Fiorentina interesohet për qendërmbrojtësin shqiptar, Berat Gjimshiti. Ky lajm raportohet nga mediat pranë klubit të Fiorentinës, të cilat pohojnë se klubi pritet të kontaktojë Atalantën për shqiptarin.
Futbollisti i kombëtares shqiptare është duke bërë një sezon të shkëlqyer me Atalantën në Serinë A, teksa bergamezët janë duke realizuar ëndrrën për pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm.
Gjimshiti është kthyer në shtyllë kryesore në skemën me tre mbrojtësa në qendër të trajnerit Gasperini, duke i dhënë siguri skuadrës së Atalantës në prapavijë. Megjithatë, ai këtë sezon numëron dhe dy gola të shënuar ndaj Interit dhe Lazios, duke i rritur kreditet e tij.
Fiorentina nuk është ekipi i vetëm që interesohet për futbollistin shqiptar, pasi Zenit dhe klube të tjera europiane kanë shfaqur interes.
Por ky transefrim është në mos i pamundur i vështirë, pasi Gjimshiti ka rinovuar me Atalantën dhe klubet e tjera për të prishur kontratën do të duhet të derdhin mbi 20 milionë euro për shqiptarin.
Ky është vlerësimi që i bënte pak ditë më parë Skay Sport kartonit të Gjimshitit, teksa një pengesë tjetër mund të jetë fakti që mbrojtësi shqiptar të llogaritet si pjesë e planit Champions për sezonin e ardhshëm.