Çupi: Besimi, ky burrë i mirë që na ruan vreshtat

Më të fundit


Nga Frrok Çupi

Cili është ky burrë unik me emrin Besim?
Me këtë emër kam njohur vetëm Besim Hajdarin, një shoqërues besnik i Azem Hajdarit që në fakt nuk i lidh mbiemri. Sot është veç pasionant i një tropojani tjetër me mbiemrin Berisha, nuk lë armik pa sharë, por nuk njihet për gjë tjetër
Kemi hyrë në rebusin e frikshëm duke kërkuar emrin qe na e mbush mendjen se është adapt dhe se është i ndershëm. Njësoj siç kërkova emrin e Besimit me mbiemrin e njëjtë të heroit, por mes radhëve të emrave të Besimit.


Besimi ka qenë dhe mbetet një parametër i përdorur nga shtetarët kur formatojnë qeveritë ose edhe celulat e tjera të administratës. Kur shefat propozojnë dikë për diku lart, të vetmen formulë që lakojnë kanë këtë: ‘E besoj se është i ndershëm’. Në fakt në shumicën e rasteve ‘besimi’ përdoret bash për të krijuar çerdhe pandershmërie, korrupsion dhe vjedhje. Të besuarit janë edhe më servilët e më të ngjiturit, që domosdo do t’i bësh ministra.
Çfarë ndodhi me dy ngjarjet kulmore të 24 orëve të fundit?
Ngjarje të parë po marrim aksionin e Policisë në tre rajone të vendit: Tiranë, Shkodër e Kukës. U arrestuan disa. Nuk di si kanë arrestuar kryeprokurorin e Kukësit! Ky ishte më i besuari; vishej natë e ditë me kravatë dhe imponohej si ‘intelektual’. Siç ruante kostumet, ky ‘Besim’ ruante që të mos i afrohej miza… Vallë si iu afrua prokurori tjetër për ta arrestuar?

Po kaq të ‘besuar’ sa Xhevahiri ishin edhe disa të tjerë në zinxhirin kriminal të arrestuar…
Ndërsa ngjarja e dytë ishte Asambleja e Përgjithshme e Partisë Socialiste.
Dje kur po mbahej Asambleja e PS në qeverisje, gazetarët jashtë salle tirrnin imagjinata se çfarë do të jetë duke u bërë Rama ministrave e deputetëve për korrupsionin. “Do t’i rrjepë sot”, tha një operator që ndërhyri mes gazetarëve
Mirëpo Rama as që e preku fare ‘korrupsionin’.

Si ta prekësh? O ka ardhur koha ta shkulesh, o lëre mos e cyt edhe ca. Veçse kryeministri mund të bëjë veprime të vogla si ai njeriu i cili ruhet nga mizat që të mos i nxjerrin sytë. Domethënë siç bëri dje kur i tha atij që kishte më pranë në tribunën e Asamblesë: ‘Ik tani, tani ik’.
Këtë bëri edhe me nën- kryeministrin Ahmetaj; kur e kapi se kishte futur duart në financat e publikut, u anua pak nga ai në një mbledhje qeverie dhe i tha: ‘Ik tani, tani të thashë!’.

Kryeministri veçse shkarkon atë që e nxjerrin ujërat si të qelbur në korrupsion. Çfarë të bëjë tjetër nëse ndiqet mezhermenti i ‘njeriut në besim’?.
Tjetër gjë nuk bëhet dot hëpërhë. Ka mbaruar “besimi”, ai burri që na ruan vreshtat. Të besuar ishin edhe prokurori, edhe polici, edhe biznesmeni…, por me hundë e kishin nuhatur njëri tjetrin që nga Kukësi, në Shkodër e Tiranë. Njeriu vetë është me prirje që të përfitojë sa më shumë, edhe duke kapërcyer ligjin.
Sigurisht, ndodhemi në një moment kur prokurori arrestohet, nuk është tabu; kur edhe ministri burgoset, nuk është herezi; kur edhe ‘Besimit’ mund t’i vihen prangat, pa pyetur për mbiemrin. Ishte tjetër gjë atëherë kur vrasësi dhe i korruptuari, teksa natën flinin ‘në arrest shtëpie’, në mëngjes hipnin në limuzinë drejt e në zyrë si drejtor institucioni. Edhe koha kur të gjithë ministrat mblidheshin në një ‘poçe’ me kryeministrin e gratë me njëra tjetrën; dhe ndanin plaçkën. Ajo kohë e helmoi gjithë terrenin e kësaj shoqërie; tani ‘Besimi’ është ai burri që nuk duhet qasur as te arat me misër.
Ka rënë masa e kostumit me metrin ‘i besuar’ teksa formojmë qeveri e shtet. Ndoshta po zhvlerësohen edhe konventat, leksionet, workshopet, ligjet…
Tani është koha e instrumenteve ‘ekstra humane’ për të ndaluar korrupsionin.

Ishte krejt e kuptueshme ajo që ndodhi dje me Partinë Socialiste në Asamble. Nis një epokë ndryshe me korrupsionin…Vallë si mund të ‘priteshin koka’?, siç po thonin reporterët jashtë sallës teksa kamerat ishin vënë në ‘Of’. ‘Koka e prerë’ është ‘kokë e korruptuar’; vallë kujt i nevojitet?! Apo për ta bërë ‘totem’ të imponuar nga pjesa e korruptuar e shoqërisë politike? Tani është koha e mekanizmave që nuk e njohin ‘besimin’. Siç ishte koha e ‘Hamurabit’ në Persinë e Lashtë, që ndali krimin sheshit. Ishte edhe një kohë në para-Mesjetë kur dikush i thërriste njerëzit në shtrungë dhe u merrte qimen…
Mjetet digitale mund t’i japin epokës së re të ‘gjuetisë së krimit’, jo emrin ‘Besim’, por ‘Kibernetik’.




Skip to toolbar