Konflikti në Lindjen e Mesme/ Kulla: Shqipëria, qëndrim të ekuilibruar. Aleanca diplomatike vijon me SHBA, por edhe lidhja me Turqinë

AKTUALITET


Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, në intervistën për “Real Story” u pyet nga gazetari Sokol Balla për rolin që mund të ketë pasur Turqia në qëndrimin e Tiranës zyrtare për konfliktin në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Hamasit, dyke pasur parasysh rolin e fortë pro palestinez të shtetit turk dhe raportin e Ramës me Erdoganin.

Ai thotë se vendi ynë po mban një qëndrim të ekuilibruar për këtë konflikt duke shtuar se nga njëra anë vijon aleancën diplomatike me SHBA-në por nga ana tjetër, edhe lidhja me Turqinë mbetet e fortë. Sipas ekspertit, Tirana zyrtare ka kalkuluar edhe raportet me vendet arabe sa i përket qëndrimeve të saj diplomatike.


“Mendoj se janë një sërë faktorësh që e kanë bërë Shqipërinë të mbajë një qëndrim të ekuilibruar dhe një janë marrëdhëniet e shkëlqyera që ka me Turqinë, si një vend partner dhe aleat jo vetëm në NATO por edhe në rajon. Por nuk është vetëm kjo arsyeja, nuk mund t’i kontestosh Shqipërisë presion nga Turqia në raport me këtë çështje, Shqipëria në vazhdimësi ka mbajtur një pozicion të ekuilibruar sa i përket kësaj çështjeje por dhe një marrëdhënie të ngushtë me Izraelin. Shqipëria në qëndrimet e veta diplomatike ka kalkuluar edhe qëndrimet që kanë vendet e botës islame dhe arabe karshi një çështjeje që ka të bëjë me Kosovën.

Sigurisht të qenit anëtar i Këshillit të Sigurimit në OKB edhe për një 1 e gjysmë tjetër, i jep Shqipërisë një rol të jashtëzakonshëm sidomos në kushtet kur bota gjendet mes disa konflikteve, ai palestinez, konflikti mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, është situata në Ballkan dhe konflikti në Ukrainë dhe Shqipëria ka për të luajtur një rol diplomatik. Këto role nuk luhen për shkak të interesave kombëtare por edhe aleancave diplomatike që bën nëpër botë. Nga kjo pikëpamje aleanca diplomatike e Shqipërisë vazhdon të jetë SHBA por gjithashtu edhe lidhja me Turqinë dhe vendet e tjera, duket e fortë. Në këtë rast, vlen të përmendet që interesat ekonomike të Shqipërisë me disa vende arabe si Katari, Emiratet dhe Arabia Saudite duhet të kontribuojnë shumë në forcimin e qëndrimeve të Shqipërisë në konsiderimin si qëllime publike dhe qëndrime të mirëpranuara nga të gjitha palët.”, u shpreh Kulla.




Skip to toolbar