Basha mbërrin në selinë e PD, militantët e presin këmbëkryq

AKTUALITET


Një orë para protestës, lideri demokrat Lulzim Basha ka mbërritur në selinë blu i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Aurela Basha.

Teksa është afruar pranë selisë, kryedemokrati Basha është afruar pranë militantëve të grumbulluar për të pritur nisjen e protestës.


Ata menjëherë janë ngritur për të përshëndetur liderin demokrat i cili është shkëputur nga bashkëshortja për t’u takuar me ta.

Ndërkohë, pranë kryeministrisë, kanë filluar të mblidhen protestuesit e parë, me vuvuzela dhe me flamuj. Gjithashtu nuk mungojnë as shashkat dhe kapsollat.

Të rinjtë e FRPD kanë sjellë me vete edhe një kafaz në protestën që do të zhvillohet përpara kryeministrisë. Brenda kafazit janë futur edhe dy militantë të veshur me uniformën e të burgosurve, ndërkohë që në fytyrë mbajnë maskat e kreut të qeverisë Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Sonte në orën 19:00 opozita do të zhvillojë protestën e tetë kombëtare përpara Kryeministrisë duke kërkuar sërish largimin e Edi Ramës nga pushteti, pasi e akuzojnë si të lidhur me krimin. Protesta e sotme vjen pas daljes së përgjimeve të reja nga gazeta gjermane Bild, ndërsa kreu demokrat Lulzim Basha tha se një nga arsyet pse PD ka zgjedhur të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, është se nuk mund të konkurrojnë politikisht – sipas tij me kriminelët.




Skip to toolbar