Basha rikthehet te “Rama ik”. Kërcënon politikanë, media e biznesmenë: Do i shtypim të gjithë

Më të fundit


Kreu i opozitës, Lulzim Basha, duke folur me të njëjtën retorikë për 30 qershorin, ka dalë me kërcënime para mbështetësve të tij në protestën e dhjetë të opozitës, ka deklaroi se opozita do i shtypë të gjithë që nga politika, media dhe biznesi. Në këtë protestë, ai i është rikthyer thirrjeve Rama ik, ku ka deklaruar se nuk ka integrim të Shqipërisë pa largimin e Edi Ramës dhe pa dënimin e politikanëve të inkriminuar.

“Kriza duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet me parime, dhe jo me pazare. Kjo krizë do të zgjidhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ata që e kanë sjellë vendin në këtë vend, ata që sollën krimin në politikë, ata që u korruptuan, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtarë, por si përgjegjës. Vetëm kjo e shpëton të ardhmen evropiane të Shqipërisë: Nxjerrja e politikanëve të lidhur me krimin para drejtësisë së pavarur. Vetëm drejtësia përmes ligjit. Dua ta deklaroj para gjithë botës: Derisa të dalin para drejtësisë, ata që vodhën votat e shqiptarëve, bashkë me krimin, nuk do të ketë zgjidhje politike. Ne do të bëjmë çdo përpjekje do të përdorim çdo mjet për t’i nxjerrë ata para drejtësisë”, deklaroi Basha.


Ndërkohë, veç këtij kushti, Basha deklaroi se bashkë me këta do të largohet dhe Edi Rama nga pushteti.  “Bashkë me ta, do të largojmë Edi Ramën nga pushteti. Njeriun që e solli krimin në politikë, njeriu që ia la shtetin në dorë krimit”, deklaroi Basha. Sipas tij, “pa u larguar Edi Rama nga pushteti nuk do të ketë drejtësi, nuk do të ketë zgjedhje, nuk do të ketë integrim në BE”.

Por ‘kërcënimet’ lideri demokrat nuk i pati vetëm ndaj hajdutëve të votave. Ai foli për median, bizneset, dhe kriminelët e rrugës, që siç Basha u shpreh “do i shtyp pa mëshirë”.

“Përgatituni për ditën e gjykimit. Kriminelëve u themi ne do ju shtypim pa mëshirë. Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërruese. Shqipëria, e bukura e dheut, do të jetë një vend i lirë, me fundin e këtij regjimi kriminal. Fund të fortëve të rrugës, fund të fortëve të politikës, të medias, të biznesit, hapja dhe liria është fundi i të fortëve”, u shpreh kryetari i PD-së.

Kreu i opozitës foli edhe për rezultatet që prodhoi 30 qershori, ku siç tha ai, shqiptarët refuzuam të keqen, izoluan krimin, ndëshkuan korrupsionin.

“30 qershori ishte një referendum kundër së keqes. Ishte demonstrimi i mrekullueshëm i lirisë, i europianizmit dhe qytetarisë së shqiptarëve. 30 qershori ishte dita kombëtare e kurajos, kur shqiptarët treguan se ata kanë forcë të ndahen nga e keqja. 30 qershori ishte dita e popullit, kur shqiptarët treguan se janë kundër regjimit kriminal të Edi Ramës. Edi Rama vetë kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe, prapë, vodhi vota, por ai nuk mundi dot të fshehë braktisjen dhe refuzimin e tij nga populli”, tha Basha, i cili vuri në dukje se 85 % e shqiptarëve e refuzuan regjimin e tij. “Refuzuan krimin dhe korrupsionin, refuzuan varfërinë dhe mungesën e shpresës”, deklaroi Basha.

Sipas tij, populli i bashkuar është fundi i autokratëve të korruptuar. “Ne bashkë i themi ”Ndal” qeverisë më të korruptur të Europës, “Ndal” politikës së krimit dhe të vjedhjes. Shqipëria është e njerëzve. Qeverisja është e popullit. Rama ik! E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, ishin thirrjet e kreut të opozitës.

Në fjalimin para mijëra protestuesve tek kryeministria, lideri i opozitës tha se përpjekja 6-vjeçare e PD, këmbëngulja dhe qëndresa, triumfoi.  “Këto përpjekje po sjellin ndryshimin e madh. Jo vetëm largimin e kësaj qeverie, por ndryshimin e thellë të vendit”, tha Basha, i cili shprehu besimin se shqiptarët janë të etur, jo për ndryshim të përkohshëm e ndryshim fals, por ndryshim të vërtetë. “Jo ndryshim fasadë, por një ndryshim që do t’u japë fund krizave dhe truamave të tranzicionit. Një ndryshim që do të na fusë në rrugën e sigurt drejt Bashkimit Europian dhe vlerave perëndimore.” u shpreh lideri i opozitës.




Skip to toolbar