Si sot, 75 vite më parë, u çlirua nga pushtimi nazi-fashist, qyteti i Tiranës. Operacion i madh, nga më të rëndësishmit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.
Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë. Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH.
Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij. Menjëherë pas çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor 1944, me urdhër të Qeverisë së Përkohshme Antifashiste, e cila ato ditë ndodhej në Berat, një repart i ushtrisë partizane mori në ruajtje godinën qendrore të Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë. Çlirimi i Tiranës pati rëndësi të madhe politike e ushtarake dhe kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.