Kastrioti mund Kukësin në shtëpi

Më të fundit


Skuadra e Ramazan Ndreut del nga gara për titull

Kastrioti ka mundur Kukësin me rezultatin 2-1, në javën e fundit të fazës së tretë të Superligës. Një ndeshje spektakolare për krutanët, të cilët arritën të përmbysin disavantazhin  e pjesës së parë, duke shënuar dy gola në të dytën.

Skuadra e Kukësit kaloi e para në avantazh në minutën e 33` të pjesës së parë, teksa ishte Vasil Shkurtaj ai që shënoi për miqtë. Shkurtaj futet bukur në zonë dhe pasi krijon hapësirën e nevojshme, gjuan duke dërguar topin në cepin e portës të mbrojtur nga Çekrezi.

Kukësi kalon në avantazh 0-1, ndaj vendasve të cilët deri në atë moment po bënin lojë të mirë, ndërsa deri në përfundim të pjesës së parë shifrat nuk ndryshojnë.

Vendasit do të gjejnë golin e barazimit në minutën e 64`, me autor Roxher, i cili përfiton pas një rrëmuje në zonën e Kukësit. Një shpërqëndrim i mbrojtjes mike, ka bërë që futbollisti brazilian të përfitojë duke shënuar golin e barazimit.

Roxher gjuan nga brenda zonës, por topi godet shtyllën dhe më pas përplaset me shpinën e portierit Frashëri, ndërsa më pas sfera përfundon në rrjetë. 1-1 në fushën e “Redi Malokut”, me skuadrën vendase që shpërblet pas rritjes së presionit ndaj kundërshtarit.

Edison Ndreca ishte ai që ndëshkoi miqtë në minutën e 81` të takimit, duke kapur në befasi skuadrën e Kukësit. Një gol me vlerën e tre pikëve që e mban Kastrion me shpresë për luftën për mbijetesë. Një e majtë spektakolare e futbollistit të krutanëve ka bërë që në Fushë Krujë të shpërthejë festa.

Pas fitores së sotme, Kastrioti merr tre pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë, duke u afruar në renditje me Tiranën, me vetëm 3 pikë diferencë, mirëpo bardheblutë luajnë pasdite vonë ndaj Flamurtarit. Nga ana tjetër, Kukësi del përfundimisht nga gara për Titullin Kampion këtë sezon, pasi ky hap fals e largon dhe më shumë nga Partizani kryesues, që në pasdite luan ndaj Lufëtarit.



Skip to toolbar