Drejtuesit e CNN-it po bëjnë thirrje për durim edhe pse mijëra shikues po e braktisin rrjetin televiziv ndërsa ai po tenton të bëjë një kthesë në programet që transmeton, por ende nuk ka asnjë shenjë nëse përpjekjet e tij do të japin rezultat.
Shikueshmëria e televizioneve kabllore përgjithësisht është ulur në krahasim me vitin 2022, kur sulmi i Rusisë në Ukrainë ishte në fillimet e tij. Rënia për CNN-in është më dramatike, 61% në muajin mars në fashën kryesore programative, prej orës 21 deri në 23 në mbrëmje, ndërsa Fox News Channel ka shënuar një rënie me 27% dhe MSNBC me 12%, sipas kompanisë Nielsen. Kjo e fundit ofron të dhëna analitike mbi audiencën.
Fox News kishte mesatarisht 2.09 milionë shikues gjatë programeve kryesore të mbrëmjes në mars, pasuar nga MSNBC në 1.14 milionë dhe CNN në 473,000, sipas kompanisë Nielsen. Në grupin kryesor demografik mes moshës 25-54, CNN-i po ndeshet me disa nga numrat e saj më të ulët ndër dekada.
Prej një viti rrjeti televiziv CNN ndodhet nën menaxhimin e korporatës ‘Warner Bros. Discovery’, që ka punësuar ish-producentin e CBS-it Chris Licht për të drejtuar rrjetin. Objektivi kryesor ka qenë rindërtimi i besimit tek televizioni, si një markë lajmesh jopartiake, pas vitesh kritikash nga ish-Presidenti Donald Trump dhe ndjekësit e tij, në një kohë që Fox News-i dhe MSNBC kanë përfituar shumë, duke i apeluar një publiku me këndvështrime specifike.
Lëvizja më e madhe programore e zotit Licht deri më sot, ka qenë rikonceptimi i programit të mëngjezit “CNN This Morning”, i cili megjithatë nuk ka dhënë fryte në shikueshmëri duke u përballuar edhe me raste të publicitetit të keq, mes tyre komentet që u kritikuan gjerësisht të një prej prezantuesve të emisionit të mëngjesit Don Lemon për kandidaten republikane për Shtëpinë e Bardhë Nikki Haley. Ai tha se 51-vjeçarja nuk ishte “në kulmin e saj”.
Ndryshimet në transmetimet e përditshme të CNN-it janë të pashmangshme. Megjithatë, vizioni i zotit Licht për fashën kryesore programative është muaj larg, dhe sapo ka filluar të marrë formë.
Planet e tij janë të sigurojë mbulimin e lajmeve me prezantues nga fusha të ndryshme, duke përfshirë industrinë e argëtimit, të cilët mund të flasin për lajmet pa një pikëpamje të caktuar partiake. Zoti Licht po shqyrton disa mundësi dhe sipas njoftimeve CNN-i është pranë marrëveshjesh me Gayle King të CBS-it dhe ish-yllin e basketbollit amerikan, tashmë prezantues sportiv, Charles Barkley, për programe që do të transmetohen një herë në javë. Megjithatë rrjeti nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.
Nëse projekti i zotit Licht jep rezultat, CNN-i do të forcojë reputacionin si një markë lajmesh, duke tërhequr gjithashtu shikues që tashmë po ndjekin Netflix-in ose HGTV-ë dhe jo vetëm rrjetet konkurruese të lajmeve.
Ndërsa këto plane po avancojnë, trupa e prezantuesve të CNN-it që shfaqen në mbrëmje në orarin kryesor të transmetime ka qenë kryesisht në ndryshim, pas orës së programit që drejton gazetari Anderson Cooper që nis në orën 20:00 me orën lokale në Uashington. Rrjeti ka eksperimentuar me disa intervista, ngjarje dhe tema te caktuara në orën 21:00. Ato kanë përfshirë një bisedë me Zonjën e Parë Jill Biden dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy si dhe bashkebisedime mes publikut dhe guvernatorit të Virxhinias Glenn Youngkin apo dhe një bashkëbisedim i përqëndruar tek aksidenti në Ohajo, dalja nga shinat e një treni që transportonte kimikate.
Fasha orare informative, të paktën tani për tani, drejtohet nga Alisyn Camerota dhe Laura Coates.
“Shikuesit janë paksa të shpërqendruar me të gjitha ndryshimet, veçanërisht me programet që transmetohen në orarin kryesor për një transmetues televiziv”, thotë Jennifer Thomas, një ish-producente e CNN-it, që aktualisht jep gazetari në universitetin ‘Howard’. Ajo thotë se CNN-i ka nevojë për më shumë lajme që ndikojnë tek shikuesit dhe më pak analiza.
