Kryeministri Rama ka zhvilluar të mërkurën takimin e përjavshëm në kuadër të platformës së bashkëqeverisjes që ndihmon në zgjidhjen e problemeve të njerëzve, por ka mbetur pa fjalë nga fjalimi i qetë dhe me pika mbi “i” i një qytetari, ish i dënuar politik.
Seit Spahiu nga Vlora, kishte punuar në minierë gjatë dënimit dhe prej vitesh nuk gjente zgjidhje për pensionin duke u sorollatur nga njëra zyrë në tjetrën. Zgjidhjen e ka gjetur vetëm pasi iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes. Në fjalën e tij Spahiu ia tha në sy Ramës, se në zyrat e shtetit ka njerëz të paaftë që tallen me hallet e njerëzve.
“Mos harroni se keni punë për të bërë, se burokraci ka në shumë zyra, ka shumë probleme. Me të burgosurit në shumë zyra tallen. Unë jam njeri që jetoj vetëm për momentin, nuk kam të ardhura të tjera, biznes nuk bëj se s’kam takat, me bixhoz nuk merrem, me se të jetoj. Kam ardhur nga Vlora që në 5 të mëngjesit për këtë punë. Ka shumë vende që lënë për të dëshiruar, ke njerëz të paaftë të Sigurimet Shoqërore, ka plotë video, që nëse do i shohësh do qeshësh. Përgjegjësi atje te Sigurimet, ulërinte si gomar, dhe përgjigje nuk të jepte asnjë njeri. Edhe në stallë të derrave do të kishte më rregull e më disiplinë”- tha Spahiu.
Pas tij, fjalën e ka marrë kryeministri i cili e falënderoi të moshuarin ndërsa tha se nuk gjen fjalë për ta kundërshtuar. Rama bëri të ditur se në 6 vite që ai drejton qeverinë janë ndryshuar shumë gjëra në administratë, por ende ka shumë për të bërë. Ndërsa premtoi se do të hetohet rasti i përgjegjësit të zyrës së sigurimeve në Vlorë dhe nëse rezulton e vërtetë ai do të shkarkohet nga puna./realstory.al