Ndërpritet gara për kryeprokuror, kandidati i skualifikuar padit KLP

AKTUALITET


Kandidati për postin e kryeprokurorit, Lulzim Alushaj ka ankimuar vendimin e marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për ta skualifikuar atë nga gara për shkak se nuk plotësonte 15 vite vjetërsi pune.

Pas skualifikimit nga gara për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, Lulzim Alushaj ka paditur Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Alushaj ka dorëzuar padinë në gjykatën e apelit administrativ. Ky veprim i tij do të sjellë ndërprerjen e menjëhershme të garës së 3 kandidatëve të tjerë për postin e kryeprokurorit.


Një javë më herët Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që të përjashtojë nga gara kandidatin Lulzim Alushaj për shkak se ai nuk përmbush një nga kriteret e kërkuara që është vjetërsia në punë. Sipas ligjit, kandidati duhet të ketë ushtruar të paktën 15 vite punë  si jurist i spikatur, kriter ky që nuk plotësohet nga Alushaj.

Ndërkaq KLP në mbledhjen e së mërkurës pasi shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm vendosi t’u japë të drejtën e vazhdimit të garës tre kandidatëve të tjerë si Arta Marku, Olsian Çela dhe Fationa Memçaj.

Por pas ankimimit të bërë nga Alushaj pritet që gara të ndërpritet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për të./realstory.al




Skip to toolbar