CNN u shpreh i kënaqur me disa nga përpjekjet e rrjetit, ndërsa pranoi se disa përpjekje të tjera nuk sollën rezultate. Të premten e kaluar, për shembull, vetëm 295 mijë njerëz ndoqën intervistën e gazetarit Jake Tapper me personazhin kryesor të komedisë “Ted Lasso”, aktorin Jason Sudeikis. Sipas kompanisë Nielsen, kjo ishte më pak se një e katërta e njerëzve që panë emisionin e gazetarit Alex Wagner në kanalin MSNBC në të njëjtën kohë, në orën 21:00.
David Zaslav, president dhe shef ekzekutiv i kompanisë Warner Bros. Discovery, mbajti një fjalim para qindra menaxherëve të kanalit CNN në fillim të këtij muaji për të përforcuar mesazhin se ai donte të shihte një rrjet të përqëndruar në lajmet që nuk anon në një krah të caktuar politik.
CNN pati shikueshmëri të madhe nën udhëheqjen e paraardhësit të zotit Licht-it, Jeff Zucker, dhe David Zaslav tha se ai e kupton se një qasje më partiake mund të sillte më shumë shikues dhe para, por se “nuk kam ardhur këtu për këtë arsye”, thuhet në një transkript të fjalimit zotit Zaslav.
Ai tha se shpresonte se rrjeti do të ishte në gjendje të kuptonte se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Ai u bëri thirrje menaxherëve që të mos shqetësohen për zhurmën e krijuar jashtë kanalit.
“Le të përqendrohemi tek identiteti ynë. Pra, se cilët jemi. Ky është misioni ynë. Kjo është trashëgimia jonë. Dhe ky është udhëtimi ynë i përbashkët”, tha ai.
Pyetja për zotin Licht dhe ekipin e tij, siç ndodh shpesh në situata të ngjashme, është se “sa kohë kanë në dispozicion?” thotë Mark Whitaker, një ish-ekzekutiv në CNN dhe NBC News.
Nëse ka shikueshmëri të madhe, atëherë ka edhe shumë të ardhura dhe më shumë para për të shpenzuar për emisionet, thotë zoti Whitaker.
Shikueshmëria e emisioneve kabllore të lajmeve shpesh nxitet nga prirjet dhe shprehitë e shikuesve, të cilët janë të tërhequr nga personalitetet që i njohin dhe u besojnë, thotë zoti Whitaker. Në tre ditët e para të kësaj jave, CNN në orën 21:00 kishte tre drejtues të ndryshëm të emisionit, Erin Burnett, Pamela Brown dhe Kaitlan Collins.
CNN duhet të pyesë veten nëse shikuesit do të humbasin zakonin e ndjekjes së emsioneve me drejtues të ndryshëm ndërsa presin që personaliteti i vërtetë i rrjetit të shfaqet nën drejtimin e zotit Licht. Nuk ka të ngjarë të ketë një program të ri për emisionet më të ndjekura deri në vjeshtë.
Nuk ndihmon fakti që shumë shikues të kanalit CNN e kanë konsideruar prej kohësh atë si një transmetues që ndiqet kryesisht kur ka ngjarje të mëdha, dhe tani është një periudhë relativisht e qetë. Një provë e rëndësishme do të jetë se sa shikues do t’i drejtohen në mënyrë refleksive kanalit CNN gjatë zhvillimeve të mëdha, ku shpesh ai ka dominuar.
Kanali MSNBC, duke përmendur avantazhin e tij më të madh ndaj rrjetit CNN në gati katër vjet, tha se shikuesit e tij i shikuan emisionet e tij mesatarisht 381 minuta në javë gjatë tre muajve të parë të vitit 2023. CNN u ndoq mesatarisht 183 minuta gjatë kësaj periudhe.
“Ata po luftojnë kundër armikut më të ashpër”, thotë Rick Kaplan, ish-president i rrjetit CNN. “Ata po luftojnë kundër vëmendjes së shkurtër të audiencës. Ata po luftojnë kundër faktit që ne jemi një popull kaq i ndarë, kaq i zemëruar me njëri-tjetrin, saqë nëse nuk e reflektoni atë zemërim, njerëzit nuk kanë kohë për ju.”
Niveli i dobët i shikueshmërisë “e shkatërron strukturën e rrjetit, nëse prodhoni emsione të shkëlqyera dhe askush nuk ju shikon,” thotë ai.
Zoti Kaplan beson se CNN ka udhëheqjen e duhur nën drejtimin e zotit Licht, i cili ka një histori të fortë si një drejtues i suksesshëm programesh.
“Nëse ka një rrugë të mirë, ai do ta gjejë atë”, tha ai.